E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia ndalon Emiliono Shullazin

Shërbimet e Komisariatit numër 2 të policisë së Tiranës kanë shoqëruar në orët e mbrëmjes Emiljano Shullazin dhe mikun e tij Gilmando Dani, pasi në automjetin e tyre është gjetur një armë e tipit pistoletë. Burime policore thanë për abc news se në automjet janë gjetur dhe maska, çfarë ka shtuar dyshimet duke kryer shoqërimin e menjëhershëm në komisariat të dy personave.

Shullazi është i njohur për policinë për shkak të arrestimeve të shpeshta në dhjetë vitet e fundit. Ai është arrestuar disa herë për armëmbajtje, organizim të një atentati të mundshëm, trafik ndërkombëtar droge dhe krime të tjera të rënda. Për të gjitha akuzat Shullazi ka shlyer dënimet e drejtësisë ose akuzat janë rrëzuar në gjykatë.

Arrestimet e fundit kanë të bëjnë me dyshimet për kanosje ndaj kandidatit të Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale për Farkën dhe kandidatit të partisë socialiste në të njëjtat zgjedhje për minibashkinë numër 7 në Tiranë. Shullazi dhe Dani, deri në mbrëmje rezultonin të ishin ende të siguruar në ambientet policisë së Tiranës, ndërsa nuk ishte vendosur ende se cili nga të dy do merrte përgjegjësinë për armën e gjetur në automjet, çka do të sillte automatikisht ekzekutimin e urdhrit të arrestit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›