Policia në Moskë arrestoi 23 persona

Policia në Moskë ka arrestuar të mërkurën në mëngjes 23 persona dhe ka shpërbërë një kamp të protestës në qendër të kryeqytetit të Rusisë, i cili ishte ngritur aty para tetë ditëve, pas inaugurimit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
Gjykata lokale në Moskë ka urdhëruar autoritetet që të shpërbëjnë kampin për shkak të zhurmës dhe ankesave tjera të qytetarëve.
Policia njoftoi se protestuesit në pjesën më të madhe nuk kanë rezistuar dhe se disa persona të arrestuar do të lirohen, ndërsa disa të tjerë do të regjistrohen në dosje, e ndoshta edhe do të dënohen.
“Çdo gjë është bërë në përputhje me ligjin”, ka deklaruar zëvendësi i drejtorit të policisë së Moskës, Jurij Zdorenko.
Siç njoftoi agjencia e lajmeve AFP, disa aktivistë menjëherë janë zhvendosur në një shesh tjetër, në pjesën perëndimore të Moskës.
Në kampin protestues në qendër të Moskës në orët e pasdites tuboheshin me mijëra njerëz, por vetëm disa dhjetëra aktivistë kanë qëndruar në kamp gjatë orëve të mbrëmjes.