E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kap dy ngarkesa të drogës së prodhuar në Lazarat

Policia e Gjirokastrës ka mundur që të japë dy goditje ndaj trafikimit të lëndëve narkotike në rajonin jugor, duke bllokuar në dy aksione të ndryshme 194 kilogramë lëndë narkotike të llojit marijuanë dhe duke ndaluar në flagrancë tre shtetas të përfshirë në këtë trafik. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër bënë të ditur se në të dy rastet lënda narkotike është bllokuar në afërsi të vijës së gjelbër të kufirit shtetëror duke dëshmuar se destinacioni i saj ishte shteti fqinj, Greqia.

Drogë me mushka

Sipas burime zyrtare të policisë lokale, operacioni i parë antitrafik është zhvilluar të shtunën më tre janar, rreth orës 22:00. Rreth 5-6 km larg kufirit me Greqinë, përballë fshatit Pepel të Komunës Dropulli i Sipërm, në vendin e quajtur diga e liqenit Pepel, njësiti i shërbimit të Policisë Kufitare të Kakavijës ka konstatuar se dy persona po transportonin me një kafshë ngarkese disa çanta shpine në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek. Sipas zëdhënësit të policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, "në momentin që njësiti i shërbimit të policisë kufitare është afruar dhe u ka bërë thirrje të ndalojnë, këta shtetas kanë lënë kafshën (mushkën me gjithë ngarkesë) dhe janë larguar me vrap në drejtim të kodrave, duke përfituar nga errësira dhe moti shumë i keq me shi dhe stuhi. Menjëherë në ndjekje të tyre janë angazhuar rreth 40 forca policie, të cilat kanë bërë rrethimin e zonës".

Ndërkaq, në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe specialistët e sektorit të luftës kundër krimit të organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të cilët kanë konstatuar se në kafshën//////////////// mushkë ishin të ngarkuara 4 çanta shpine me ngjyrë të zezë, brenda të cilave kishte 24 pako në formë cilindrike të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë me peshë totale prej 96 kilogramësh. Operacionet e policisë për indentifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij trafiku kanë vazhduar edhe dje, por pa asnjë rezultat.

Linja Lazarat-Korçë

Operacioni i dytë kundër trafikut të lëndëve narkotike është regjistruar dje, më 4 janar, në orët e para të ditës kur në bazë të informacioneve të grumbulluara në rrugë operative policia është vënë në ndjekje të disa personave që do të transportonin lëndë narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të Korçës. Forcat e policisë kanë nisur të zhvillojnë një operacion të koduar "Starkingu", për goditjen e kësaj linje trafiku që nis nga Lazarati ku prodhohet marijuana dhe kalon në Korçë, ku organizohen trafikimi për në Greqi. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se gjatë operacionit "Starkingu", përballë Kafe - Bora në pjesën e autostradës Tepelenë-Gjirokastër, janë arrestuar në flagrancë tre shtetas dhe janë sekuestruar 98 kilogramë lëndë narkotike marijuanë. Sipas policisë, shtetasit Erion Latka, 25 vjeç, Elton Hodollari, 37 vjeç dhe Gerti Miho, 30 vjeç, që të tre lindur dhe banues në qytetin e Korçës, janë arrestuar teksa po udhëtonin me automjetin e tyre tip furgon, me targa KO7149A. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, shtuan se në bagazhin e furgonit ishte salduar me fletë llamarine një dhomë e fshehtë, ku ishin vendosur në 98 pako njëkilogramëshe me lëndë narkotike.

Policia tha se shtetasi Elton Hodollari është kapur duke drejtuar mjetin tip furgon, që rezulton të jetë pronë e shtetasit Erion Latka. Ky i fundit, së bashku me të arrestuarin tjetër, Gerti Miho, shoqëronin në distancë furgonin, me një automjet tip "BMW" me targa KO 68 28. Trafikantët e këtij rrjeti narkotrafiku janë munduar të shfrytëzojnë atmosferën e lëvizjes së madhe të emigrantëve që kthehen në Greqi dhe motin shumë të keq me borë, shi e mjegull për të realizuar këtë trafik droge.

Këto janë dy rastet e para gjatë këtij viti, kur shërbimet e Policisë Kufitare të Gjirokastrës bllokojnë një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›