E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova keq me konkurrencë

Kosova ngec sa i përket mbrojtjes së konkurrencës krahasuar me vendet e rajonit. Ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, thotë për Radio Kosovën se në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës kanë bërë hetime dhe kanë marrë disa vendime për ndëshkim të kompanive apo shfuqizim të marrëveshjeve gojore të disa të tjerave. Por, ai thekson se puna e autoritetit ka mbetur në gjysmë për shkak të skadimit të mandatit të kryetarit dhe disa anëtarëve.

Ndonëse me ligjet përkatëse garantohet konkurrencë e lirë ne tregun vendor, gjendja reale nuk është shumë e kënaqshme. Kështu thotë ish-kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Osman Ejupi, njëherësh ekspert i këtij lëmi.

“Kosova ngec në krahasim me vendet e tjera të rajonit, e të mos flasim për vendet tjera që kanë një shkallë më të lartë të zhvillimit, respektivisht një kuadër ligjor më të ngritur në kuptimin e mbrojtjes së konkurrencës”, thotë Ejupi.

Autoriteti i Konkurrencës kishte marrë vendime për ndëshkimin e dy kompanive që janë marrë me shitjen dhe instalimin e arkave fiskale, me nga 100 mijë euro, e po ashtu ka shfuqizuar marrëveshjen gojore apo praktikat e bashkërenduara nga përfaqësuesit e pompave të derivateve të naftës, për caktimin dhe nivelimin e çmimit të derivateve në komunën e Gjilanit. Zyrtarë të këtij autoriteti kishin zhvilluar hetime edhe në sektorin bankar, por nuk është marrë asnjë vendim, thekson Ejupi:

“Ai investigim ka mbetur në gjysmë dhe më tutje nuk është vepruar në atë drejtim. Arsyet unë nuk i di, por mund të them se ne ende ballafaqohemi me një treg të shitjes së kredive më të shtrenjtin jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë”.

Por, Ejupit si kryetar dhe dy anëtarëve tjerë të këtij autoriteti u ka skaduar mandati që nga viti i kaluar dhe kjo ka shkaktuar ngecje të madhe, thotë ai:

“Me vet faktin se që një vit nuk është zgjidhur kryetari i Autoritetit, apo dy anëtarëve të mundshëm, nuk ka rëndësi kush do të zgjidhet, ajo na tregon se sa përkushtim kemi ne për institucionet. Është krijuar vakum institucional, i cili reflekton tani në një boshllëk ligjor edhe institucional për mbrojtjen e konkurrencës”.

Në Kosovë ligji për mbrojtjen e konkurrencës është në fuqi që nga viti 2010. Ky ligj zbatohet për të gjitha format e parandalimit, kufizimit ose keqpërdorimit të konkurrencës nga ndërmarrjet, në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit të Kosovës, nëse këto veprime kanë efekte në Kosovë. Ky ligj duhet të plotësohet, dhe sipas Osman Ejupit, i cili ka konkurruar sërish për postin e kryetarit, në të ardhmen nevojitet zbatim më i mirë i ligjit, ngritje e kulturës së konkurrencës, dhe hartim i dokumentit të ri të politikës së konkurrencës./Indkesonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›