Prifti i kishës së Shna Ndout, nën akuzë për fyerje
GJYQI/ Mikel Pëllumbaj është denoncuar në gjykatë nga personi i dënuar për dhunimin e tij 8 muaj më parë
KURBIN - Përfundon në gjykatë si i akuzuar për "fyerje publike" prifti i kishës së Shën Ndout në Laç. Mikel Pëllumbaj është paraqitur mëngjesin e së enjtes në Gjykatën e Kurbinit pas denoncimit të kryer ndaj tij nga dy vëllezërit Astrit dhe Ylli Vlashi.
Ky i fundit u dënua në korrik të këtij viti me dy muaj burg për dhunën e ushtruar ndaj priftit Pëllumbaj në muajin shkurt.
Por pas daljes nga burgu, bashkë me të vëllanë kanë denoncuar se kreu i kishës i ka fyer publikisht teksa qëndronin në lokalin e tyre pranë institucionit fetar. Mësohet se dy vëllezërit mbroheshin pikërisht nga prokurori i cili kohë më parë kërkoi dënimin e tyre.
Procesi
Ditën e enjte filloi gjyqi i shkallës së parë në rrethin e Kurbinit, me të akuzuar Padër Mikel Pëllumbajn. Ai akuzohet për "fyerje publike", denoncim i bërë nga vëllezërit Astrit Vlashi dhe Ylli Vlashi.
Ata kanë pretenduar se më datën 24 shkurt të këtij viti, teksa qëndronin në lokalin e tyre, i ngritur pranë kishës, kanë dëgjuar nga altoparlantet priftin i cili deklaronte: "Janë dy vëllezër Astrit dhe Ylli Vlashi, të cilët kanë zaptuar tokën e kishës dhe nuk lejojnë që unë të ndërtoj parking dhe hotel. Këta persona janë të pafe, mos dërgoni gratë dhe vajzat tuaja në këtë lokal, pasi ata jua ngacmojnë etj."
Dy vëllezërit shprehen se ata i kishin kërkuar priftit që të mos i ofendonte publikisht, duke cilësuar në denoncim se ata dhe fisi i tyre i kanë falur kishës disa metra katrorë tokë. Gjatë seancës, trupi gjykues i ka kërkuar palëve për t'u pajtuar, por një gjë e tillë s'është pranuar nga denoncuesit.
Deklarata
Ndërkohë, pas daljes nga salla e gjyqit, prifti i akuzuar Pëllumbaj është shprehur se "prokurori, i cili ka kërkuar dënimin me dy muaj burg të Astrit Vlashit, i cili është hequr nga presidenti Bamir Topi, sot ishte avokat i Astrit dhe Ylli Vlashit. Kjo tregon qartë konfliktin e interesit.
Por unë, - u shpreh prifti, - nuk frikësohem, pasi në kishë ditën që unë dhe institucioni që përfaqësoj është dhunur nga vëllezërit Vlashi, kanë qenë të pranishëm edhe besimtarë të tjerë, të cilët i ftoj publikisht të vijnë e të dëshmojnë në gjykatë fjalët që kam thënë. Jo unë, por asnjë klerik në Shqipëri nuk mund të fyejë askënd, për më tepër në kishë", përfundoi prifti Mikel Pëllumbaj.
Konflikti
Përplasja mes krerëve të kishës dhe vëllezërve Vlashi ka nisur kohë më parë. Zanafillë ka qenë ndërtimi i një lokali në territorin e kishës së Shëna Ndout në Laç ku përfaqësuesit e kishës pretendojnë se disponojnë certifikatën e pronësisë, por që pa të drejtë një pjesë e territorit i është dhënë vëllezërve Vlashi, nipër të kreut të bashkisë së Laçit. Këta të fundit në të kanë ndërtuar një lokal.
Prifti është ankuar se në shumicën e rasteve ata ngrinin zërin e muzikës ndërkohë që në kishë bëhej meshë dhe se jo rrallë punonjësit e kishës ishin kërcënuar e rrahur. Nga ana tjetër, gjykata e Laçit u ka dhënë të drejtë dy vëllezërve për pronësinë.