E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dritat konsumatori i pambrojtur

Enti Rregullator i Energjisë ka bërë publike draft-kontratën e energjisë elektrike, e cila do të shërbejë si dokumenti ligjor që rregullon marrëdhëniet dhe konfliktet mes konsumatorëve dhe kompanisë së shpërndarjes ÇEZ.

Në një nga pikat më të nxehta, atë të ankesave, kontrata thotë se ÇEZ do të trajtojë çdo ankesë të konsumatorëve në përputhje me rregullat e saj të brendshme.

“Konsumatori mund të marrë një përgjigje nga ÇEZ vetëm mbi bazën e rregullave të ÇEZ-it, jo mbi bazën e një kodi të matjes i cili sot është i miratuar nga ERE. Po të marrim një konsumator që ankohet për cilësinë e furnizmit, ose për ndërprerjet në orare të ndryshme, ÇEZ-i mund t’i përgjigjet me rregullat e veta dhe aspak me Kodin e Matjes”, është shprehur eksperti Gjergj Simaku.

Draft-kontrata thotë se ÇEZ është i detyruar të shqyrtojë çdo ankesë të konsumatorëve brenda një muaj nga regjistrimi i saj dhe më pas kompania informon klientin mbi arsyet e mospranimit të pretendimeve dhe të drejtat e tij.

“Pra ÇEZ-i që është palë duhet të gjykojë mbi ankesat. Ndërkohë që gjykatësi në këtë mes nuk është ÇEZ-i, nuk është konsumatori, por është ERE. Ai i vendos rregullat. Në këtë rast ÇEZ-i bën arbitrin dhe ky është absurdi”, thotë Simaku.

Por sa mundësi kanë konsumatorët që kur çështja të shkojë në gjykatë, të mund të vërtetojnë se ata janë dëmtuar nga cilësia e dobët e furnizimit me energji?

“Përshembull rritjet e shpeshta të tensionit, ose uljet e shpeshta të tensionit apo djegiet e pajisjeve, nuk i vërteton kush dhe kjo për mendimin tim është një boshllëk shumë i madh në kontratën midis konsumatorit dhe ÇEZ-it. Pra vetë konsumatori ose ERE nuk ka këtë përgatitje që specialistët e vetë të vërtetojnë një ngjarje si kjo”, thotë Simaku.

Pak ditë më parë Enti publikoi draft-kontratën e energjisë, e cila pritet që pas një faze diskutimesh me grupet e interesit të hyjë në fuqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›