E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kap droge e patatina false

Policia e Tiranës ka sekuestruar 180 kilogramë kanabis sativa të ndarë në pako një kilogramëshe në shtëpinë e Astrit Kuçit, në fshatin Marikaj.

39 vjeçari i dënuar më parë edhe në Gjermani për prodhim e shpërndarje lëndësh narkotike, është ndaluar nga policia në autostradë pas një ndjekjeje me metodat speciale, ku fillimisht i është gjetur me vete gjatë kontrollit 0,7 gramë drogë e llojit heroinë e më pas nga kontrolli në banesën e tij është zbuluar edhe ngarkesa e bërë gati për t’u hedhur në tregun jashtë vendit.

Drejtori i policisë së Tiranës, Saimir Muçaj tha për mediat se operacioni i koduar “Kufiri ndarës” po vazhdon ende.

“Strukturat e hetimit të krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, përgjatë orëve të vona të mbrëmshme, finalizuan operacionin policor të koduar “Kufiri ndarës”, nga ku u realizua sekuestrimi i një sasie prej 180 kg kanabis sativa dhe u arrestua një shtetas, ndërkohë që ky operacion vazhdon mbi kapjen e tjerë shtetasve të implikuar në këtë rrjet e cila ishte e destinuar për trafik dhe shpërndarjeje në vendet fqinje”, është shprehur Muçaj.

Ndërkohë e njëjta polici, me strukturat e krimit ekonomiko-financiar kanë zbuluar një punishte e cila prodhonte në të zezë patatina me mbishkrimin “Sneck”.

Menjëherë pas këtij operacioni policia arrestoi kosovarin Bekim Alia, 41 vjeç, ndërkohë që vlera e pajisjeve të sekuestruara kap shifrën e 30 mijë eurove.

“Arrestimi i tij, u krye sepse është kapur në flagrancë duke transportuar mallra ‘patatina’ me mbishkrimin ‘Sneck’, pa lejen teknologjike të Ministrisë së Bujqësisë si dhe pa regjistruar në organet tatimore automjetin tip ‘furgon’. Nga veprimet hetimore dhe proçeduriale të kryera, u konkludua se këto mallra i prodhonte në një punishte të vendosur në ambjentet e një bodrumi, në një pallat 10-katësh në rrugën ‘Demir Progri’, në Tiranë. Gjithashtu po në këtë punishte në Vorë, janë gjetur një sasi e konsiderueshme etiketa, me mbishkrime të cilat dyshohet se janë të gjitha të falsifikuara. Të gjitha sendet e gjetura janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale”, tha Muçaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›