Berisha: Të dënohen fajtorët. Rama: Arresto klientin e Familjes!Nga TemaDrejtuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës dënuan dje aktin e rëndë të sulmit ndaj gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi. Kreu i shtetit, Bamir Topi, tha se akto
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha: Të dënohen fajtorët. Rama: Arresto klientin e Familjes!Nga TemaDrejtuesit më të lartë të shtetit dhe të politikës dënuan dje aktin e rëndë të sulmit ndaj gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi. Kreu i shtetit, Bamir Topi, tha se aktorët politikë në vend nuk duhet të mjaftohen vetëm me deklarata, por duhet ta shohin me shqetësim situatën dhe të krijojnë ambientin e sigurt për të garantuar lirinë e medies. Ndërsa kryeministri, Sali Berishës, përmes zëdhënëses së tij ka kërkuar që të dalin përpara drejtësisë autorët e ngjarjes, ndërsa e ka quajtur të rëndë lëndimin e gazetarit. Edhe zëvendësi i tij, Ilir Meta, tha se është e nevojshme që fajtorët të gjykohen.
Por kryetari i opozitës, Edi Rama, tha se fajtori për këtë krim është Sali Berisha. Ai i kërkoi Berishës që të dalë vetë përpara shqiptarëve dhe të dënojë sulmin ndaj gazetarit Baze.
Bamir Topi: Dhunimi dhe presionet mbi mediet janë një kthim mbrapa
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, dënon me ashpërsi aktin vandal dhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze duke kërkuar nga të gjitha organet e shtetit të zbardhin pa vonesë ngjarjen dhe të vënë përpara drejtësisë autorët e vërtetë.
Kreu i shtetit iu bën thirrje të gjithë aktorëve politikë në Shqipëri që të analizojnë me shqetësim këtë akt duke u angazhuar realisht, dhe jo vetëm nëpërmjet deklaratave, në krijimin dhe garantimin e lirisë dhe pavarësisë së medies.
Dhunimi dhe presioni i drejtpërdrejtë apo i tërthortë ndaj medies dhe gazetarëve shqiptarëve është një kthim mbrapa në demokracinë që të gjithë dëshirojmë të ndërtojmë.
Sali Berisha: Keqtrajtimi dhe presioni ndaj gazetarëve është një akt shumë i rëndë
Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, dënon me ashpërsinë më të madhe rrahjen dhe lëndimin e gazetarit Mero Baze në një nga lokalet e kryeqytetit mbrëmë, si një akt të shëmtuar, të rëndë dhe të papranueshëm për shoqërinë e lirë.
Kryeministri Berisha iu kërkon organeve kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për të nxjerrë përgjegjësinë e plotë ligjore të autorëve të këtij akti të rëndë. Sikundër kryeministri Berisha thekson edhe një herë se cenimi, keqtrajtimi dhe presioni i çdo forme ndaj gazetarëve për qeverinë shqiptare përbën një akt shumë të rëndë dhe të pajustifikuar nga asgjë.
Ilir Meta: Të gjithë duhet të distancohen nga akte të tilla dhune
Në radhë të parë do të doja të dënoja aktin e dhunshëm dhe barbar kundër gazetarit Mero Baze, të raportuar mbrëmë, dhe të kërkoja nga Prokuroria, nga policia dhe nga gjithë organet e tjera të zbatojnë ligjin ndaj autorëve për këtë akt vërtet kriminal. Njëkohësisht shpreh solidaritetin, jo vetëm me gazetarin Mero Baze, por me të gjithë gazetarët dhe njerëzit e medieve në vendin tonë. Gjithashtu ne kërkojmë nga organet e ligjit, jo vetëm të zbatojnë atë me përpikmëri, por njëkohësisht i bëj thirrje të gjithëve që të distancohen nga akte të tilla, sepse dhuna ndaj gazetarëve dhe dhuna ndaj medies na largojnë nga ato standarde evropiane që ne duam të arrijmë.
Edmond Haxhinasto: Konfliktet duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim dënoj aktin e dhunës ndaj gazetarit Mero Baze. Çdo akt dhune ndaj çdo qytetari është jo-civil, i dënueshëm, dhe i papranueshëm për shoqërinë tonë. Shqipëria është një shtet ligjor dhe të gjithë konfliktet midis individëve dhe institucioneve duhet të zgjidhen ligjërisht nga qytetarët. I bëjmë thirrje dhe mbështesim organet e Prokurorisë të hetojnë këtë akt dhe të vënë para drejtësisë fajtorët.
Edi Rama: Berisha dhe Basha të arrestojnë klientin e tyre
Unë akuzoj personalisht dhe drejtpërdrejt Sali Berishën për krimin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Mero Baze.
