Policia shton masat e sigurisë në Tiranë
Gadishmëria numër një do të jetë policia e Tiranës në datën 21 janar kur edhe do të zhvillohet demostrata e PS, e cila do të monitorohet me kamera përgjatë gjithë itenerarit të saj nga policia. Policia e shtetit ka hartuar një plan masash për të bërë të mundur mbarvajtjen e kësaj demostrate dhe moskrijimin e asnjë incidenti.
Sipas njoftimit për shtyp të policisë së Tiranës, mësohet se Drejtoria e Policisë në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore, bazuar në kërkesën e subjektit, Partia Socialiste ka marrë të gjithë masat e nevojshme për sigurimin e rendit e të qetësisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të tubimit të parashikuar për t`u zhvilluar në datën 21 Janar. Në kuadër të këtyre masave, bazuar në Ligjin “Për Tubimet”, nga strukturat e policisë do të bëhet monitorimi i plotë dhe i hollësishëm i vendit të zhvillimit të tubimit (rregjistrimi i tubimit), përmes kamerave të vendosura përgjatë gjithë itenerarit të tij.
Burime nga policia e Tiranës bënë të ditur se janë marrë masa ku një numër i konsideruar punonjësish të policisë do të qëndrojnë në ruajtje të institucioneve të rëndësishme shtetërore si dhe në afërsi të ambasadave apo edhe rezidencave. Policia rrugore do të qëndrojë në çdo kryqëzim kryesor të kryeqytetit si dhe në rrugët hyrëse dhe dalëse të Tiranës për të bëre të mundur lehtësimin e trafikut në Tiranë. Por gjithashtu duke pasur parasysh edhe ardhjen me autobusë të qytetarëve nga rrethet e vendit, autobusët e tyre sipas policisë do të qëndrojnë në “Zogun e Zi”, “Rrugën e Elbasanit” si dhe te Treni për të mbërritur në pas në qëndër të Tiranës. Për këtë arsye do të bllokohen Rruga e Durrësit, “Rruga e Elbasanit” , Bulevardi “Zogu i Parë” si dhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ndërsa të gjithë protestuesit do të shoqërohen edhe nga policia e kryeqytetit për të shmangur ndonjë incident. Ndërsa do të ketë një numër të madh postoblloqesh në hyrje të Tiranës dhe kontrolle të imtësishme të automjeteve që do të hyjnë në Tiranë. Të gjitha këto masa sipas policisë do të shmangin ndonje incident në këtë demostrate të përgatitur nga opozita. Policia e shtetit, fton pjesëmarrësit në këtë tubim të respektojnë me korrektësi dispozitat ligjore lidhur me tubimet dhe të shmangin çdo lloj provokimi apo goditje ndaj forcave të policisë, të planizuara me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.