Berisha: Heroizmi, dëshmi e vullnetit të hekurt të shtetit shqiptar për të shtypur me çdo çmim krimin e organizuar
“Ky krim i shëmtuar i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë se nuk do të cënojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me tolerancë zero, sikundër deri më sot”.
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në homazhet dhe ceremoninë e varrimit të 4 anëtarëve të Policisë së Shtetit, “Dëshmorë të Atdheut”. Me pikëllim të thellë, shefi i ekzekutivit Sali Berisha, pasi nderoi të rënët, e dënoi krimin dhe theksoi se humbja e jetës së oficerëve të policisë, është e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi dhe trimëria e tyre, është dëshmi e vullnetit të hekurt të policisë, për të shtypur krimin dhe siguruar jetën e qytetarëve. “Është një ditë zie e thellë, sepse përcjellim sot, katër bijë të shquar të kombit, të cilët ranë në krye të detyrës për të bërë jetën më të sigurt të qytetarëve shqiptarë. Fatosi, Kastrioti, Sajmiri dhe Altini nuk janë më. Ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm të Shqipërisë, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh me rrjetet kriminale që drejtonte brenda dhe jashtë vendit, përbënte një kërcënim permanent për rendin dhe sigurinë. Rënia e tyre, humbja e jetës së tyre, është jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi i tyre, trimëria e tyre, sakrifica e tyre, është dëshmi e një vullneti të hekurt të Policisë së Shtetit për të shtypur me çdo çmim, me çdo sakrificë krimin e organizuar dhe për të bërë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt. Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cënojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit, për t’i dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri më sot”, u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë tha se autori i krimit, i’a doli të këpusë jetët e tyre, por verdikti dhe ligji do të veprojnë ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij me ashpërsinë më të madhe. “Edhe një herë, unë dua të shpreh ngushëllimin tim më të thellë, fëmijëve, familjarëve, bashkëshorteve, prindërve, shokëve, kolegëve dhe miqve të Fatosit, Saimirit, Kastriotit dhe Altinit, t’u shpreh mbështetjen më të plotë, forcave të rendit për të gjithë vendosmërinë e tyre për të shtypur krimin e organizuar me zero tolerancë”, tha kryeministri. Berisha u shpreh më tej se “dua gjithashtu të lutem së bashku me mbarë kombin shqiptar, që shpirtrat e “Dëshmorëve të Atdheut”, e këtyre heronjve, të prehen në paqen e amshuar”. “Ata sot mbeten të përjetshëm në altarin e lirisë së këtij kombi”, deklaroi kryeministri, në përfundim të homazheve, për katër policët e rënë në krye të detyrës. Deklaron ministri i Brendshëm Bujar Nishani: Do të vazhdohet me forcë beteja kundër krimit dhe kriminelëve Ministri Nishani shpreh pikëllimin e tij për humbjen e katër policëve në krye të detyrës dhe thekson se “ata do të mbeten gjallë përjetë në zemrat e çdo shqiptari”. Ai konfirmoi se do të vazhdohet lufta kundër krimit deri në asgjësimin përfundimtar të këtij fenomeni TIRANË- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani mbajti dje fjalimin e lamtumirës, në nderim të kujtimit të 4 efektivëve të policisë, të vrarë të premten në Durrës, në tentativë për të përmbushur një detyrim karshi shtetit dhe qytetarit, arrestimin e një krimineli të shumëkërkuar. Ministri Nishani shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ranë në detyrë, gjatë një aksioni në Durrës për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. “Në një ditë zie, i japim lamtumirën e fundit Fatosit, Altinit, Kastriotit dhe Sajmirit, katër heronjve të pavdekshëm, të cilët me jetën dhe gjakun e tyre mbajtën betimin para flamurit dhe atdheut dhe me disiplinë e profesionalizëm u përballën me fytyrën e krimit. Ata do të mbeten gjallë përjetë në zemrat e çdo shqiptari”, u shpreh ministri Nishani Ai vuri në dukje se derdhën gjakun katër shërbëtorë të shtetit, të cilët sot ngrihen si katër apostuj të ligjit dhe drejtësisë. “Sot ne ndahemi nga katër heronj, por marrim trashëgim prej tyre guximin dhe kurajon, qëndrueshmërinë për të vazhduar me forcë betejën tonë me krimin dhe kriminelët. Marrim prej tyre një amanet që Shqipëria të jetë vend i lirë i qytetarëve të lirë, vendi i ligjit dhe drejtësisë”, tha ministri Nishani. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, shprehu solidaritetin e plotë për forcat e rendit dhe për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të 24- orëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë. Kryetarja e Kuvendit Topalli, shpreh ngushëllimet familjeve të policëve të rënë në krye të detyrës “4 efektivat e policisë janë heronjtë tanë” TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deklaroi dje pas homazheve në Pallatin e Kogreseve se e 4 djemtë e rënë dëshmuan sakrificën në luftën kundër krimit të organizuar. “E gjithë Shqipëria nderon katër djemtë e saj efektiva të Policisë së Shtetit. Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feska janë heronjtë tanë. Shqiptarët sot mbajnë frymën, Shqipëria ka humbur katër djemtë e saj, Policia e Shtetit ka humbur punonjësit e saj që ishin modeli moral. Familjet e tyre, djemtë, babanë, bashkëshortët e tyre të dashur, trima, kurajoz”, u shpreh kryeparlamentarja. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, i shprehu familjeve të të rënëve, ngushëllimet, mbështetjen, solidaritetin me Policinë e Shtetit. Gjithashtu për të bërë homazhe në Pallatin e Kongreseve në nderim të katër policëve të vrarë në krye të detyrës kanë qenë edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili si dhe drejtori i Marrëdhënieve me Publikun, Dritan Ylli. Homazhe në nderim të të rënëve zhvilloi dhe Princi Leka, i cili sikurse edhe përfaqësuesit politik, la përshtypjet e tij në librin e shënimeve me këtë rast. Presidenti Topi: “Prokuroria të zbardhë vrasjen e efektivëve të policisë” TIRANË-Presidenti i Republikës, Bamir Topi i bën thirrje organeve të drejtësisë në vend, që të zbardhin menjëherë ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën 4 efektivë policie. Kreu i shtetit zhvilloi dje pas mesdite homazhe në nderim të katër policëve të rënë në krye të detyrës një ditë më parë dhe më pas, në një prononcim për mediat, deklaroi se “institucionet e specializuara duhet të bëjnë zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik për të dhënë edhe njëherë mesazhin e fortë që duhet të vij nga çdo institucion për vendosjen e ligjit në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar”. Presidenti Topi ngushëlloi dhe një herë familjarët e punonjësve të policisë, Drejtues Fatos Xhani, kryeinspektorët Kastriot Feskaj, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, të cilët ranë në krye të detyrës në plazhin Iliria në Durrës, në përpjekje për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti.
...