Policia rrugore vë 3070 gjoba në 24 orët e fundit
Policia rrugore si dhe patrulla e përgjithshme ka hapur bllokun e gjobave po këtë herë jo me gjoba minimale por me gjobat maksimale për një shkelje që kryejnë shoferët. Sipas policisë së Tiranës vetëm për 24 orë janë vendosur 3070 gjoba me vlerë 3. 740 100 lekë si dhe janë pezulluara 18 leje drejtimi. Të gjitha këto gjoba janë vendosur me arsyetimin për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor. Gjithashtu kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Por policia e Tiranës, sheh si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.