Shqiptarët në zi - shteti në këmbë kundër krimit

Një i shumëkërkuar hap zjarr gjatë tentativës për t’i shpëtuar ndalimit, duke marrë jetën e 4 efektivave të Policisë së Shtetit. Dritan Dajti ka marrë plagë të rënda, por nuk u shpëton dot strukturave të drejtësisë. Dita e sotme është shpallur ditë zije, ndërkohë që Policia është në gatishmërinë më të lartë për neutralizimin e mbetjeve të botës kriminale
TIRANE – Arrestimi i shumë të kërkuarit Dritan Dajti ka pasur një bilanc tragjik dje, ndërsa ka përfunduar me 5 të vrarë, 4 prej të cilëve policë, ndërkohë që është plagosur i shumëkërkuari si dhe një person tjetër.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në plazhin e Durrësit, te zona e njohur si Pista “Iliria”.
Gjatë aksionit të policisë, për arrestimin e shumë të kërkuarit të arratisur nga burgu, pas akuzave për vrasjen e një biznesmeni, Dritan Dajti qëlloi me armë zjarri duke vrarë 4 efektivë policie, një person i cili shoqëronte Dajtin në momentin e ngjarjes dhe që dyshohet të jetë i afërm i tij.
Pas prangosjes Dajti i plagosu u dërgua për ndihmë mjekësore, në spitalin e Durrësit dhe prej andej në Spitalin e burgut në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në drejtorinë e policisë së Durrësit, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ka shkuar dje ministri i Brendshëm Bujar Nishani.
Ngjarja
Burime të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bënë të ditur dje rrethanat në të cilat kishte ndodhur ngjarja.
Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, Klodian Branko, mësohet se, pas informacioneve të marra për lëvizjet e personit shumë të kërkuar Dritan Dajti, i cili strehohej në një banesë në afërsi të pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, Sektori i Operacioneve Speciale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në moment organizoi shërbime në këtë territor për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e tij.
“Rreth orës 13.45 nga shërbimet e vendosura është konstatuar se personi shumë i kërkuar është afruar me një makinë ‘Volkswagen’ tip ‘Tuareg’ me ngjyrë të errët, me targa të huaja CR 535 FR. Kur makina kishte ndaluar trupa e operacioneve speciale e ngarkuar me këtë detyrë ka bërë rrethimin e mjetit për të mundësuar arrestimin tij”, ka bërë ët ditur Branko, lëvizjet paraprake operacionale të policisë.
“Gjatë ndërhyrjes, i shumëkërkuari Dritan Dajti në mënyrë të menjëhershme ka qëlluar me armë në drejtim të punonjësve të policisë dhe si pasojë kanë mbetur të vrarë 4 punonjës policie, është plagosur rëndë i shumëkërkuari Dritan Dajti, ka mbetur i vrarë shtetasi Ledion Mara i datëlindjes 1986 lindur në Lushnjë, person me precedentë kriminale si dhe është arrestuar drejtuesi i mjetit Erges Sotir Xhaxhi, i datëlindjes 1987, banues në Tiranë”, ka sqaruar më tej rrethanat e ngjarjes së rëndë, zëdhënësi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sipas policisë, mësohet se emrat e efektivëve të policisë që mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me të shumë kërkuarin Dritan Dajt, janë Altin Dizdari 33 vjeç, Fatos Xhani 38 vjeç, Saimir Duçkollari 32vjec dhe Kastriot Feska, 40 vjeç.
Hetimet
Pas prangosjes nën masa të rrepta sigurie, Dritan Djati u dërgua për ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Durrësit, dhe më pas në spitalin eburgt të Tiranës, ku mëoshet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë Dajti strehohej në një banesë pranë kompleksit ku ndodhi ngjarja. Më pas, në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë pistoleta si dhe dy radio policie.
Ndërkohë, një grup oficerësh të policisë gjyqësore, prokurorësh nga Prokuroria e Përgjithshme dhe e Krimeve të Rënda, kanë kryer veprimet e para në vendngjarje, si dhe kanë filluar hetimet.
Dritan Dajti, kërkohej nga polica që prej 17 nëntorit të vitit 2003, kur ai ua arratis nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.
Ditën e arratisjes, ndërsa priste fillimin e procesit gjyqësor ndaj tij, Dajti kishte këmbëngulur për të shkuar në tualet. Pas këmbënguljes, policët, i kanë hequr prangat nga duart dhe e kanë lejuar të shkojë në tualet.
