E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shkel të drejtat e të paraburgosurve

Sipas raportit, gjatë vitit 2011 është konstatuar se ka patur raste të ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të cilat është rekomanduar fillimi i procedimit penal, për punonjësit e policisë që i kanë bërë këto shkelje.

“Problem shqetësues vazhdon te mbetet shoqërimi i shtetasve në organet, zyrat dhe ambientet e policisë. Kështu, kemi konstatuar se, shoqërimi i personave në organet e policisë bëhet jo gjithmonë sipas kritereve ligjore të përcaktuara. Të shoqëruarve u bëhet kontroll personal, u hiqen e bllokohen sendet personale si telefona etj, dhe u merren gjurmët daktiloskopike (të gishtave), veprime të cilat nuk janë në përputhje me ligjin”, thekson raporti.

Më tej thuhet se librat e shoqërimit, nuk janë të modeluara sipas kërkesave të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe Manualit për Rregullat e Trajtimit dhe Sigurimin e te Ndaluarve dhe Arrestuarve ne Dhomat e Sigurisë në Njësitë Policore, pasi ka mungesa të disa rubrikave, siç është ajo për njoftimin e familjarëve të të shoqëruarit, etj. Një tjetër shqetësim janë edhe ambientet e shoqërimit, ku sipas ligjit, ambiente të tilla të përshtatshme janë krijuar vetëm Komisariatin e Policisë Gjirokastër, Lezhë, Kukës, Korçë, Fier, Kavajë dhe Komisariatin e Policisë Nr.5 Tiranë, ndërsa në komisariatet e tjera kushtet janë të rënda.

“Në gjithë organet e tjera të policisë në vend, dhomat për të shoqëruar, në fakt si nga përmasat, ndriçimi natyral, higjiena ashtu edhe nga konceptimi dhe trajtimi i personave të shoqëruar, janë dhoma izolimi, sepse janë të ftohta, me dyer hekuri, të mbyllura me dryna dhe pa ndriçim nga rrjeti. Në disa komisariate si Përmet, Krujë, Librazhd, Elbasan, Pogradec dhe Mallakastër dhomat e shoqërimit janë jashtë ndërtesës së komisariatit, në ndërtesa njëkatëshe, me soletë të cilat janë të ftohta në dimër dhe të nxehta në verë dhe për pasojë e bëjnë të pamundur qëndrimin e të shoqëruarve. Nga inspektimet ka rezultuar se ne ambientet e shoqërimit ka mungesë te orendive të nevojshme si tavolina, karrige apo stola për qëndrimin ulur të shtetasve të shoqëruar. Në ambientet e shoqërimit, gjithashtu nuk ka postera me të drejtat ligjore të të shoqëruarve”, thuhet më tej në raport.

Megjithatë, ka edhe vlerësime pozitive, ku në disa komisariate kushtet e jetesës janë normale, si në Kukës, Fier, Lezhë, Kavajë, Korçë, Gjirokastër, dhe në komisariatin 5 në Tiranë.

Madje, raporti shkon më tej, kur thekson se ambientet e paraburgimit nuk janë detyrim për Policinë e Shtetit, megjithëse është kjo polici që kujdeset për to. “Në asnjë nen të ligjit nuk përmendet detyra e këtij institucioni për të kryer detyrën e paraburgimit. Ky shërbim, sipas legjislacionit në fuqi, i është ngarkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe organeve të saj vartëse. Aktualisht, siç është deklaruar edhe më parë nga ana jonë, Policia e Shtetit e kryen këtë detyrë në kundërshtim me dispozitat kushtetuese dhe ligjore”, thuhet më tej.

Avokati i Popullit, për të zgjidhur këtë problem ligjor, kërkon ndryshimin e nenit 4, të Ligjit ”Për Policinë e Shtetit”, duke e parashikuar një detyrë të tillë për Policinë e Shtetit. Më tej në raport, thuhet se problem shqetësues mbetet punësimi i fëmijëve romë, që janë ndër më të preferuarit nga punëdhënësit private, për shkak të abuzimit me pagesën e ulët. Probleme për këtë kategori janë edhe mungesa e regjistrimit në gjendjen civile, apo lypja nëpër rrugë. Edhe në drejtim të të drejtave të grave konstatohen probleme serioze, siç është keqtrajtimi nga bashkëshortët apo dhuna në familje grave dhe vajzave.

“Situata duket që nuk është përmirësuar gjatë vitit për të cilin po bëjmë këtë raportim. Përveç punës që bëjnë disa organizata jofitimprurëse për ndërgjegjësimin dhe gjetjen e rrugëve konkrete për përmirësimin e situatës, duhet qe te gjenden mjete efektive në kuadrin e një mekanizmi, për të garantuar që të ruhen dhe zbatohen të drejtat e grave, për të përmirësuar trajtimin dhe pozitën e femrave në familje dhe në shoqërinë shqiptare. Organet qe merren me dhënien e drejtësisë duhet të shohin me prioritet rastet kur pjese e keqtrajtimit dhe e dhunës se ushtruar janë gratë dhe vajzat. Ato shpesh detyrohen te heqin dore nga akuza për një arsye apo tjetër. Shume krime te ndodhura ndaj grave vite me pare, janë akoma pa autor”, nënvizon raporti. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-05-28 15:52
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›