E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë, luftë për të parkuar makinën

Në qytetin i cili gjatë sezonit veror mbipopullohet nga njerëzit, një nga problemet më të mëdha është vendi për të lënë automjetin


Para se të bëhen gati valixhet për në qytetin bregdetar, pushuesit fillimisht duhet të sigurohen për parkimin


SARANDË - Në zgjedhjet e 2005-s ish-kreu socialist, Fatos Nano, i cili kandidonte për deputet në Sarandë, mes premtimeve joshëse zgjodhi dhe atë për një parkim gjigant të nëndheshëm, me kapacitet deri në 3 mijë automjete, që do të ndërtohej poshtë "lulishtes së paqes" te shatërvani, në qendër të qytetit.


Dhe jo më kot: vitet e fundit Saranda përfshihet në qytetet e ankthshme përsa i përket parkimit, sidomos sezonin e verës. Për këtë arsye edhe një hapësirë pedonale, afër vendit ku Nano shpalosi vizionin e tij për një parkim të nëndheshëm, ka ndërruar destinacion: nga hapësirë për këmbësorët, është shndërruar në hapësirë për parkim automjetesh.


Është thënë se kjo vlen vetëm për sezonin veror, por po kthehet në një rit të përstinshëm. I ka shpëtuar këtij fati shëtitorja buzë detit. Ndërkohë ajo çka pushuesit llogarisin para se të bëjnë gati valixhet për të vajtur për në Sarandë, është edhe nëse do të mund të gjejnë një vend për të lënë automjetin e tyre. Qyteti i vogël, sipas statistikave zyrtare, ofron 22 mijë shtretër por për parkime, vështirë se mund të flitet


Rruga 1


Parkohen të gjitha automjetet e atyre që duan të bëjnë plazh apo xhiron e mbrëmjes buzë detit. Parkimi i automjeteve anash është skiç dhe nuk ka vend për parkim dysh. Nëse ndodh të hapësh bllokazhin qoftë dhe për një minutë qëndrim, pëlcet bilbili i policit dhe kërcënimet e tij, duke të tundur bllokun e gjobave. Ama je i lirë që të parkosh dhe në vendet e vizuara për kalim këmbësorësh. Sa për aty, jo vetëm njëri sy, por që të dy sytë e policit mbyllen.


Rruga 2


Është rruga e dyqaneve. Parkimi është paralel me trotuarin. Zakonisht nuk ka polic qarkullimi. Ka fluks makinash, pikërisht për shkak të dyqaneve të shumta, disa prej tyre dhe me shërbime. Nuk ka orë të ditës që mos ketë parkim dysh me fenerë që pulsojnë nga bllokazhi. Të zakonshme janë dhe dy rrotat e para mbi trotuar. Ndërsa disa privatë vendosin në punë dhe karrige apo sende të tjera, për të përçuar mesazhin e nënkuptuar: Këtu mos parko se jam unë!


Rruga 3


Është rruga e institucioneve. Aty ndodhen prokuroria, gjykata e më poshtë në rrugën 2, kadastra, sigurimet shoqërore e disa banka. Pikërisht për këtë fakt dhe aty gëlojnë shenjat paralajmëruese për mosparkim të çdokujt dhe për parkim të dikujt, që p.sh. është punonjës institucioni. Po në këtë rrugë ndodhet dhe një plakë në moshë, së cilës i është bërë obsesion fakti që para shkallëve të hekurta të banesës së saj, parkohen gjithnjë automjete.


Obsesionin e saj e shpreh gjithnjë me dufe e mallkime kundrejt njerëzve në timon. Ndërsa para gjykatës shenja treguese të thotë se nuk duhet të parkosh në 50 metra, e kjo gjatësi i është lënë në dorë policit të shërbimit që ta masë më sy, sa herë i duhet t'i thotë dikujt: Mos parko!


Të tjerat

Saranda ka dhe dy rrugë të tjera paralele, por e fundit, pesa, është vërtet komode për të parkuar, por jo komode për ta bërë zbritjen dhe ngjitjen drejt saj me këmbë. Sezoni i plazhit e sidomos muaji gusht është më i sikletshmi për parkime. Ngushëllim përbën vetëm fakti se në Sarandë nuk ka mbërritur ende "kafsha" e pamëshirshme me emrin karrotrec apo ato ganxhat e Policisë Bashkiake të Tiranës.


Ligjin e bën vetëm gjoba. Gjithashtu, edhe ndërtimet e reja që ngrihen në qytet, jo të gjitha kanë parkime, ndërsa nëse një hotel kërkon t'i bëjë marketingun vetes, e fillon me avantazhin: kam parkim të garantuar. Sipas drejtorit të Njësisë Rajonale të Qarkullimit Rrugor, kryekomisar Latif Mullaj, vërtet përgjatë sezonit të verës e sidomos kulmit që është muaji gusht, ka probleme trafiku e parkimesh.


Por ngaqë kjo është vetëm çështje sezoni, arrihet të kapërcehet si problem. Përgjithëshisht, me kartën e "sezonit", përligjen shumë problematika të tilla në qytet e kjo bën që të mungojnë dhe projekte afatgjata për zgjidhjen e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›