Asnjë hap para për anëtarësim në OBT

Ende nuk ka asnjë risi sa i përket përgatitjeve për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT). Edhe pse përgatitjet kanë filluar vite më parë, zyrtarë të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë thonë se procesi ka mbetur aty ka qenë vitin e kaluar.
Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit konsiderojnë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të neglizhojë këtë çështje, pasi është me interes të veçantë për vendin anëtarësimi në këtë mekanizëm, posaçërisht tash kur Kosova është bërë anëtare e BERZH-it.
Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, shprehet se pas anëtarësimit në këtë mekanizëm përfitimet e komunitetit të biznesit në të ardhmen do të jenë të mëdha.
“Fuqia e bizneseve kosovare dhe e ekonomisë se saj në përgjithësi në krahasim me konkurrencën e ashpër dhe të fuqishme nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë është e vogël”.
“Por, ne kur flasim për integrime, ne nuk flasim për gjeneratat e sotme, por flasim për gjeneratat e ardhshme, të cilat pretendojmë që t’i lëmë një ekonomi më të qëndrueshme dhe një ekonomi të integruar në mekanizmat ndërkombëtarë”, thekson Shahini për Radion Evropa e Lirë.
Naim Gashi, njohës i çështjeve ekonomike, thekson se edhe pas anëtarësimit nuk duhet pritur ndonjë mrekulli, por, sipas tij, përfitimet do të jenë më të mëdha në aspektin politik sesa në atë ekonomik.
“Anëtarësimi në OBT tregon se një vend është serioz dhe ndikon pozitivisht në inkurajimin e investimeve të huaja, për çka Kosova ka jashtëzakonisht nevojë. Sa i përket përfitimeve të vendeve të vogla, nga ky anëtarësim nuk mendoj se duhet pritur mrekulli, pasi që dihet se kjo organizatë kryesisht mbron interesat e shteteve dhe fuqive të mëdha ndërkombëtare siç janë SHBA-ja, BE-ja, Rusia, Kina etj”, shprehet ai.
Megjithatë, Gashi konsideron se pas pranimit të Kosovës në OBT, në aspektin ekonomik do të forcohet partneriteti ndërkombëtar më partnerët tregtarë të vendeve të ndryshme të botës.
“Unë mendoj se MTI-ja duhet të marrë më seriozisht përgatitjen e Kosovës për anëtarësimin në OBT për arsye se anëtarësimi nuk nënkupton vetëm aplikimin, por kupton edhe përgatitjen e një legjislacioni të mirëfilltë që është në harmoni më rregullat ndërkombëtare të tregtisë se lirë”, vlerësoi ai.
OBT-ja ka filluar punën në vitin 1995. Aktualisht në këtë organizatë bëjnë pjesë 158 vende të botës, kurse rreth 30 të tjera janë në proces të anëtarësimit.
Vitin e kaluar Taxhikistani i është bashkuar kësaj organizate, pas 11 vjet negociatash për anëtarësim./Indeksonline/