E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit: Më pak aksidente, më shumë të vdekur

Drejtori i Policisë Rrugore, deklaroi dje se numri i aksidenteve me vdekje ishte ulur krahasuar me vitin e shkuar


TIRANE- Pak ditë pasi Policia e Shtetit, konfirmoi se këtë vit, janë vrarë gjatë muajit korrik 51 persona, shifër më e lartë se vitin e kaluar dhe dyfishi krahasuar me vitin 2008, sërish zyrtarët e saj nxituan të deklarojnë sërish se numri i tyre ka rënë, pavarësisht se numri i të vrarëve është më i madh.


Një fakt i tillë u deklarua dje në një konference shtypi nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë, Vullnet Topalli. Sipas tij, në muajin korrik të 2010 kanë ndodhur gjashtë aksidente me pasojë vdekjen, më pak se në vitin 2009. Por pak ditë më parë, gjatë analizës një mujore të Drejtorisë së Policisë Rrugore u bë e ditur se, në 151 aksidente të ndodhura gjatë të njëjtit muaj kanë humbur jetën 51 qytetarë.


Nga këto të dhëna të ofruara nga Policia e Shtetit, gjatë korrikut të këtij viti, ka pasur më pak aksidente, por më shumë të vdekur. Gjatë korrikut të 2010, në krahasim me një vit më parë shifra e të vdekurve është rritur me dy viktima.


"Në korrik 2010 kanë ndodhur 36 aksidente me pasojë humbje jete, ndërsa në korrik 2009 kanë ndodhur 42 të tilla. Ju sjell në vëmendje ndërkohë se gjatë kësaj periudhe në territorin e Shqipërisë ka pasur një fluks shumë më të madh automjetesh në qarkullim se e njëjta periudhë e vitit të kaluar,- tha Topalli. Sipas tij, rënia e aksidenteve ka ardhur pavarësisht faktit të rritjes së numrit të mjeteve në rrugë.


"Riorganizimi i Policisë Rrugore në drejtori më vete dhe struktura të varësisë, në më pak se dy muaj, ka përmirësuar kontrollin dhe ka lehtësuar qarkullimin e automjeteve, duke sjellë menaxhim më të mirë të burimeve njerëzore si dhe ka rezultuar efikas si në parandalimin e aksidenteve, ashtu edhe në ndëshkimin e kundravajtjeve nga drejtuesit e automjeteve", tha Topalli.


Sipas tij, Njësitë rajonale të Policisë Rrugore dhe Njësia e Kontrollit të Autostradave, gjatë këtyre dy muajve kanë bashkërenduar veprimet në veçanti për përballimin e fluksit të automjeteve që është shtuar ndjeshëm gjatë sezonit turistik".


Pavarësisht faktit se sipas Topallit, ka pasur kontrolle efikase, në shumë akse vihet re mungesa e tyre. Kështu aksi Tiranë Korçë, ka policë në Tiranë dhe në Elbasan, ndërsa në Korçë e Pogradec, nuk shihen policë në segmentet rrugore të këtyre qyteteve.


Po kështë aksi Tiranë Vlorë, ka efektivë të rrugorëve vetëm në Tiranë, në Durrës në autostradë dhe në Kavajë, ndërsa më tej, policët nuk duken askund.


Gjobat

60 mijë u vendosën në korrik 2010 kundrejt 50.955 në 2009
1784 patenta u pezulluan në korrik 2010, kundrejt 739 pezulluara në 2009,
2017 automjete u bllokuan në korrik 2010, kundrejt 810 të bllokuara në 2009

Aksidentet
Një i vdekur e katër të plagosur në Tiranë e Korçë

Tiranë Një burrë 34 vjecar mbeti i vdekur paraditen e djeshme në Laprakë, kur u përplas në korsinë e emergjencës nga një autoveturë me targa greke.


Policia tha se Fatos Reçi u godit nga një autoveturë me targa greke në korsinë e autobuzëve, ndërsa ndërroi jetë në spital. Policia shoqëroi drejtuesin e automjetit dhe më pas i vuri atij prangat me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndërkaq, në Korçë tre anëtarë të një familjeje nga Peqini të cilët po ktheheshin nga Greqia u aksidentuan në segmentin Korçë- Bilisht gjatë paradites së djeshme.


Policia tha se automjeti i tyre u përplas me një tjetër, me targa që po udhëtonte në drejtim të kundërt. Në aksident mbetën të plagosur Astrit Xhafa, 35 vjeç, Anxhela dhe Sidorela Xhafa përkatësisht 10 dhe 8 vjeçe. Mësohet se Sidorela, është në gjëndje më të rëndë shëndetësore. Ndërkaq i plagosur mbeti edhe drejtuesi i automjetit tjetër.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›