Trafiku i prostitucionit, 31 vjet burg për Azizajn e Lushajn
Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 31 vjet burg dy të pandehur, të cilët akuzohen se në bashkëpunim kanë trafikuar në Kosovë një shtetase. Në përfundim të shqyrtimit të fakteve të paraqitura nga palët dhe rrethanave të ngjarjes, kryesuesi i trupit gjykues dënoi me 16 vjet burg të pandehurin Klodian Azizaj dhe 15 vjet burg të pandehurin Ridvan Lushaj. Sipas arsyetimit të vendimit, referuar hetimit të akuzës, dy të pandehurit kanë trafikuar një vajzë nga Berati në Kosovë, ku e kanë dorëzuar viktimën në një lokal në Prizren, duke e detyruar të ushtronte prostitucion kundrejt pagesave prej 50 euro për çdo klient. Vajza është mashtruar nga të pandehurit, me qëllim shfrytëzimin seksual të saj. Ngjarja ka ndodhur në vitin 2006, ndërkohë që policia nuk ka mundur të vërë në pranga dy autorët, duke i hetuar dhe gjykuar në mungesë ata. Sipas akuzës, Klodian Azizaj është njohur me vajzën e trafikuar, Marjana B., në fshatin Samaticë të Beratit. Sipas hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri kishte tezen e tij në këtë fshat, çka e ka ndihmuar të njihej me viktimën e trafikut, së cilës i premtoi martesë dhe jetë më të mirë. Pa dyshuar mbi qëllimet e të fejuarit të saj, në muajin shkurt 2006, Klodian Azizaj ka udhëtuar me një taksi bashkë me Marjana B., nga fshati Samaticë në shtëpinë e Ridvan Lushit në Berat. Më pas, pa e ditur se ku do përfundonte, e dëmtuara dhe dy trafikantët e saj janë nisur drejt Tiranës me një furgon. Rreth orës 15:00 të po asaj dite, dy trafikantët dhe vajza e mashtruar kanë hipur në një furgon dhe janë nisur për në Shkodër, ku kanë fjetur në një hotel 2-katësh. Të nesërmen në mëngjes ata janë nisur të tre së bashku për në Kukës, ku kanë mbërritur rreth orës 18:00 në Morinë. Ridvan Lushi në këtë moment i ka telefonuar Sulejman Tushës, i cili i ka ndihmuar dy trafikantët dhe vajzën e mashtruar të kalonin kufirin në këmbë. Ndërkohë, Ridvan Lushi ka kaluar nga dogana, ka mbërritur në Prizren dhe prej andej ka siguruar një taksi, e cila të nesërmen në mëngjes ka marrë të akuzuarin Klodian Azizaj dhe Marjana B. Dy të akuzuarit, sipas akuzës, e kanë çuar vajzën në qytetin e Prizrenit tek "Lokal Muzikë Bekimi". Po sipas hetimeve, pasi kanë shkuar tek ky lokal, Klodian Azizi, Ridvan Lushi dhe shtetasi kosovar, i quajtur Bekim, i kanë thënë vajzës së mashtruar se do të punonte aty si kameriere deri në orën 00:00 dhe pas kësaj ore deri në 03:00 ata do të sillnin klientë për të kryer marrëdhënie seksuale me vajzën, kundrejt shumave prej 50 eurosh për çdo klient.
Detaj
50 euro për klient ia kanë caktuar shumën dy të pandehurit vajzës së trafikuar në Prizren
Detaj
50 euro për klient ia kanë caktuar shumën dy të pandehurit vajzës së trafikuar në Prizren