Sigurohet ngrohja për QKUK-në
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) dhe “Termokos”, kanë nënshkruar marrëveshjen për furnizim me ngrohje nga nënstacioni për ngrohje, i cili ndodhet në afërsi të QKUK-së.
Në njoftim e QKUK-së bëhet e ditur se furnizimin me derivate të naftës do ta bëjë QKUK-ja, ndersa kjo marrëveshje do të jetë e vlefshme, deri në momentin e stabilizimit të furnizimit me ngrohje nga “Termokos”.
Lulzim Emini, drejtori ekzekutiv tha se duke pasur parasysh faktin se QKUK-ja, po ballafaqohet me mungesë të ngrohjes dhe duke marrë për bazë faktin se “Termokos” po ballafaqohet me krizë financiare, atëherë është menduar për zgjidhje alternative.
Ndërkaq, drejtoresha e “Termokosit”, Fëllënza Pula theksoi se janë duke u ballafaquar me probleme financiare dhe e kanë pasur të pamundur të bëjnë furnizimin pa ndërprerje me ngrohje.
“Falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në, të cilët kanë vendosur që të bëjnë zgjidhje për QKUK dhe furnizimi të jetë pa ndërprerje”, pohoi Pula.