E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia me plane operative kundër drogës

Nga Express më 01 maj 2011 në ora 15:04

Zyrtarë të Policisë së Kosovës vlerësojnë të suksesshme fillimin e kampanjës për vetëdijesimin e qytetarëve kundër përdorimit të narkotikëve. Ata thonë se në kuadër të aksioneve të ndryshme policore kundër drogës policia në katër muajt e parë të këtij viti ka konfiskuar mbi 60 kilogramë të substancave të ndryshme narkotike dhe ka arrestuar 129 persona.

Me moton “Mos i mbyll sytë”, Policia e Kosovës në bashkëpunim me komponentin policor të EULEX-it kanë filluar ditë më parë një kampanjë me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve kundër përdorimit të drogës.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it kanë thënë se luftimi i drogës është prioritet, ndërsa kanë kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për një luftë më efikase ndaj kësaj dukurie negative, në mënyrë që të bëhet një ndryshim në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.

Zyrtarja për informim pranë Policisë së Kosovës, Sabrie Kamberi, ka thënë për Kosovapress se qytetarët duhet të jenë më tepër bashkëpunues me organet policore në luftimin e përdorimit të narkotikëve dhe se kjo njëherësh është edhe qëllimi i fushatës që ka nisur kohë më parë.

“Para disa ditësh ka filluar fushata e përbashkët me komponentin policor të EULEX-it me moton “Mos i mbyll sytë” dhe e cila më shumë ka të bëjë me vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket substancave narkotike, luftimin e tyre më konkretisht dhe parandalimin. Në këtë fushatë dëshirojmë ta vetëdijesojmë popullatën se nëse vërejnë diçka të tillë sa i përket substancave narkotike ta lajmërojnë në stacionin më të afërt të policisë”, ka thënë Kamberi.

Për më tepër, Kamberi ka theksuar se në kuadër të fushatës, e cila do të zgjatë dy muaj, do të shpërndahen fletushka, do të ketë spote në radio dhe televizion, postera, dhe fanella të cilat do të shpërndahen në mënyrë të organizuar nëpër shkolla dhe do të jenë të dedikuara për të gjitha moshat.

Mirëpo, gjatë kësaj fushate sipas Kamberit nuk do të mungojnë as planet operative të sektorit policor në luftën kundër narkotikëve.

“Gjithashtu vlen të theksohet se brenda kësaj periudhe të kësaj fushate do të ketë edhe plane operative nga sektori i narkotikëve, të cilët do të bëjnë plane të caktuara operative për luftimin e kësaj dukurie”, ka thënë Kamberi.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës nga 1 janari e deri më 21 prill të këtij viti janë regjistruar 82 raste të përdorimit të drogës, me ç’rast policia ka arrestuar gjithsej 129 persona, prej tyre 123 shqiptarë, dy serbë dhe katër persona nga nacionalitetet e tjera. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë ndaluar për posedim droge janë ndaluar 61 persona.

Kamberi ka thënë se policia ka zhvilluar 40 operacione në gjithë territorin e Kosovës për zbulimin dhe konfiskimin e drogës, prej tyre 12 në muajin janar, 8 në muajin shkurt, 13 në mars dhe 7 operacione muajin e kaluar, përkatësisht deri më datën 21 prill.

Në të gjitha këto operacione, sipas të dhënave policore, janë zbuluar dhe konfiskuar mbi 60 kilogramë të substancave të ndryshme narkotike, prej tyre rreth 17 kilogramë heroin, mbi 39 kilogramë marihuanë, 2.2 kilogramë kokainë, 691 gramë ekstazi dhe mbi 3 kilogramë të narkotikëve tjerë.

Fushata e përbashkët sensibilizuese e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it kundër përdorimit të drogës do të transmetohet në media, në shkolla dhe përmes autobusëve, të cilët do të lëvizin nëpër qytet. Kjo fushatë është ndihmuar financiarisht edhe nga Qeveria e Holandës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›