E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shtetit: Nuk kemi ushtruar dhunë ndaj protestuesve

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me akuzat e ushtrimit të dhunës ndaj protestuesve. Sipas zëdhënësit për shtyp, Klodian Branko, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, me fillimin e grumbullimit të tubuesve më datë 10, 11 dhe 12 nëntor 2008, ka planifikuar dhe ka marrë masat për sigurimin e rendit publik, duke bashkëpunuar me Gardën e Republikës. Gjithashtu, në mënyrë të vazhdueshme nga ana e drejtuesve të Policisë së Tiranës janë marrë takime me organizatorët dhe drejtuesit e tubimit, duke i bërë me dije se “tubimi në fjalë bie në kundërshtim me aktet ligjore, për të cilën iu është kërkuar respektimi i Ligjit "Për Tubimet"”. Sipas njoftimi të policisë, “veprimet e pjesëmarrësve në tubim duke u shtrirë, ulur dhe qëndruar në këmbë, përballë hyrjes kryesore të Kuvendit të Shqipërisë, cenojnë rëndë sigurinë e institucionit që ruhet dhe sigurohet nga forcat e Gardës së Republikës, të cilat përgjigjen përveç objektit, edhe për ruajtjen e sigurimin gjatë lëvizjes së personaliteteve të larta shtetërore”. Sipas policisë, pavarësisht nga këto veprime ligjore të policisë, në datën 12.11.2008, protestuesit kanë instaluar një çadër në ambientet publike të sipërpërmendura ku zhvillonin tubimin, duke bllokuar tërësisht dhe në mënyrë permanente lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mjeteve. Ndodhur në këto kushte, pas paralajmërimeve të disahershme dhe komunikimit me drejtuesit e protestës, rreth orës 23:30 policia ka ndërhyrë për të liruar ambientet publike, duke çmontuar çadrën e vendosur në rrugë. Në lidhje me disa deklarata të bëra nga disa politikanë, ku akuzohen drejtues të policisë për përdorim të dhunës, ky institucion bën me dije se “gjatë gjithë ndërhyrjes së policisë nuk ka qenë i nevojshëm përdorimi i dhunës, pasi rezistenca e personave të ndodhur në moment në vendngjarje ka qenë minimale”. Ky institucion sqaron se kryen veprime të paanshme ligjore, për garantimin e rendit e të sigurisë publike në vend, në mbrojtje të rendit kushtetues.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›