Ata që gjakosën mbrëmë gazetarin, e gjejnë fuqinë te mbështetja e paligjshme e Sali Berishës, te paratë e paligjshme që nxjerrin përditë bashkë me Sali Berishën, tek imuniteti ekskluziv që u ka dhënë Sali Berisha për t’u ikur të gjitha detyrimeve ndaj arkës e ligjeve të shtetit.
Qytetarët e këtij vendi kanë mbetur pa shtet, kanë mbetur pa gjykata, kanë mbetur pa prokurori.
Shqipëria sot nuk qeveriset nga ligjet dhe barazia para ligjit nuk ekziston. Shqipëria sot qeveriset nga interesat e një familjeje që bën ligje e nxjerr vendime për t’u pasuruar në kurriz të të gjithë shqiptarëve.
Dhe mbrëmë, njëri prej klientëve të familjes së Sali Berishës gjakosi me grushte e shqelmat e gorillave të ushqyer nga familja gazetarin që hedh përnatë dritë mbi veprimtarinë e paligjshme të kësaj qeverie interesash familjare.
Sali Berisha nuk mund ta dënojë me një deklaratë bajate nëpërmjet zëdhënëses këtë krim të shëmtuar, që nuk është vepër banale e një të dehuri të larguar në drejtim të paditur, por akt kriminal i një të mirënjohuri botërisht si klient kryesor i pushtetit të familjes Berisha, për të cilin pak ditë më parë policia e shtetit u fut në konflikt me organet tatimore te dera e ARMO-s, dhe të cilit Sali Berisha i bën favore të paligjshme në këmbim të përfitimeve të paligjshme.
Por Sali Berisha, jo vetëm nuk del vetë t’i shohë drejt e në sy shqiptarët dhe t’i sigurojë se ai është në krahun e gazetarit, jo në krahun e dhunuesit të njeriut të shtypit.
Por, nga njëra anë, ai nxjerr deklaratën boshe të gjoja dënimit të ashpër të dhunës ndaj gazetarit, ndërsa nga ana tjetër i jep mbrojtjen e heshtur të shtetit një personi, me të cilin e bashkojnë interesat e fitimet e paligjshme.
Lulzim Basha, ministri i Punëve të Brendshme të Familjes Berisha, që e ka vendosur Policinë e Shtetit kundër ligjit dhe në shërbim të interesave të paligjshme pronësore e financiare të Sali Berishës, duhet të ndalonte vetë autorin që udhëhoqi sulmin gjakatar ndaj gazetarit, jo thjesht dy nga gorillat që e bënë për spital njeriun e shtypit.
Por, ky kryeshërbëtor i Familjes në pushtet, që ka grabitur për llogari të Sali Berishës fondet e veprës madhore të Rrugës së Kombit, është çuar në Ministrinë e Brendshme, jo për të udhëhequr shtetin në luftën kundër shkelësve të rendit ligjor, por që ta kthejë Policinë e Shtetit në një shërbim të pushtetit të Familjes, për të implementuar në terren zaptimet e tjetërsimet e dhunshme që Sali Berisha u bën me letra pronave të shtetit apo pronarëve të pambrojtur për të mbrojtur nga ligji klientët e këtij pushteti, si në rastin e ARMO-s apo edhe si në rastin e sotëm, shkurt për punët e brendshme të Familjes që po plaçkit përditë Shqipërinë përmes pushtetit të votave të vjedhura më 28 qershor.
Vetë Presidenti i Republikës duhet të dalë nga heshtja e tij olimpike dhe të flasë me fuqinë që i jep Kushtetuta e morali i kreut të shtetit për të mbrojtur liri e të drejta që po kërcënohen përditë e më shumë në kushtet e një sistemi drejtësie të paralizuar nga presioni e korrupsioni.
Presidenti i Republikës nuk mund të pajtohet në heshtje me rrënimin e përditshëm të shtetit të së drejtës, me dhunimin e përditshëm që pushtetit i një familjeje po i bën Kushtetutës, ligjit, shtetit, me gjakosjen e një gazetari, që në një hapësirë përditë e më të ngushtë lirie për mediet në Shqipëri, denoncon zullumet e pushtetit të një halldupi.
Dua të them në fund, fare sinqerisht, se për mua s’ka asgjë të papritur në këto zhvillime dëshpëruese për vendin dhe shoqërinë tonë.
Vota e vjedhur e 28 qershorit e ka futur këtë pushtet në rrugën pa kthim të një zullumi që do të trashet përditë rreth qafës së Shqipërisë.
Një pushtet që nuk buron nga vullneti i lirë i popullit është i dënuar të sillet keq e më keq.
