Letra/Qyteti i Pogradecit ka nevojë për alternativa të reja
Këto ditë në prag të zgjedhjeve lokale kanë shënuar edhe një fushatë të ethshme edhe në qytetin turistik të Pogradecit, duke vënë përballë dy kandidatura tw cilat që në pamjen e parë nuk kanë nevojë për tu menduar gjatë dhe për t’i gjykuar. Nga njëra anë është një kryebashkiak i cili kërkon riciklohet për herë të tretë prej Partisë Socialiste, por fatkeqësisht pa marrë parasysh fare periudhën abuzive në ushtrimin e pushtetit të tij gjatë mandateve të shkuara të këtij individi. Nga ana tjetër është Luan Topçiu, simboli i njeriut dhe intelektualit qytetar i cili në modelin e njerëzve të shquar që bënë Rilindjen Kombëtare vjen si njeri me plot vlera intelektuale për të përmirësuar gjendjen e qytetit në të cilin edhe pse punohet vazhdimisht, po vazhdimisht i përngjan një gërmadhe. Luan Topçiu vjen që ta rregullojë këtë gërmadhë që është shkaktuar nga një ish-kryebashkiak i dështuar siç është Artan Shkëmbi.
Prej katër vitesh këtij njeriu qytetarët e Pogradecit ia kishin harruar edhe fytyrën sepse rrallë e më rrallë shihej rrugëve të qytetit. Fshehur pas syzeve të zeza dhe xhamave të zinj të makinës dukej prej kohësh si një njeri që nuk i vë këmbët në tokë. Dukej si një njeri që nuk e di që rrugët janë me gropa dhe me pluhur dhe që ky pluhur të mbyt sidomos në verë, sepse fuoristradat e tij kanë amortizatorë të mirë dhe xhama gjithmonë të mbyllur. Kondicionerët në makinë dhe në zyrë i punojnë për mrekulli. Bashkia e Pogradecit i përngjan një institucioni të shndërruar në një kala të padepërtueshme që askush nuk e mësyn dot se nuk duhet të prishet qetësia e kryetarit. Sa çudi që këto ditë e pamë pa syzet e zeza dhe me këmbë në tokë. Por nuk e ka harruar synimin e tij tërësisht “perëndimor”, të blejë nga një makinë të re për gjithë anëtarët e familjes së tij sapo mbushin moshën për të disponuar një lejë për drejtim automjeti.
Por çka ndodhur në Pogradec gjatë këtyre viteve? Sigurisht një betonizim i paparë që fillon qysh nga parku i qytetit në breg të liqenit. Dhe merita e kryetarit me syze të zeza dhe me fuoristradë me xhama të zinj është shumë herë më e madhe se e të gjithë kryetarëve që ka pasur Pogradeci në të gjitha kohërat. Ky nuk është kryetar ore, ky është një sundimtar i vërtetë. Bën çfarë të dojë dhe si të dojë me qytetin e tij.
Njeriu i cili shëtit në parkun buzë liqenit (ku janë rralluar drurët, sa shumë janë rralluar) e di që ky park është shumë i vjetër për t’ia njohur këtë meritë kryetarit. Shtrimet e rishkrimet me tullat që kryetari i ka bërë rrugës (disa mund të thonë për herë të dytë dhe disa për herë të tretë) janë të cilësisë më të keqe që mund të bëhet. Pa kaluar viti duhen riparuar se cilësia është për të ardhur keq. Pallate betoni kanë mbërritur mbi trotuarin e sipërm të shëtitores; të gjitha ndërtime me një arkitekturë të shëmtuar e cila nuk gjendet as në ndonjë qytezë të vogël dhe pa pretendime. Të gjitha ndërtimet e mëparshme, të bëra me një perspektivë të qartë kishin një brez të gjelbër që i ndante nga trotuari, kemi parasysh këtu shtëpitë e pushimit të vendosura në seri njëra pas tjetrës, pikërisht në këtë zonë ku tani sheh pallate të ndërtuara me breza njëri pas tjetrit, pa zonë të gjelbëruar dhe pa hapësira urbane midis tyre që kur bie shi janë prodhuese balte dhe kur është mot i nxehtë bëhen prodhuese pluhuri.
