E Diel, 1 Nëntor 2026

Romët e Levanit: Mos e dënoni plakun që lidhi nipin

Familja Rasho dhe e gjithë lagjja e romëve në Levan janë të indinjuar nga vendimi i Prokurorisë së Fierit për të ndjekur penalisht Kamber Rashon, gjyshin që lidhi me zinxhirë nipin që vuante nga një sëmundje mendore. Fatmir Rasho, 22-vjeçari që mbahej i lidhur në një kasolle pranë shtëpisë, është një nga shumë të sëmurët mendorë që trajtohen si kafshë nëpër Shqipëri.

Gjyshi i tij, Kamberi, 87 vjeç, ndiqet penalisht për "heqje të padrejtë të lirisë së tjetrit", pikërisht pse parandaloi dhunën që Fatmiri ushtronte mbi të dhe të afërmit e tjerë. Gjyshin tashmë e ka marrë malli për të nipin, edhe pse ai ishte i dhunshëm. Tregon se vetëm një herë e ka vizituar në spital. "I çova kapelen se ma kërkoi dhe një palë çorape. Nuk kam me çfarë të shkoj për ta parë. Nuk kam bukë të ha", tregon me lot në sy i moshuari.

Varfëria

Banesa ku ka jetuar Fatmiri që nga vitit 1997, atëherë kur nëna e tij Lutfija e braktisi, i ngjason më tepër një kasolleje. Në të janë dy dhoma të ndërtuara me baltë dhe kallama, si dhe një tavan që nga çasti në çast mund të bjerë. Sipërfaqja e të dyja dhomave nuk është më tepër se 10 metra katrorë. Brenda kësaj sipërfaqeje qëndrojnë rraqet që 87-vjeçari Kamber Rasho i cilëson "plaçkat" e të gjithë jetës. Në dy dhomat thuajse të rrëzuara jetonin tetë frymë dhe që nga largimi i Fatmirit për në spitalin psikiatrik numri është ulur në shtatë. Janë gjyshërit e 22-vjeçarit, Kamberi dhe Bideja, si edhe familja e vëllait të tij, Leonardit. Kamber Rasho tregon për bukën që e siguron duke lypur apo duke rrëmuar në kazanët e plehrave. Këtë fakt e pohon edhe Bideja, gjyshja e të sëmurit. Ndërkohë që i vëllai, Leonardi tregohet më i ashpër. Ai thotë se ka tre fëmijë, ndaj nuk ka mundur ta mbajë me bukë Fatmirin. "Unë lypja për fëmijët e mi, por shpeshherë nuk haja vetë dhe ia jepja atij. Më vinte keq. Kemi hequr shumë bashkë".

Solidariteti

Në lagjen "1 Maj" të Levanit jeton një komunitet me më shumë se një mijë familje rome. Të gjithë ata që takojmë nëpër lagje thonë se policia merret kot me plakun e shkretë, se ai nuk ka faj. Brenda pak minutash, shumë prej tyre u mblodhën pranë banesës ku jeton familja Rasho. Të gjithë duan të flasin dhe kanë një qëndrim: Fatmiri ishte i dhunshëm dhe e vetmja zgjidhje ishte ta izolonin. Gjyshi bëri veprimin e duhur, edhe pse kjo mund të duket çnjerëzore.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›