Policia nuk “gjen” Taçin, gazetarët: 10 mijë euro për atë që jep informacionNga TemaShteti dhe qeveria shqiptare vijoi dje të japë një shfaqje të shëmtuar “të pamundësisë” së arrestimit të biznesmenit të Familjes Berisha, Rezart Taçi. Ajo “arriti”
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Policia nuk “gjen” Taçin, gazetarët: 10 mijë euro për atë që jep informacionNga TemaShteti dhe qeveria shqiptare vijoi dje të japë një shfaqje të shëmtuar “të pamundësisë” së arrestimit të biznesmenit të Familjes Berisha, Rezart Taçi.
Ajo “arriti” të arrestojë dy nga truprojat e Taçit, ndërsa e shpalli në kërkim atë. Policia bëri të ditur se Baze ka dëshmuar se sulmi ndaj tij është bërë për shkak të detyrës.
“Gjatë orëve të vona të mbrëmshme, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kryen arrestimin në flagrancë të shtetasve: Bledar Bardhyl Lilo, 28 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës i kompanisë “Taçi Oil”; Irgen Arian Selfo, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye, sepse dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Rezart Mustafa Taçi, 38 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Tiranë, me detyrë president i kompanisë “Taçi Oil”, në ambientet e brendshme të një lokali në rrugën “Brigada 8” në Tiranë, kanë goditur me grushte gazetarin Mero Guri Baze, 43 vjeç, lindur në Tepelenë e banues në Tiranë, me detyrë drejtor i medies së shkruar “TemA”. I dëmtuari Mero Baze u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, Tiranë, ku, pasi mori mjekimet e duhura, u largua për në banesë. Më pas shtetasi Mero Baze ka kryer një kallëzim penal në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, ku ka deklaruar se është fyer e goditur për shkak të profesionit të tij si gazetar. Për shtetasin Rezart Taçi është bërë shpallja e tij në kërkim policor. Në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Tiranë, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 237 dhe 25 të Kodit Penal”, - thuhet në deklaratën e policisë.
Taçi
Por, ndërsa policia “kërkonte” Taçin, ky i fundit e sfidonte hapur atë duke deklaruar se nuk kishte bërë asnjë gjë. Madje, për ironi, Taçi thoshte se ishte gati të përballej me drejtësinë, edhe pse nuk ka respektuar në asnjë moment organet e zbatimit të ligjit.
Taçi për të mbrojtur veten tha se ai ishte tip i respektueshëm dhe i durueshëm.
Taçi tha se nuk e ka në karakter t’i shmanget drejtësisë.
“Në vijim të akuzave të rreme të zotit Mero Baze në lidhje me ngjarjen në lokalin “Capriccio”, ku përflitet papërgjegjshmërisht se unë kam ushtruar dhunë në drejtim të tij, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam pasur asnjë lloj konflikti fizik me zotin Mero Baze.
Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo medieje, edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija.
Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj. Hedh poshtë me indinjatë këtë akuzë të ulët në drejtimin tim dhe siguroj të gjithë opinionin publik se, jo vetëm nuk është në karakterin tim të shmangem, por jam i gatshëm të përballem me këto shpifje në çdo kohë përpara drejtësisë së vendit tim”, - tha Taçi.
Wanted
Duke parë këtë situatë të rëndë, por dhe qesharake, ku është katandisur shteti i së drejtës në Shqipëri, shoqatat e gazetarëve kanë vendosur që të ofrojnë një shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo person që jep informacion mbi vendndodhjen e Rezart Taçit, i cili është shpallur nga policia si person në kërkim.
“Shoqatat ndihmojnë kështu forcat e rendit që ky kriminel të vihet sa më parë para drejtësisë, në një kohë kur Rezart taçi shpërndan përmes zëdhënësit të tij deklarata false, duke mohuar paturpësisht dhunimin e gazetarit Mero Baze nga ai vetë dhe truprojat e tij. E ndërkohë që i shpalluri në kërkim, Rezart Taçi, dërgon komunikata për medien, prokuroria ende nuk ka marrë në pyetje as zëdhënësin e tij, për të mësuar vendin se ku ndodhet biznesmeni i akuzuar”, - thuhet në deklaratën e shoqatave të gazetarëve.