E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend të protestës zgjedhin festën

Nga Express më 01 maj 2011 në ora 16:11

Ndonëse sipas statistikave shkalla e papunësisë në Kosovë është mbi 45 për qind, qytetarët e vendit festën e 1 Majit më tepër preferojnë ta kalojnë duke pushuar në parkun e Gërmisë, se sa të protestojnë. Ata thonë se për protesta nevojitet organizim sindikal, ndërsa drejtues të sindikatave për dallim nga viti i kaluar, kësaj radhe nuk kanë paraparë asnjë organizim.

Edhe pse 1 Maji, Dita ndërkombëtare e Punës në botë shënohet me protesta të ndryshme, kjo ditë në vendin kalon kryesisht e qetë dhe duke u “festuar”. Sikur herave të kaluara edhe sivjet ishte i madh numri i atyre që ia kishte mësyrë këtë të diel parkut Gërmia me rastin e 1 Majit. Qytetarët thonë se në këtë ditë duhet të ketë protesta, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe shkallën e lartë të papunësisë, por për mos organizimin e protestave fajin ua lënë sindikatave.

Muhamet Gashi, njëri nga qytetarët që kishte dalë për të festuar në parkun Gërmia ka thënë për Kosovapress se për 1 Maj duhet të festohet, por duhet të gjenden edhe forma se si të protestohet kur dihet se në Kosovë nuk respektohen sa duhet të drejtat e punëtorëve.

“Nuk protestohet, sepse nuk ka organizim për të protestuar të gjithë punëtorët, duke ditur se papunësia është e madhe. Më shumë ka qytetarë të pa punë se sa të atillë që punojnë, mirëpo për të festuar kjo është dëshirë e të rinjve, mirëpo edhe ata nuk janë në disponim, sepse ka edhe prej atyre që nuk e kanë asnjë euro në xhep”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, Naser Shillova thotë se sikur në gjithë botën edhe në Kosovë 1 Maji duhet të shënohet me protesta. Mungesa e protestave sipas tij është rezultat i mos organizimit sindikal, por edhe pasivitetit të qytetarëve. Ai thotë se sindikatat duhet të organizojnë protesta kur dihet se edhe në vendet më të zhvilluara ekonomikisht protestohet në këtë ditë.

“Po, në Kosovë duhet të protestohet, nuk duhet të festohet, megjithëse papunësia është e madhe. Kjo është festë e punëtorëve, por me tepër këtu e festojnë rinia, sepse prishtinasit e shfrytëzojnë Gërminë dhe dalin të relaksohen dhe të shëtisin”, ka thënë ai.

Edhe qytetari Zejnullah Birla, thotë se në këtë ditë është dashur të protestohet.

“Në bazë të kushteve që janë në Kosovë, përkundrazi duhet të protestohet, sepse kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asgjë. E tërë kjo rini këtu siç po shihet, me siguri 70 për qind janë të pa punë”, shprehet ai.

Përveç qytetarëve që kishin dalë për të festuar në Parkun e Gërmisë, kishte edhe të atillë që kishin dalë për të fituar ndonjë cent, duke ekspozuar gjësende të ndryshme, madje edhe duke servuar ushqim për vizitorët. Por, këto gjëra iu mbetën pa i shitur, pasi që për këtë “u përkujdes” Inspektorati komunal i Prishtinës, i shoqëruar nga Policia e Kosovës, i cili kishte organizuar një aksion duke i larguar shitësit ambulant.

Ndryshe, krerët e BSPK-së kanë thënë se për dallim nga viti i kaluar kur ishte protestuar në qendër të Prishtinës, të dielën më 1 Maj nuk do të ketë asnjë organizim apo protestë. Sipas tyre, kush dëshiron të protestojë është i lirë ta bëjë këtë, por pa përkrahjen e BSPK-së.

Vitin e kaluar në një protestë të organizuar në Prishtinë numri i protestuesve ishte dukshëm më i vogël se sa i atyre që kishin zgjedhur për të kaluar këtë ditë në parkun e Gërmisë.

Për dallim nga Kosova, në ditë e sotme janë zhvilluar protesta në vende të ndryshme të botës, si në Greqi, Turqi etj.

Dita e punës është festë ndërkombëtare, e cila i kushtohet luftës për ruajtjen dhe përparimin e të drejtave të punëtorëve. Festohet në ditën e parë të majit në shenjë respekti ndaj viktimave të protestës, që u mbajt prej 1 deri 4 maj të vitit 1886 në Çikago.

Qëllimi i protestës i rreth 40.000 punëtorëve ishte vendosja e orarit të punës prej tetë orëve në ditë. Policia ka përdorur forcë dhe ka pasur viktima. Organizatorët e protestës janë dërguar në gjyq, ndërsa katër prej tyre janë ekzekutuar.

Në kujtim të viktimave nga protesta e Çikagos, Internacionalja e dytë në kongresin e saj themelues në vitin 1889 në Paris ka miratuar deklaratë, me të cilën punëtorët ftohen në demonstrata masive më 1 maj që ta përmirësojnë pozitën e tyre. Prej atëherë festa është manifestim i solidaritetit të klasës punëtore në botë.

Tubime në gjithë botën me rastin e 1 Majit

Qindra mijëra njerëz në gjithë botën kanë dalë të dielën në rrugë për të marrë pjesë në marshet tradicionale me rastin e 1 Majit, me kërkesa për kushte më të mira pune dhe paga më të mira.

Rreth 200.000 punëtorët janë mbledhur në “Taksim” në Stamboll, në tubimin më të madh në këtë shesh që nga viti 1977 kur 34 persona patën humbur jetën.

Në Moskë rreth pesë mijë demonstrues, kryesisht komunistë dhe të grupeve tjera majtiste, marshuan rrugëve të qytetit, duke mbajtur flamuj të kuq për të shënuar këtë festë tradicionale.

Edhe në Spanjë, ku papunësia është 21,3 për qind, sindikatat organizuan më shumë se 80 tubime. Manifestimi qendror u mbajt në Valencia, në lindje të vendit, ku protestuan kritikuan Qeverinë për shkak të mos hapjes së vendeve të reja të punës.

Në Greqi mijëra demonstrues janë mbledhur në Athinë për të protestuar kundër masave të reja të kursimit, të cilat i ka paralajmëruar shteti me qëllim të shmangies nga bankrotimi.

Në Portugali, ku qeveria po shqyrton planin për ndihmën financiare me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, sindikatat planifikojnë demonstrata të mëdha, të cilat i konsiderojnë të rëndësishme në prag të publikimit të masave qeveritare për kursim.

Mijëra vetë marshuan në Francë për të shënuar Ditën ndërkombëtare të Punës. Pjesëmarrja në këto tubime ishte më e vogël, me përjashtim të tubimit të së djathtës ekstreme në Paris, e cila mblodhi më shumë protestues se sa në vitin 2010.

Në Berlin mijëra demonstrues marshuan qetë rrugëve, ndërsa në Poloni federata më e madhe sindikale OPZZ këtë vit hoqi dorë nga marshet e planifikuara për shkak të ceremonisë së Lumturimit të Papa Gjon Palit të Dytë.

Protesta janë mbajtur në gjithë Azinë, në Hong Kong, Korenë Jugore, Tajvan, Filipine dhe Japoni. Një tubim i madh u mbajt në Seul, ku sipas vlerësimeve të policisë ishin të pranishëm 50.000 njerëz që kërkuan të drejta më të mëdha për punëtorët.

Në Kinë mijëra kinezë kanë dalë në sheshin “Tiananmen”, për të përcjellë ceremoninë ditore të ngritjes së flamujve. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›