Policia:Aleks Keka me precedentë penalë

Sot në mëngjes pas shpërthimit të automjetit tip Fuoristradë ka mbetur i vdekur kryetari i degës së Partisë Demokristiane në Qarkun e Malësisë së Madhe, Aleks Keka. Ai ishte duke udhëtuar me makinë nga Kopliku drejt Shkodrës kur automjeti me të cilin udhëtonte ka shpërthyer.Në një deklaratë për shtyp të Policisë së Shtetit thuhej se Aleks Keka ka qenë person me precedentë kriminalë. Ai është akuzuar për trafik narkotikësh dhe lëndësh plasëse. "Keka është evidentuar nga policia si person me precedentë të theksuar penalë, me tendencë trafikun e lëndëve narkotike dhe trafikun e mjeteve motorike si dhe trafikimin e lëndëve plasëse me telekomande", tha zëdhënësi i policisë, Klodian Branko.Sipas policisë mjeti me të cilin udhëtonte Keka ishte në pronësi të shtetasit Arben Vitani, i vrarë në vitin 2008, i njohur si ortak në biznes me të (Kekën). Policia bëri me dije se për hetimin e kësaj ngjarjeje janë angazhuar ekspertët e drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, laboratorit qëndror të kriminalistës, njësisë antieksploziv, nën drejtimin e prokurorisë së Shkodrës.