E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Gjilanit zbulon barna ilegale

Gjilan, 13 gusht - Policia e Gjilanit ka ndaluar një rrjet kontrabandimi të ilaçeve pa banderola dhe dokumente valide. Në dy raste të veçanta njësitet speciale operative gjatë një kontrolli rutinë kanë ndalur dy vetura me tabela vendore, në dy lokacione të ndryshme. Në njërin rast në rrugën e Ferizajt,  përballë një pike për shitjen e karburanteve, është ndalur vetura e llojit "Audi", me tabela vendore, në të cilën ndodheshin dy persona, të cilët, pasi janë legjitimuar, është kuptuar se ata janë shtetas të Kosovës, me vendbanim të përhershëm në Pejë. Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjilanit, togeri Ismet Hashani, ka thënë të premtën se gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një sasi e konsiderueshme e barnave medicinale pa banderola dhe pa dokumente valide, si dhe një sasi e konsiderueshme parash (të holla të gatshme).
Sipas Hashanit, në rastin e dytë është ndalur vetura "Wolsfagen Jeta", me tabela vendore, të cilën e drejtonte i dyshimti, shtetas i Kosovës, i lindur me 1989, me vendbanim në Prishtinë. Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur rreth 300 pako të vogla barnash medicinale në një vlerë të konsiderueshme parash, si dhe një sasi e konsiderueshme e të hollave të gatshme. Në të dy rastet veturat, barnat dhe të hollat janë konfiskuar nga ana e Policisë. Që të dy rastet veç e veç po hetohen nga njësitet kundër krimeve ekonomike në Gjilan.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›