Tafaj uron studentët: Reformë për cilësinë e diplomave
TIRANË- Një ditë para nisjes së vitit të ri akademik për studentët, kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj ka uruar profesoratin dhe gjithë studentët dhe ka theksuar se gjatë këtij mandati kryefjalë e programit është cilësia e diplomave.
Duke deklaruar se premtimi për liberalizimin e universiteteve është mbajtur, pasi vetëm këtë vit hyjnë në auditoret publike mbi 30.000 studentë, këtë mandat do të punohet për cilësinë e studimeve.
"në mandatin e dytë, kryefjala e programit tonë në arsimin e lartë është cilësia e studimeve, cilësia e diplomave. Së shpejti një kompani e huaj, fillon punën për të përcaktuar standardet mbi bazën e të cilave do të bëhet klasifikimi i universiteteve dhe i diplomave shqiptare për nga cilësia e tyre. Deri në fillim të vitit tjetër akademik ne do të kemi të përfunduar klasifikimin e universiteteve shqiptare, publike e private, për nga cilësia, pra niveli i tyre"- tha Tafaj.
Sipas tij, së bashku me studentët e viteve më të larta, numri total i studentëve, në të gjithë sistemin e arsimit të lartë, pra përfshirë edhe atë privat, parashikohet të afrohet me shifrën 120.000 studentë, që do të thotë se ekzistojnë të gjitha premisat që në vitin akademik 2013-2014 Shqipëria të ketë 150.000 studentë.
Ai garantoi respektim të autonomisë universitare dhe reformë të thellë në përmbajtje, në përputhje me standardet e Bolonjës.