E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia thirrje për zhbllokim të bulevardit

TIRANë- Policia e Tiranës u kërkon organizatorëve të grevës së urisë në sheshin para Kryeministrisë të zhbllokojnë bulevardin “Dëshmoret e Kombit” në mënyrë që të lëvizin lirisht mjetet e transportit.

Në një njoftim për shtyp të policisë së kryeqytetit theksohet se në përgjigje të kërkesës së Partisë Socialiste për zhvillimin e protestës së 30 Prillit, policia ka dhënë lejën përkatëse dhe ka njoftuar për marrjen e masave për sigurimin e rendin e qetësisë, gjatë zhvillimit të tubimit të kërkuar prej saj, në sheshin “Skëndërbej” dhe Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, prej orës 15: 00 të kësaj date.
Ndërkaq në këtë njoftim policia bën të ditur se përmes një tjetër shkrese i ka kujtuar subjektit Partia Socialiste se, për vazhdimin e tubimeve është e nevojshme që të dërgojnë njoftim në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, për çdo ditë tubimi, pasi sipas nenit 5 pika 2 gërma c të Ligjit “Për Tubimet”, nuk parashikohen tubime që zgjasin më shumë se një ditë.

Duke u ndalur ne vendimin e PS që 22 deputetë të hyjnë në grevë urie, Policia thekson se Partia Socialiste në gjithë kërkesat që ka dërguar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë nuk ka kërkuar mbështetjen e policisë për këtë përshkallzim të protestës, me qëllim që Policia të marrë masat e saj në zbatim të ligjit.
“Sqarojmë opinionin publik se, veprime të tilla që pengojnë qarkullimin e mjeteve të transportit përbën veprën penale të parashikuar nga nenin 293 i Kodit Penal- deklaron në këtë njoftim Policia e Tiranës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›