Policia prangos bashkëpunëtorin e Dritan Dajtit, dyshohet për lidhje shoqërore me autorin e krimit, i konfiskohen municione dhe eksploziv
TIRANË- Policia e Tiranës arrestoi në orët e vona të ditës së djeshme një 21 vjeçar, i dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e Dritan Dajtit, i cili një ditë më parë vrau 4 punonjës të policisë, gjatë një aksioni për kapjen e tij. Burime zyrtare të policisë së qarkut të Tiranës, njoftuan se Elvis Robert Karoli, 21 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, u arrestua pas shumë informacionesh të marra në rrugë operative, të cilat tregojnë se ai ka lidhje shoqërore me të arrestuarin Dritan Dajtin. Në banesën e 21 vjeçarit Karoli specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 copë fishekë, 1 detonatore eksplozive luftarak, aparatura që dyshohet se shërbejnë për plasjen eksplozivi si dhe dy dylbi.
Tentativa e forcave policore për të arrestuar Dritan Dajtin - Hetimet rrisin dyshimet, për dekonspirimin e operacionit të policisë
TIRANË- Një operacion sekret i organizuar i forcave speciale të Policisë së Shtetit, sipas të gjitha gjasave i dekonspiruar pak minuta para se të ndodhte masakra, për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti, çoi në një bilanc tragjik me katër viktima në radhët e policisë.
Faktet e mbledhura një ditë pas ngjarjes së rëndë në plazhin Iliria në Durrës, çojnë shumë ekspertë të fushës në konkluzionin se Dritan Dajti personi që për 6 vjet kish jetuar i lirë dhe pse emri i tij figuronte i treti në listën e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kishte patur dijeni për çdo lëvizje të policisë. Gjetja e dy radiove të policisë në makinën e Dajtit ka vënë në pikëpyetje operacionin mjaft të vështirë dhe po aq sekrete që kryeinspektorët kishin përgatitur prej kohësh, për të arrestuar një prej eksponentëve më të rrezikshëm të botës së krimit.
Mësohet se prej disa kohësh, Policia e Shtetit kish mësuar se Dritan Dajti kishte siguruar në zonën e plazhit në Durrës, një apartament ku jetonte që prej fillimit të sezonit veror me gruan, nipin dhe kunatin që e shoqëronin atë në çdo sekondë të armatosur.
Lista e gjatë e krimeve të Dritan Dajtit kishte vënë shpesh herë në rrezik jetën e tij, duke e detyruar të jetonte i fshehur nga hasmi dhe më pas nga ajo e një arrestimi të mundshëm. Që pas arratisjes, asnjëherë nuk u njoftua për operacione të dështuara të arrestimit të tij. Dritan Dajti ka patur prej kohësh informacion të saktë për çdo lëvizje të policisë.
Shumë enigma janë ngritur për mënyrën se si ai ka jetuar i lirë dhe nën hundën e policisë pa mundur të arrestohet, por ngjarja më e rëndë që kërkon një përgjigje është, a është dekonspiruar operacioni i oficerëve, mesditën e së premtes?
Faktikisht, prej kohësh, krerët e operacioneve speciale të maskuar si persona civilë, kanë vëzhguar nga afër çdo lëvizje të Dritan Dajtit dhe shpurës së tij.
Ndërhyrja për arrestimin e tij erdhi pas një pune disaditore dhe masat për të garantuar jetën e tyre, duhet të kishin qenë maksimale.
Policia njoftoi se ndaj policisë është qëlluar në mënyrë të menjëhershme duke treguar se Dritan Dajti ka qenë i përgatitur për lëvizjet e agjentëve.
Dje, grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda ka nisur veprimet e para për të hetuar mbi çdo pikëpyetje të ngritur mbi këtë ngjarje. Për të vërtetuar këto enigma prokurorët do të mbështeten vetëm në dëshmitë e Dritan Dajtit, Orges Xhaxhit kunati i tij si dhe 21 vjeçari Elvis Karoli, shok i ngushtë i Dajtit.
Arrestimi i këtij të fundit, u krye në orët e mbrëmjes së të premtes, ndërsa në banesë ju sekuestruan në cilësinë e provës materiale: Aparatura të cilat dyshohen se shërbejnë për plasjen eksplozivi si dhe dy dylbi.