Ky është një mësim që na e ka dhënë historia e gjatë e demokracisë, por edhe historia e jonë e shkurtër në demokraci, por është një mësim që më shumë se të tjerët duhet të mos e harronte personalisht Sali Berisha, të cilit sot i them: Dil dhe dënoje vetë, me zë e me figurë krimin e mbrëmshëm, që të gjithë ta shohin se përgjakja e dhunshme e Mero Bazes nuk ka spërkatur fytyrën tënde!
Erion Veliaj: Shqipëria po qeveriset nga oligarkët e Familjes
Mbrëmë ndodhi diçka e shëmtuar! Po aq e shëmtuar, sa dhe e paralajmëruar. Në Shqipërinë ku vidhen vota e prona, ku gjobiten televizione e rrëzohen antena, ku policët janë veç bodyguard-ë me rroba blu për Familjen, dhe ku pa akses te Familja nuk ecet dot përpara - sigurisht që do të ndodhte dhe kjo.
Askush nuk ndihet mirë që Shqipëria çdo ditë po bëhet një Rusi e vogël, më shumë e oligarkëve të Familjes sesa e shqiptarëve të thjeshtë. Sfidën për ta ndaluar këtë juntë policore-ekonomike nuk e ka as opozita, as media, e as të huajt: Është sfida e shoqërisë tonë!
Mund të vazhdojmë ta tolerojmë të keqen, e kësisoj të bëhemi palë me të ose të gjejmë kurajën civile për ta kundërshtuar me forcë. Në historinë e madhe të kombeve, pikërisht rezistenca ndaj padrejtësisë ka bërë diferencën mes progresistëve e mediokërve. Ky rast është sa fatkeqësi, por dhe oportunitet për shoqërinë tonë, një rast për të treguar se prej çfarë stofi jemi bërë.
Nard Ndoka: Dhuna ndaj Bazes, në kulmin e tensionit politik dhe social
Partia Demokristiane e Shqipërisë dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Mero baze, botues i gazetës “TemA” dhe drejtues i emisionit “Faktori+”. Dhuna e ushtruar ndaj gazetarit të njohur Mero Baze nga një biznesmen i afërt me qeverinë dhe bodyguard-ët e tij është një atentat tjetër që i bëhet fjalës së lirë dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Partia Demokristiane dënon me ashpërsi këtë akt të shëmtuar dhe u kërkon autoriteteve të vendit reagim të menjëhershëm institucional. Në të njëjtën kohë u kërkojmë autoriteteve të drejtësisë të respektojnë drejtësinë e gjykimit dhe shqyrtimit të këtij akti dhunues.
PDK ka denoncuar në vijimësi shumë raste të ushtrimit të presionit dhe të dhunës së pushtetit ndaj medieve të lira, në veçanti ndaj medieve kritike me qeverinë dhe sidomos ndaj medieve dhe gazetarëve që kanë guxuar të denoncojnë publikisht aferat korruptive të qeveritarëve dhe individëve të lidhur me pushtetin dhe e cilëson përpjekjen e qeverisë për vënien nën kontroll të medieve si një kërcënim serioz për lirinë dhe demokracinë tonë.
Dhuna ndaj gazetarit Mero Baze ushtrohet në një kohë kur në vend është rritur klima e tensionit politik dhe social për shkak të manipulimit dhe deformimit të votës së shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjatë këtyre muajve të parë të qeverisjes së dalë nga një proces zgjedhor i tjetërsuar, ne jemi dëshmitarë të thellimit të konflikteve midis institucioneve dhe midis pushteteve, madje edhe midis segmenteve të mazhorancës.
Raste të tilla të shëmtuara, të cilat janë përsëritur edhe më parë, flasin qartë për rritje të agresivitetit të personave me pasje dhe me pushtet ekonomik e financiar, ndaj të gjithë atyre që guxojnë të investigojnë apo të demaskojnë afera të ndryshme korruptive.
Partia Demokristiane deklaron se do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri, dhe do të dënojë çdo akt të tillë vandal dhe të shëmtuar, të cilët kanosin lirinë e medies, shtypit, dhe të individit.
