Policia e Shtetit: Emigrantët të përdorin pasaportat e vjetra
TIRANË- Policia e Shtetit ka sqaruar sot se pasaportat ekzistuese janë të përdorshme në pikat kufitare, mjafton të jenë brenda afatit. Sqarimi vjen pas dyndjes në zyrat e gjendjeve civilie të emigrantëve që aplikojnë për pasaportat e reja biometrike.
"Nuk është e vertetë se pasaportat biometrike janë kusht për të hyrë apo për të dalë nga kufiri. Mjafton që emigrantët që kthehen për në vendet ku jetojnë të jenë të pajisur me pasaporta të vjetra por ato të jenë brenda afatit", tha sot zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku.
Kjo vjen për shkakun e vetëm se emigrantët e kanë të limituar kohën e qendrimit të Shqipëri dhe kërkojnë të aplikojnë sa më shpejt për dokumentet e reja të identitetit, nis edhe nga fakti se ato janë të domosdoshme në rast se pasaporta ekzistuese është në prag të skadimit. Por ata nuk kanë gjetur shërbimin e kërkuar në zyrat e aplikimit ku punohet vetëm ne një turn edhe pse ka fluks njerëzish që qendrojnë me orë të tëra në radhë.
Në të gjithë vendin emigrantët po vuajnë pajisjen me karta identiteti dhe me pasaporta biometrike. Shkodra, Lezha, Fieri, Elbasani janë vetëm disa nga qytetet ku zëri është ngritur për të protestuar për çështje të tilla. Mungesa e sporteleve, mungesa e internetit, mungesa e kuponave, mbyllja në fundjavë e sporteleve rezultojnë të jenë vetëm disa prej problemeve. Ndërkohë emigrantëve në kufi u kërkohet që të jenë të pajisur me karta. Shumë prej tyre thonë se në vend që të pushonin në kohën që kanë ardhur në Shqipëri, pushimet i kanë kaluar pas dyerve të zyrave ku aplikohet pasi jo rrallë kanë pritur ditë me radhë.