E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shtetit: Emigrantët iranianë nuk janë nisur nga Shqipëria

Në një komunikim zyrtar, Policia e Shtetit përgënjeshtroi lajmin për mbërritjen nga Shqipëria në brigjet e Salentos në Itali të 57 klandestinëve afganë dhe iranianë. Policia e Shtetit e cilësoi këtë lajm të pavërtetë dhe sqaron se nga të gjitha komunikimet zyrtare të policisë me autoritetet italiane të zbatimit të ligjit, rezulton që klandestinët e kapur nuk kanë mbërritur në territorin e shtetit italian nga Shqipëria. “Brigjet shqiptare monitorohen në mënyrë të vazhdueshme nga aparatura të teknologjisë më të fundit bashkëkohore, si dhe nga mjete lundruese të fuqishme, të cilat në bashkëpunim të ngushtë dhe me homologët italianë, bëjnë të mundur kontrollin e hapësirës ujore dhe ndërhyrjen në mënyrë të menjëhershme në rast tentative trafikimi”, njoftuan dje autoritetet shqiptare. Dy ditë më parë, mediat dhe autoritetet italiane bënë të ditur se nga drejtimi i Shqipërisë kanë ardhur dhjetëra emigrantë me gomone. “Më datë 09.12.2011, në orën 23.55’, nga avioni ‘Frontex’ në perëndim të Korfuzit është vënë re një mjet lundrues, i dyshuar gomone e përmasave të mëdha, i cili ishte drejtuar në drejtim të S.M. në Leuca, ku në vijim ka zbarkuar dhe klandestinët. Mjeti lundrues, pasi ka zbarkuar klandestinët është larguar menjëherë në drejtimin nga ishte nisur dhe është humbur kontakti radar me të në afërsi të ishullit të Korfuzit, për shkak të detit shumë të trazuar”, - njoftuan autoritetet italiane dy ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›