Shtrimi i rrugëve dhe rrugicave është një dhunë urbane e paparë. Nëse shtrimi i një rruge përpiqet të përmirësojë jetën e qytetarëve sa më shumë që të jetë e mundur, në Pogradec ndodh e kundërta. Kuotat dhe niveli i rrugëve dhe rrugicave janë rritur aq shumë sa shtëpitë dhe ndërtesat përbri janë shndërruar në ishuj që ndodhen në gropa të mbytura me ujë në kohë shiu. Shtëpitë duken të përgjysmuara nga zhytja e tyre e vazhdueshme. Dhe balta në parkun buzë liqenit shpërthen nga lehet e luleve drejt e në mes të bulevardit, sepse nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur të gjitha ndodhen në të njëjtin nivel. Por kryetarit nuk i janë bërë ndonjëherë këpucët me baltë, sepse boll makina të mira prodhon perëndimi dhe kryetari nuk zbret përveçse para Bashkisë, për të bërë pak metra deri tek zyra e vet.
Rrugët që përshkojnë Pogradecin tejetej, dhe që njëkohësisht janë edhe rrugë nacionale, pra çdo udhëtari që kalon nga Tirana për në Korçë i duhet që patjetër të kalojë midis tyre, janë shndërruar në parkingje sepse kështu thotë vizioni pa vizion i kryetarit. Kjo do të thotë që secila makinë që parkohet ose del nga parkimi e ndërpret trafikun nacional dhe bëhet shkak për aksidente sepse kryetarit me “vizion” i pëlqen kjo gjë. Doni ta provoni, ejani dhe vozisni me mjetin tuaj në Pogradec.
Hapësira urbane është dëmtuar edhe nga lejet e shumta ndërtimore për pallate të mëdha në rrugica të ngushta ku mezi kalon një automjet i vogël dhe për fare pak kohë do ta fusin qytetin në një kolaps më të madh se ky që kalon sot. Tetë vjet në baltë, tetë vjet në pluhur, tetë vjet interesi yt është mbi atë të popullit të Pogradecit dhe muajin e fundit kur fushata elektorale për zgjedhjet lokale sapo ka nisur, fillon puna për të shtruar rrugë dhe për të thënë: “Shikoni sa mirë po punoj”. Por gjithkush edhe bashkëpartiakët e tij, i njohin shpeshherë sjelljet e tij të ngjashme me ato të një diktatori të vogël, ku nuk mungojnë fyerjet për kundërshtarët, ku ka rëndësi vetëm mendja e tij dhe specialistët nuk pyeten fare, sepse “kryetarka” ynë di çdo gjë. Kjo tingëllon si një tallje për gjithë qytetarët e Pogradecit, për ata të vjetrit dhe për të rinjtë, që presin të shohin një kryetar që punon çdo ditë të vitit dhe jo vetëm muajin e fushatës.
Përballë tij ndodhet intelektuali i shkëlqyer dhe përfaqësuesi i vlerave të vërteta kombëtare Luan Topçiu, njeriu i ideve të qarta dhe sjellësi i një fryme perëndimore në qytet. Asnjëherë nuk e ka konsideruar veten mbi të tjerët, por kontributet e tij renditen nga më pozitivet në çdo fushë ku ka qenë i angazhuar. I thjeshtë dhe i komunikueshëm, por mbi të gjitha me mendje të hapur, vizionet e tij për qytetin kanë qenë më të qartat që janë paraqitur ndonjëherë.
Luan Topçiu është njeriu i pakompromentuar, i cili nuk ka pasur ndonjëherë nevojë për politikën, por politika ka pasur nevojë për njerëz si ai. I njohur shpeshherë edhe si një ambasador i kulturës shqiptare jashtë Shqipërisë, njerëzit që kanë punuar pranë tij e njohin frymën pozitive dhe bashkëpunuese që përhap ai në ambientin ku punon.
“Forumi i Intelektualëve të Lirë” e mbështet fuqimisht kandidaturën e zotit Luan Topçiu dhe e mbështet plotësisht pa dallime partiake dhe me plot gojën i uron fitoren.
Forumi i Intelektualëve të Lirë, Pogradec 03. 05. 2011