Policia:3 të arrestuar dhe 11 të tjerë nën hetim për mashtrim
Tre persona janë arrestuar ndërsa 11 të tjerë janë nën hetim nga policia e shtetit pasi akuzohen për mashtrim dhe falsifikim të dokumentave. Zëdhënësja e policisë së shtetit Klejda Plangarica deklaroi sot se gjatë operacionit të koduar "Kompania guaskë" janë arrestuar shtetasit Besnik Murataj, 37 vjeç, me profesion inspektor ne Drejtorinë e Shërbimeve Operacionale, pranë Autoritetit Portual Durrës, Ervis Sinanaj 32 vjeç, me profesion ekonomist dhe Dyleman Qerimi, 58 vjeç, i dënuar tre herë më parë për veprat penale të vjedhjes dhe moskallëzimit të krimit.
Gjithashtu Plangarica theksoi se është marrë masa e arrestit "detyrim paraqitje" për shtetasit Vangjel Profka, 58 vjeç dhe Sotiraq Sallaku, 51 vjeç.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri - tjetrin në prill të 2010 duke krijuar një Shoqëri Tregtare me objekt tregtimin me shumicë të karburanteve, nëpërmjet një skeme mashtrimi për një periudhë gati katër mujore, kanë fshehur aktivitetin real të transportit të naftës bruto përmes dokumenteve të falsifikuara, duke shkaktuar një evazion në një vlerë të konsiderueshme. Përfaqësuesit e kësaj shoqërie, në kundërshtim me ligjin, kanë lidhur dhe ekzekutuar një kontratë për blerje nafte bruto, e cila nuk rezulton të jetë dërguar për përpunim.
Sipas policisë në hetim janë përfshirë edhe njëmbëdhjete persona të tjerë që po hetohen në gjendje të lirë ndërkohë që materialet procedurale në ngarkim të këtyre personave i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.