E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet në lokal 27-vjeçari, dyshohet hakmarrja

SHKODËR/ Olsi Curri është qëlluar nga një automjet që ka kaluar pranë lokalit ku po qëndronte me persona të tjerë


SHKODËR - Olsi Curri, 27 vjeç, ka mbetur i vrarë me armë zjarri në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur në orën 19:45 në rrugën "Lin Delija" në qytetin e Shkodrës, afër kryqëzimit të spitaleve dhe monumentit të Prekë Calit. Mbeten ende për t'u zbuluar shkaqet e ekzekutimit të të riut, i cili për policinë ishte i panjohur.


Burime zyrtare të bluve bëjnë të ditur se viktima Olsi Curri ka qenë në një lokal së bashku me persona të tjerë, në kohën që një automjet ka kaluar pranë lokalit dhe është ndalur.


Më pas, sipas dëshmive të para të marra nga oficerët e policisë gjyqësore, një person ka qëlluar nga dera e tij. Mësohet se viktima ka dalë jashtë lokalit, ku dhe është gjetur në trotuar i vdekur për shkak të plumbave të marrë.


Gjithashtu një grua 31 vjeçe, L.Pali, është plagosur aksidentalisht në krah. Sipas bluve, gruaja ka qenë në një dyqan ushqimor ngjitur me lokalin në momentin që ka ndodhur ngjarja.


Burime nga policia në orët e vona të mbrëmjes u shprehën se ende nuk kishin një pasqyrë të qartë të ngjarjes dhe se prisnin ta zbardhnin atë pas deklaratave të dëshmitarëve okularë.

Nuk dihet akoma nëse viktima ka qenë objekt i sulmit me armë, por në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja, në një kohë që vetëm një plumb e ka kapur viktimën duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes, si dhe ka bllokuar lokalin ku kanë qenë rreth 20 vetë, të cilët nuk janë lejuar të lëvizin pa u marrë dëshmitë dhe bërë kontrolli i tyre.


Që nga qershori, në qarkun e Shkodrës nuk ka pasur vrasje dhe kjo është e gjashta gjatë këtij viti. Sipas policisë, po hetohet në disa pista siç janë ajo e ndonjë konflikti të mundshëm që ka pasur më përpara viktima, grindje e çastit apo dhe hakmarrje. Autori është larguar me shpejtësi i ndihmuar nga errësira dhe nga rrugicat e shumta të kësaj zone që japin mundësi hyrjeje e daljeje në rrugë të tjera të qytetit.


Pak para mesnatës, nga ana e bluve të Shkodrës u deklarua se 27-vjeçari ishte djalë i vetëm, i pamartuar dhe një person pa precedentë penalë, por edhe i panjohur për policinë për probleme. Ndërkohë nga deklaratat e marra u arrit të konfirmohej se në automjetin tip "Benz", në të cilin ka qenë autori i vrasjes, ndodheshin gjithsej dy persona, të cilët menjëherë më pas janë larguar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›