Policia ndalon gazetarët e “Temës” të hyjnë në redaksi
TIRANË- Dhjetëra forca policore ndaluan paraditen e sotme gazetarët e gazetës “Tema” të hyjnë në ambientet e brendshme të redaksisë, pasi objekti ku ndodhet gazeta quhet objekt strategjik. Është quajtur kështu, pasi sipas qeverisë, në këto ambiente do të prodhohen kartat e identitetit dhe për këtë shkak policia duhet të garantojë sigurinë e procesit të saponisur.
Drejtori i gazetës tema Mero Baze dhe stafi i kësaj gazeta kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë dhe e kanë cilësuar atë si një vendim politik dhe një hakmarrje e kryeministrit Berisha ndaj gazetës e cila ka qenë shumë kritike ndaj tij. Protesta e stafit të gazetës “Tema” është mbështetur sot edhe nga dhjetëra gazetarë të tjerë të medias së shkruar dhe vizive të cilët kanë vlerësuar se pas këtij akti është qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha.
Mero Baze, drejtori dhe pronari i kësaj mediaje, është shprehur se redaksia e tij me ndërtesën ku do të prodhohen kartat e identitetit janë në distancë me njëra-tjetrën. Sipas tij, ky është thjesht një justifikim i qeverisë për të marrë këto masa, që ndër të tjera është edhe prishja e një marrëveshjeje mes kompanisë së tij mediatike dhe qeverisë për ta marrë këtë ambient me qira për disa vite.
Në mbështetje të gazetës “Tema” reagoi mbrëmë edhe ambasada amerikanë në Tiranë. Në reagimin e saj, kjo ambasadë theksoi se ka një vendim gjykate, e cila lejon vazhdimin e punës në këtë redaksi.
(s.g/BalkanWeb)