E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtyhet për mungesë të prokurorit seanca, reagojnë Toma e Teliti

Ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti dhe drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve, Andi Toma, e kanë cilësuar të qëllimshme mungesën e prokurorit në seancën e djeshme gjyqësore. Në përfundim të seancës që është shtyrë për mungesë të prokurorit, Teliti dhe Toma u shprehën në ambientet e jashtme të gjykatës për median e pranishme se “hetimet për rrugën Durrës–Kukës, ku ata janë marrë në hetim nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, janë shtyrë pambarimisht në mënyrë të qëllimshme. Organi i prokurorisë ka rreth dy vjet që merret me këtë çështje dhe ka pasur gjithë kohën e nevojshme për hetimet, akti i fundit ka qenë akti i ekspertimit, i cili është vënë në dispozicion të prokurorisë në datën 29 shtator dhe ka pasur një shtyrje në datën 6 tetor dhe një muaj tjetër”. Sipas Telitit, shtyrja tjetër, ajo e datës 6 nëntor, edhe për një muaj kohë për hetimin e çështjes, është tërësisht e pajustifikuar, por edhe e paligjshme. Teliti ka shtuar se ata e kanë paraqitur qysh në fillim të këtij akt-ekspertimi opinionin e tyre, opinion i cili i është paraqitur me shkrim prokurorit, në përgjigje të së cilës i bënin me dije se ajo ishte e paligjshme dhe të paarsyeshme. Nga ana tjetër, Teliti ka argumentuar se akti i ekspertimit nuk ka të bëjë me aktet që janë prodhuar nga ana e tyre. “Do të thotë që çdo akt ekspertimi i bërë mbi aktet tona është krejtësisht i paligjshme”, - ka shtuar më tej ish-zv.ministri i Transporteve. Ndërsa Toma ka shtuar se hetimet janë shtyrje, shtyrje dhe vetëm shtyrje e pakuptimtë dhe e kuptimtë vetëm sepse është e qëllimshme nga ana e prokurorisë. “Kjo mungesë e prokurorit sot vërteton që ne kemi të drejtë që prokuroria po e shtyn në mënyrë të qëllimshme hetimin”, - ka përfunduar fjalën e tij Toma.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›