E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA: Të skandalizuar nga sulmi mbi BazenNga TemaAmbasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi dje ndaj sulmit që iu bë gazetarit Mero Baze duke theksuar se një ngjarje e tillë errëson lirinë e shtypit dhe është krejt e papranueshme. Ambasada kër

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

SHBA: Të skandalizuar nga sulmi mbi BazenNga Tema

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë reagoi dje ndaj sulmit që iu bë gazetarit Mero Baze duke theksuar se një ngjarje e tillë errëson lirinë e shtypit dhe është krejt e papranueshme. Ambasada kërkoi që në vend të ketë një hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes.

Kurse ambasadori i Prezencës së OSBE, Robert Bosch, tha se liria e shtypit është një parim kyç në demokracinë e vendit. Bosch tha se ata dënonin ashpër sulmet ndaj medieve. Sipas tij, gazetarët duhet të lejohen të punojnë pa u penguar dhe frikësuar.

Ndërsa Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerësoi se sulmet ndaj Bazes bëhen për shkak të detyrës së tij. Edhe lëvizja “Mjaft!” shprehu indinjatë për ngjarjen dhe e quajti mjaft shqetësuese situatën në vend.

Deklaratë nga Ambasada e ShBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor. Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medies errësojnë lirinë e shtypit. Të gjitha format e presionit dhe kanosjes ndaj medies janë të papranueshme.

Ambasada mbështet dënimin nga ana e qeverisë së Shqipërisë të këtij akti dhe përkrah thirrjen e kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari. Ambasada do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri.

Prezenca e OSBE në Tiranë

Kreu i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Robert Bosch, dënoi sot sulmin e dhunshëm ndaj botuesit të gazetës “TemA”.

Mero Baze u rrah dje në Tiranë dhe u dërgua në spital për mjekim, pas një sulmi që, sipas njoftimeve të medies, lidhet me artikujt dhe kronikat televizive të Bazes. Policia po heton ngjarjen dhe ka arrestuar dy të dyshuar deri më tani.

“Ne dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, në veçanti atë drejtuar medies. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre i perceptuar politik, duhet të lejohen që të kryejnë punën e tyre të përditshme pa pasur frikë nga hakmarrja fizike”, - tha ambasadori Bosch.

“Liria e medies është një parim kyç i çdo shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike”.

Ambasadori Bosch mbështet reagimet e presidentit dhe kryeministrit shqiptar. Ai nxit fuqishëm autoritetet përkatëse të vendit që të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të rëndë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit

Sipas njoftimeve të medies dje, rreth orës 2300, në mjediset e një lokali në zonën e ish-Bllokut, biznesmeni Rezart Taçi, pronar i ARMO-s, me disa persona të tjerë, kanë dhunuar gazetarin Mero Baze, duke e dëmtuar atë në disa pjesë të trupit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënon me forcë këtë akt brutal dhe të dhunshëm ndaj një gazetari, që investigon ngjarje të rëndësishme, që informon dhe sensibilizon opinionin e gjerë shoqëror.

KShH, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të lirisë së shprehjes dhe të shtypit, të radios dhe të televizionit, ka reaguar publikisht, edhe në rastin kur organet shtetërore, në kundërshtim me ligjin dëbuan nga mjediset e saj të marra me qira punonjësit e gazetës “TemA”.

KShH atë që ndodhi mbrëmjen e datës 2 nëntor 2009, e konsideron gjithashtu presion dhe dhunë ndaj fjalës së lirë.

KShH, duke u mbështetur në të dhënat paraprake, mendon se gazetari Mero Baze u godit lidhur me detyrën, me funksionin e tij si gazetar dhe analist, si drejtues i emisionit investigativ “Faktori Plus”.

Në një vend demokratik, roli i medies është i pazëvendësueshëm. Të tentosh t’i mbyllësh gojën një gazetari, do të thotë të godasësh fjalën e lirë, pa të cilën nuk mund të konceptohet demokracia, nuk mund të ketë shtet të së drejtës.