Erion Braçe: Agjencitë e zbatimit të ligjit janë paralizuar
Që është ngjarje e rëndë e tha dhe kreu i Familjes, Sali Berisha! Është përcaktimi tradicional që nuk ndalon një tjetër ngjarje si kjo në mos më tragjike! Dua të them dy gjëra: E para: Në Shqipëri po ndërtohet një pushtet kriminal, si dora e zgjatur e pushtetit të Familjes! Një pushtet që kontrollon gjithçka, të mira publike, tregje, pará që rrjedhin prej tyre, por edhe pará e pasuri publike! Gjithçka është e paligjshme, flagrante dhe cenon, dhunon liritë tona si qytetarë, liri themelore - siç është ajo e shprehjes, liri ekonomike etj! Kjo e bën këtë pushtet arrogant, të fortë e të dhunshëm! Kjo që po ndodh ka nxjerrë në evidencë faktin se një takëm biznesmenësh në këtë vend nuk ndërtojnë organizata biznesi, por organizata kriminale, mbushur me keqbërës që i emërojnë roje trupi! Janë këta që zëvendësojnë policët e dhunshëm që kemi njohur më parë në të tilla raste, para vitit 1997. Së dyti, institucionet, agjencitë ligjzbatuese që duhet të mbrojnë jetën dhe lirinë e secilit qytetar nuk janë, janë paralizuar në rastin më të mirë, kanë hequr dorë nga detyra e nuk bëjnë asgjë në rastin më të keq! Më thoni, si ka mundësi që një shtet i tërë refuzoi të zbatojë një vendim gjykate që kthente “TemA”-n në pronat e saj? Me thoni, a hetoi e zbuloi kush ishin autorët e sulmit dhe djegies së makinë së zotit Baze? Më thoni, si ka mundësi që të gjithë këta, presidenti, që ndan tribunën me Taçin për të parë futboll, kryeministri, që i beson gruan në aktivitete bamirësie, kanë 24 orë që nuk gjejnë dot një spurdhjak si Rezart Taçi? Gjashtë muaj më parë në një ditë si kjo vranë deputetin Fatmir Xhindi. Çdo javë dhanë nga një version për ta bërë pis, por vrasësit askush nuk i ka kapur. E pra ky pushtet i paligjshëm, i garantuar nga heshtja e institucioneve, është sot pushteti i Familjes. Ky është pushteti i mafies. Pushteti i Familjes nuk largohet, por luftohet e rrëzohet.
Petro Koçi: Çdo segment politik duhet të jetë në krah të sigurisë së gazetarëve
Dhuna mbi gazetarin Mero Baze dëshmon edhe njëherë rrezikshmërinë e lartë të pushtetit informal dhe bashkëthemeluesve të tij politikë. Liria e fjalës ka marrë një goditje të rëndë. Kjo ngjarje përbën një kambanë alarmi për shoqërinë dhe institucionet, sepse përbën një indikacion të qartë për nivelin e ulët demokratik në vend.
Organet e drejtësisë duhet të reagojnë me shpejtësi e vendosmëri për të ndëshkuar autorët e këtij sulmi mbi lirinë e fjalës.
PSV i kërkon çdo segmenti politik të vendoset në krah të luftës kundër korrupsionit, në krah të shtypit të lirë dhe sigurisë së gazetarëve.
Nga ana tjetër, PS, para se të “denoncojë” ngjarjet e fundit që lidhen me veprimtarinë e ARMO-s, duhet të japë llogari për votën “Jo” kundër që dha, kur parlamenti shqyrtoi privatizimin e kompanisë.
Opinioni publik e ka të qartë tashmë se, përveç Kushtetutës, Kodit Zgjedhor etj., PS shiti edhe ARMO-n në funksion të ca llogarive të korruptuara dhe antipopullore.
Marko Bello: Këto veprime nuk janë të një shteti që është anëtar i NATO-s
Dënoj me ashpërsi dhunën ndaj gazetarit Mero Bazë, si një akt i dhunës ndaj shtypit të lirë. Garantimi i lirisë së shtypit nuk arrihet me fjalë, por duhen bërë veprime konkrete të institucioneve përkatëse për të vënë para ligjit autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë. Raste të kësaj natyre nuk duhet të përsëritën. Veprime të tilla nuk i shkojnë për shtat një shoqërie demokratike dhe një vendi që është anëtar i NATO-s dhe po aspiron për të hyrë në Bashkimin e Evropian.
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat: Vetëgjyqësia duhet të ndëshkohet rëndë
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat dënon aktin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze nga një biznesmen dhe truprojat e tij.
Prokuroria duhet ta hetojë menjëherë rastin dhe t’i nxjerrë autorët e krimit para drejtësisë.
Vetëgjyqësia meriton të ndëshkohet rëndë në të gjitha rastet që shfaqet, që gazetarët dhe qytetarët të ndihen të lirë për t’u shprehur në vendin e tyre.
Niveli i lirisë së medies dhe gazetarëve tregon edhe nivelin e demokracisë së një vendi.
Nëse shoqëria nuk është aq bujare sa të akomodojë në mjedisin e saj edhe zërat kritikë, shteti duhet t’u ofrojë atyre mbrojtje.