Policia e Tiranës rrëzon vetë puçin e shtetit
Policia e Tiranës ka dorëzuar në prokurori relacionin për organizimin e demonstratës së 21 janarit. Siç njofton e përditshmja Shqip, policia nuk ka gjetur prova për të faktuar se ajo ishte një kryengritje apo një puç.
Pas hetimeve disamujore, policia nuk ka evidentuar asnjë person që ka organizuar mbledhjen e popullit në shesh, madje nuk ka përcaktuar nëse këtyre personave iu është dhënë urdhër për ushtrim dhune. Nga verifikimet e bëra nuk ka rezultuar të ketë pasur thirrje për kryengritje apo puç shteti.
Burimet nga prokuroria kanë saktësuar se në relacion ka vetëm disa dyshime të vogla për organizimin e protestës. Po ashtu nuk ka asnjë dyshim se deputetët apo drejtuesit e partive opozitare kanë bërë thirrje për dhunimin e godinës së kryeministrisë. Policia ka hetuar edhe të gjitha filmimet e saj dhe nuk ka bërë asnjë lidhje, që të arrijë në përfundimin se ajo ishte një revoltë e organizuar.