Policia në alarm, kërcënohet i penduari Coli
BANDA
Uniformat blu kontrollojnë Gjykatën e Krimeve të Rënda me qenë anti-eksploziv përpara seancës, kur pritej dëshmia e radhës
Informacionet mbi lëvizjen e personave të dyshimtë, detyruan policinë dhe gjykatën të rrisin masat e sigurisë
TIRANË- Forcat Speciale të Njësisë së Anti-eksplozivit të Policisë së Shtetit, me urdhër të drejtuesve të lartë të uniformave blu, ushtruan dje kontrolle të imtësishme në ambientet brenda dhe jashtë Gjykatës së Krimeve të Rënda, duke kërkuar nëpërmjet qenve antieksplozive objekte të dyshimta.
Ky kontroll i befasishëm u krye vetëm 30 minuta para se të niste seanca gjyqësore ndaj 15 të pandehurve të "bandës" së Durrësit. Në të ishte parashikuar vazhdimi i dëshmisë së të penduarit të kësaj "bande" Adriatik Coli. Rreth orës 8:15 pranë institucionit të Gjykatës së Krimeve të Rënda mbërritën disa automjete të Policisë së Shtetit, që mbanin me vete edhe një qen për nuhatjen dhe zbulimin e eksplozivëve.
Për rreth 45 minuta, oficerët e policisë bashkë me kafshën nuhatëse, kryen kontrolle të imtësishme jashtë ndërtesës së kësaj gjykatë, në parkingun e saj, korridoret, sallat e gjyqit, tualetet, garazhin e makinave si dhe qelitë që ndodhen në bodrumin e ndërtesës.
Ambientet janë kontrolluar me dyshimin e vendosjes së ndonjë objekti shpërthyes. Arsyeja e këtij kontrolli të imtësishëm dhe të befasishëm nga ana e njësisë së anti-eskplozivit nuk u dha nga autoritetet, por ata u mjaftuan me deklaratën "se kjo është rutina e punës për t'iu krijuar sa më shumë siguri personave të mbrojtur nga drejtësia".
Përfaqësuesit e prokurorisë dhe gjykatës, të pyetur për këtë kontroll nuk pranuan të flasin, duke mjaftuar vetëm me fjalën "që nuk kemi dijeni, kjo është një detyrë e Policisë së Shtetit".
Ndërkaq, burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme konkretisht pranë zyrës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Dëshmitarëve të Drejtësisë, konfirmuan se në adresë të të penduarit kanë ardhur disa kërcënime për jetën me anë të bombës.
"Agjencitë e sigurisë në vend kanë sjellë informacione në Policinë e Shtetit se jeta e të pandehurit, me statusin e të penduarit shtetasi Adriatik Coli, është në rrezik.
Ky rrezik, vjen pasi në adresë të tij janë lëshuar disa kërcënime për vendosjen e bombës nga vendi ku do të kalojë për në ambientet e Gjykatës. Po kështu në ditët që Coli ka për të dëshmuar në gjyq, për rreth institucionit të Gjykatës së Krimeve të Rënda janë vënë re lëvizje të shumta të personave të dyshimtë"-thuhet nga burimet.
Sipas tyre, këto masa të sigurisë janë marrë për të krijuar siguri për të penduarin, që ka pranuar të tregojë vrasjet, trafiqet, dhe një sërë episodesh kriminale të kryer nga 16 pjesëtarët e akuzuar si "banda" e Durrësit për disa vite në qytetin bregdetar.
Që nga dita, kur i akuzuari për tetë vrasje, Adriatik Coli, ka fituar statusin e të penduarit, lëvizjet e tija nga vend strehimet e deri në Gjykatë kanë qenë mjaft të organizuara dhe me grupe të mëdha të forcave të speciale të policisë, duke mos përjashtuar edhe agjentë të ndryshëm civilë.
Avokatët pretendojnë mbërritjen e fakteve të reja për të cilat prokuroria duhet të ribëjë hetime
Dëshmi e të penduarit, shkakton debat në sallë mes palëve
TIRANË- Sharjet, ofendimet, debatet, thyerjet e etikës dhe tensioni mes palëve brenda sallës së gjyqit, e kanë shoqëruar rrëfimin e të penduarit të "bandës" së Durrësit, të pandehurit Adriatik Coli në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të 15 të pandehurve të kësaj dosjeje penale.
Ky fakt bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, institucionit të akuzës dhe avokatëve mbrojtës, të cilët konfirmuan njëzëri se seanca e djeshme gjyqësore është zhvilluar në një tension të lartë mes palëve në këtë proces gjyqësor.
Tension ky, që sipas burimeve, ka ardhur nga dëshmia e të penduarit të "bandës" Adriatik Coli, pasi ky rrëfim ka sjellë debate mes avokatëve, prokurorit dhe vetë të penduarit që për të tretën seancë gjyqësore vazhdon të rrëfejë bëmat e "bandës" ku edhe vetë bënte pjesë.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, kryesuesi i gjykatës Gurali Brahimllari, për mos respektim të etikës së palëve dhe prishjes së qetësisë dhe vazhdimin e seancës gjyqësore ka larguar nga salla e gjyqit prokurorin Anton Martini, të pandehurin Kristian Begu dhe Lul Berisha i cili nuk ka preferuar që të kthehet më në "kafazin" e hekurt të sallës së gjyqit.
"Arsyet e përjashtimit nga salla të prokurorit Anton Martini për disa minuta ka ardhur pasi pa leje të togave të zeza kërkonte dhe replikonte me avokatët mbrojtës, në kohën që gjykata nuk i jepte fjalën për të folur në lidhje me pretendimet e avokatëve.
Ata këmbëngulën se prokurori i çështjes ka lejuar vazhdimin e publikimit të dëshmisë së Colit nëpër media, pas pezullimit të dosjes hetimore nga prokuroria"-thuhet nga gjykata dhe mbrojtja.
Pas disa minutash, prokurori Martini është kthyer në sallën e gjyqit, duke vazhduar me pyetjen e të penduarit, që gjatë dëshmisë së tij ka publikuar emra të ndryshëm të biznesmenëve në qytetin e Durrësit dhe Tiranës si të implikuar në role të ndryshme me "bandën" e Durrësit. Publikimi i këtyre emrave nga goja e të penduarit ka sjellë tension në sallën e gjyqit, ku avokatët i kanë kërkuar prokurorëve që të tërheqin aktet për hetime të mëtejshme, për shkak se po implikohen persona të ndryshëm.
ëtë pretendim.................................. është rrëzuar nga prokuroria dhe më pas nga gjykata, e cila ka vazhduar me pyetjen e të penduarit Coli, i cili gjatë dëshmisë së tij mori disa herë sharje dhe ofendime në drejtim të tij.
Këto ofendime dhe sharje e detyruan gjykatën të nxjerrin nga salla e gjyqit të pandehurin Kristian Begu dhe Lul Berishën për prishje të qetësisë në sallë. Gjithashtu, kryesuesi i gjykatës i tërhoqi vëmendjen disa herë avokatëve Petraq Semani e Detar Hysi për prishje të qetësisë në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, vetë Coli, pas pesë orëve dëshmi, kërkoi nga gjykata të mos vazhdojë më pasi njëri nga avokatët e pranishëm në sallën e gjyqit e kishte sharë, pretendim ky i rrëzuar më pas nga avokatët.