E Shtunë, 31 Tetor 2026

Restaurimi i Xhamive, projekti i TIKA-s fillon me kalanë e Prezës

—-Nga Anisa Ymeri—-

Tiranë- Kalaja e Prezës, pak kilometra larg kryeqytetit është shndërruar në një destinacion për jo pak qytetarë. Brenda kësaj kalaje gjendet edhe një xhami e cila daton në shekullin e 16-të por që ndër vite është transformuar duke humbur shumë nga vlerat e saj.

Tani, xhamia që ndodhet në këtë kala do i nënshtrohet restaurimit dhe është vetëm një prej 5 objekteve të kultit që do të restaurohen me një fond prej 4 milionë eurosh të akorduara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim. Ministri i Kulturës Aldo Bumçi dhe Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Jyahya Gulseven, në ndalesën e tyre të parë në këtë kala prej nga nis edhe zbatimi i këtij projekti, folën për invstime të konsiderueshme për monumentet e kulturës.

“Bëhet fjalë për një paketë investimi 4 milionë euro që do të shkojnë për këtë xhami dhe 4 të tjera në Shqipëri dhe dua të theksoj se është ndër investimet më të rëndësishme në monumentet e kultit në vend”-theksoi nga Kalaja e Prezës ministri Bumçi.

Ndërsa Koordinatori i TIKA-s në Shqipëri, Gulseven tha: “Ne e kemi filluar këtë bashkëpunim dhe investim në fushën e monumenteve të kulturës, specifiksht në objektet e kultit por do e vazhdojmë këtë nismë edhe në fusha të tjera, siç është ajo e arkeologjisë. Së shpejti do të kemi edhe projekte të tjera shumë të rëndësishme. Shumë shpejt nis zbatimi i projekteve për këto 5 xhami dhe  ne po mendojmë për akordim fondesh për të tjera objekte kulti që kanë të nevojë për restaurim”.

Xhamitë e para të përzgjedhura për tiu nënshtruar restaurimit përveç xhamisë në Kalanë e Prezës janë edhe xhamitë në Pazarin e Krujës, e Nazireshesë në Elbasan, xhamia e Plumbit në Berat dhe xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë.

Për besimtarët e zonës kjo është xhamia në të cilën ata falen, mirëpo ky objekt kulti, monument i kategorisë së parë është jo pak i dëmtuar. Arbër Kadia, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Tiranë theksoi: “Kjo është një xhami unike edhe për nga forma dhe gjithçka do të ruhet me fanatizëm gjatë restaurimit. Ka pasur një debat në Këshillin e Restaurimit për të bërë ndryshimet e fundit në projekt dhe mund t’ju them se edhe materialet e përdorura do të jenë vendase. Do të rindërtohet gjithashtu edhe minareja e cila tani nuk ekziston më pasi u prish si shumë objekte të tjera në fushatën e madhe të vitit 1967. Ajo do i rikthehet xhamisë njësoj siç ka qenë atëhere”.

Kalaja e Prezës mësohet të ketë nisur të ndërtohet në shek e XIV dhe ka përfunduar në fillim të shek e XV nga ana e familjes feudale të zonës, Topiajve. Në qoshet e saj, kjo kala ka katër kulla rrethore. Kulla e sahatit është ngritur rreth viteve 1800 – 1850. Pas investimeve edhe në infrastrukturë rrugore, kjo kala nga viti në vit ka nisur të frekuentohet jo pak nga kryeqytetasit dhe jo vetëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›