E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia i hodhi spraj në sy gjatë përplasjes verbale, deputeti Gjin Gjoni: Do kallëzoj në prokurori komandatin e “Shqiponjave”! Kësaj bande kriminale duhet t’i jepet një mësim

Deputeti Gjin Gjoni ka reaguar pas incidentit të ndodhur sot gjatë protestës në Tiranë, ku iu hodh spraj direkt në sy, gjatë një përplasjeje verbale me policinë. Gjoni ka bërë të ditur se, pavarësisht përmirësimit të gjendjes, vijon të marrë mjekim, ndërsa ka paralajmëruar se nesër do të depozitojë një kallëzim penal ndaj komandatit të forcave “Shqiponja”, Viktor Tolle.

gjin gjoni

Ai i ka bërë thirrje ministrit Demo të ulë tempin e Policisë dhe ka përmendur edhe drejtuesin e Policisë së Shtetit, Skënder Hitën, duke pretenduar se prej tij është dhënë urdhër për të qëlluar me plumba gome.

Në deklaratën e tij, Gjoni ka kritikuar mënyrën e veprimit të Policisë së Shtetit, duke e akuzuar se po vepron përmes urdhrave verbalë e jashtë parimeve të shtetit ligjor dhe shton se “kësaj bande kriminale duhet t’i jepet një mësim”.

“Gjendja tani është më mirë, pavarësisht kësaj po vazhdoj të marr mjekim për shkak të një vepre kriminale nga komandanti i Shqiponjave. Ai është një bandit i veshur me uniformë, që jo vetëm më ka dhunuar mua, por edhe qytetarë të tjerë. Kjo është një bandë kriminale dhe kësaj bande kriminale duhet t’i jepet një mësim shumë të mirë. Duke filluar nesër, do të bëj një kallëzim penal ndaj këtij personi. I bëj thirrje ministrit Demo të ule tempin e Policisë dhe Skënder Hitës, nga i cili është dhënë urdhër për të qëlluar me plumba gome.

Sjellja e Policisë së Shtetit nuk po vepron sipas ligjit organik që ka, po merr urdhra verbalë dhe njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me shtetin ligjor dhe sigurinë e qytetarëve. Janë kthyer në një bandë të armatosur që terrorizon qytetarët. E keni parë dhe në Francë e Belgjikë, nuk shkon policia për të gjurmuar qytetarët, policia bëhet barrierë para institucioneve. Të qëllosh me plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj fëmijëve është kriminale. Hedhja e sprejit pa asnjë lloj konflikti direkt në sy, si në rastin tim, kjo është një ngjarje dhe ngjarje të kësaj natyre duhen ndëshkuar me forcën e ligjit”,- tha Gjoni ndër të tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›