Policia masa për protestën: Thirrje opozitës të mos bllokojë lëvizjen e mjeteve

Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje Partisë Demokratike në lidhje me protestën e opozitës, e cila është parashikuar të zhvillohet nga ora 17:00 deri në 20:00 të mbrëmjes.
Blutë e Tiranës kanë garantuar se protesta është një e drejtë legjitime e të gjithë qytetarëve, por kanë kërkuar që të mos bllokohen akset rrugore. Sipas Policisë, bllokimi i rrugëve përbën vepër penale.
PD ka lajmëruar se do të bllokojë gjashtë akse të rëndësishme rrugore në kryeqytet. Pavarësisht thirrjes së Policisë, opozita nuk është tërhequr, ndërkohë që blutë kanë marrë masa për lehtësimin e trafikut në rrugët alternative.
Njoftimi i plotë:
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.
Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve. /vizionplus.tv