E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia, kontroll në shtëpinë e Vujinoviç

Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë e Igor Vujinoviç, shef i organizatës nacionaliste serbe “Otagjbina”, në veri të Mitrovicës.

Gjatë bastisjes janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme dokumentesh nacionaliste dhe materiali propagandues, një vulë, kompjuter dhe telefon celular.

Sipas zëdhënësit të policisë në Mitrovicë, Besim Hoti policia e Kosovës ka realizuar bastisjen, nën dyshimin e përfshirjes së Vujinoviç në shpërndarje të materialit propagandues kundër institucioneve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare.

Ndërkohë nga veriu i Mitrovicës vjen dhe njoftimi për një tjetër incident.

Dy zyrtarë të organizatave ndërkombëtare në Kosovë, EULEX dhe OSBE denoncuan një sulm fizik.

Ata thanë se u sulmuan nga një grup prej 5 a 6 personash të mërkurën rreth orës 21:15, në rrugën “Vllade Çetkoviq”, në veri të Mitrovicës.

Dy zyrtarët i thanë policisë se ishin duke ecur më këmbë kur dikush iu afrua dhe duke folur në gjuhën serb i kërkoi të identifikoheshin.

Pas refuzimit të tyre pesë persona të tjerë i erdhën në ndihmë të dyshuarit të parë dhe i sulmuan zyrtarët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›