Disa minuta më vonë, Dajti ishte shfaqur në derën e tualetit me një pistoletë në dorë, të cilën ua drejtoi të parëve persona që ai ndesh, një polici, dhe prokurorit të dosjes së tij Dritan Nushit. Të gjendur të papërgatitur, askush nuk tentoi të ndalojë të paraburgosurin, i cili pasi zbrazi dy tri herë pistoletën në tavanin e katit të dytë të gjykatës, zbriti shkallët dhe u drejtuar për nga porta kryesore.
Bashkëpunëtorë të tij, që me sa duket ishin në dijeni të planit të arratisjes, e prisnin me një motor jashtë, me të cilin u largua.
Precedentët
17 shkurt 1999/ I arrestuari gjykohej për vrasjen e presidentit të “Besa Construction”
Dritan Dajti, vrau për pronën Agim Beqajn
TIRANË – Dritan Dajti, akuzohet për vrasjen e një biznesmeni në 17 shkurt të vitit 1999 në Tiranë.
Sipas policisë, pas një konflikti pronësie, Dritan Dajti, vrau shumë pranë banesës së tij, në afërsi të prokurorisë së Rrethit të Tiranës, Agim Beqajn, presidentin e “Besa Construction”, një kompani ndërtimi. Nga hetimet e prokurorisë, u mësua se, viktima ishte duke ndërtuar një pallat shumëkatësh në afërsi të banesës së Dajtit dhe ky kishte qenë shkaku i konfliktit që kishte sjellë si pasojë vrasjen e tij.
I akuzuar për këtë ngjarje Dritan Dajti u arrestua dhe në fund të vitit 2002 në Gjykatën e Shkallës së parë të Tiranës filloi gjykimi penal ndaj tij.
Nga ana e kësaj gjykate, ai ishte dënuar me 17 vjet heqje lirie, dhe mbahej në Burgun 313. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, u apelua në gjykatën e apelit, e cila pas konstatimit të shkeljeve proceduriale, riktheu për gjykim dosjen, sërish në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.
20 mars 2003/ I arrestuari urdhëroi atentatin ndaj bashkëshortes së presidentit të “Besa Construction”
Dritan Dajti, bombë në banesën e Liljana Beqjas
TIRANË – Megjithëse i arrestuar, Dritan prifti bënte kujdes që nga qelitë e burgut, të zhdukte dëshmitarët që mund të rëndonin pozitën e tij para gjyqit. Për këtë, në 20 mars 2003 në banesën e Liljana Beqjas, bashkëshortes së biznesmenit të vrarë Agim Beqaj, pranë shkollës së Baletit, në rrugën “Mihal Grameno”, vendoset një bombë, nga shpërthimi i së cilës vdiq bashkëshortja e biznesmenit të vrarë.
Në bazë të gjurmëve të gishtave të gjendura në mbështjellësen e bombës, ekspertët e policisë shkencore mundën të identifikonin Skënder Kullën, si autor të vendosjes së kësaj grande.
Pas dy muajsh mbajtjeje nën survejim, në 10 shtator të vitit 2003, policia arrestoi Kullën. Pas arrestimit dhe njohjes me akuzën, Skënder Kulla, pranoi para prokurorëve, se e kishte vendosur granatën pas një “porosie” të marrë nga miku i tij, Dritan Dajti.
Kronologjia
Zvarritja e gjykimit
17. 02. 1999 – Vritet Agim Beqja, biznesmen ndërtimi, president i “Besa Constraction”
30. 03. 1999 – Fillon çështja penale në ngarkim të Dritan Dajtit
21. 05. 1999 – Pezullohet çështja në ngarkim të Dritan Dajtit për mungese provash
20. 04. 2001 – Arrestohet Dritan Dajti
10. 12. 2001 – Fillon gjykimi i çështjes penale në ngarkim të Dritan Dajtit
04. 04. 2002 – Dritan Dajti dënohet me 17 vjet burg nga Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës
22. 05. 2002 – Gjykata e Apelit Tiranë prish vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës
30. 09. 2002 – Gjykata e Lartë rrëzon Rekursin e Prokurorit të Përgjithshëm si të pabazuar në ligj
22. 05. 2003 – Dritan Dajtit i mbarojnë afatet e paraburgimit
26. 05. 2003 – Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës rrëzon kërkesën e Dritan Dajtit për ndryshimin e masës së sigurisë
13. 06. 2003 – Gjykata e Apelit Tiranë rrëzon ankimin e Dritan Dajtit për ndryshimin e masës së sigurisë
11. 07. 2003 – Gjykata e Lartë jashtë refuzoi të marrë në shqyrtim ndryshimin e masës së sigurisë
17. 11. 2003 – Dritan Dajti arratiset nga ambientet e gjykatës së Shkallës së parë të Tiranës