Është kjo arsyeja që KShH i sugjeron organeve të ndjekjes, ku është bërë kallëzim, që çështja e mësipërme të trajtohet me përparësi dhe me objektivitet. Fajtori ose fajtorët nuk duhet të ngelen pa u ndëshkuar.

Lëvizja “Mjaft!”

Lëvizja “Mjaft!” shpreh tronditjen dhe indinjatën e thellë ndaj dhunimit brutal të gazetarit Mero Baze.

“Mjaft!” beson se kjo ngjarje u rrëfen edhe një herë të gjithë shqiptarëve se sa të cenueshëm e të pambrojtur janë përballë personave të veshur me pushtet ekstraligjor.

Rrahja e z. Baze është dëshmia e radhës mbi rreziqet reale që i kanosen atyre që rreshtohen në vijën e parë të përballjes me korrupsionin dhe shpërdorimin e pronës fizike e morale të këtij kombi. Të gjithë ata që guxojnë të ngrenë zërin ndaj padrejtësive të të mëdhenjve mbi të vegjlit, ndaj abuzimeve të shtypësve mbi të shtypurit, kanë marrë një paralajmërim të shkruar me gjuhën e grushteve. Sot po na thuhet qartë se nuk mund të guxojmë t’u kundërvihemi zengjinëve të rinj e “Berluskonëve” tanë në miniaturë; se nuk mund të ngremë zërin ndaj biznesmenëve të transaksioneve politike, ndaj bosëve të naftës apo afaristëve të trafiqeve. Po na thonë edhe një herë të mbyllim sytë, veshët e gojën përballë të gjitha poshtërsive që luhen në kurrizin tonë, sepse sovrani i vërtetë nuk është shumica, por një elitë kriminale që ka marrë përsipër të kontrollojë shumëçka.

Ndaj të gjithë ne, gazetarët, shoqëria civile dhe çdo shqiptar, ndodhemi sot para një prej zgjedhjeve më të rëndësishme në historinë e demokracisë së brishtë të këtij vendi. Po na kërkohet të zgjedhim ndërmjet konformizmit e robërimit pa kushte apo një rebelimi të ndërgjegjes e aspiratave tona për t’u trajtuar me dinjitetin që meriton çdo qytetar i lirë i një vendi demokratik.

Sot ne kemi shansin të shënojmë një pikë kthese në historinë e huliganizmit shqiptar dhe të dëshmojmë se disa nga ne nuk pranojnë t’ia dorëzojnë liritë tona të parit që kërkon të na i rrëmbejë. Sot kemi përgjegjësinë e madhe të dëshmojmë se nuk na ka mbetur asnjë faqe tjetër për t’ia kthyer shuplakave të rrugaçëve dhe se jemi të vendosur të kundërpërgjigjemi ndaj çdo akti kriminal që na cenon fizikisht dhe moralisht.

Në një vend ku gazetarët rrihen sistematikisht nga politika e manjatët e bizneseve të saj, nuk mund të flitet për standarde demokratike e as për liri të të shprehurit. Në një vend ku kërbaçi konsiderohet mjet komunikimi, as që duhet të shqetësohemi për renditjet tona turpëruese në raportet për lirinë e medies. Në një përditshmëri ku ndodhin ngjarje si kjo e sotmja, thjesht të hapësh ekranet e televizioneve apo të lexosh gazetën, duhet konsideruar një akt i turpshëm hipokrizie, nëse ata që disponojnë instrumente të reagimit publik nuk dalin në mbrojtje të tjetrit.

Lëvizja “Mjaft!” kërkon më së pari nga autoritetet shtetërore të zbatojnë maksimalisht detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale dhe të përndjekin ligjërisht autorët e saj, pavarësisht lidhjeve të tyre të mundshme me strukturat e pushtetit. Gjithashtu, ne i bëjmë thirrje kolegëve të z. Baze dhe të gjithë atyre aktorëve të zëshëm në shoqëri që së bashku të rreshtohemi të bashkuar për të kërkuar përgjegjësinë deri në fund dhe për të kërkuar garanci që poshtërime të tilla të dinjitetit njerëzor nuk do të përsëriten pa u ndëshkuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›