E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qyteti” dhe “Demokracia Lokale”!

Më 7-8 shtator 2000, në Hanovër të Gjermanisë u mblodh sesioni i 12-të i Konferencës Europiane të Ministrave përgjegjës për Planifikimin Rajonal, ku u miratuan “Parimet Drejtuese për Zhvillimin e Qëndrueshëm Hapësinor të Kontinentit Europian”! Shqipëria dhe qytetet e krahinat e saj, do të duhet të orientohen nga kjo “filozofi zhvillimi”. Çdo sajesë apo rrugëtim tjetër, nuk do të meritonte emër më të keq se sa “anarki orientaliste”! Fushata për zgjedhjet lokale vijon, por se nuk gjejmë në shumë prej kandidatëve orientime të kodifikuara nga “Parimet Kryesore të Politikës së Planifikimit për një Zhvillim të Qëndrueshëm në Europë”. Le t’i përmend përmbledhtas këta parime “Nxitja e kohezionit territorial, nëpërmjet një zhvillimi më të balancuar social dhe ekonomik të rajoneve, duke përmirësuar konkurrimin”. Përball këtij principi, ne jemi në gjendje të kuptojmë se ç’ka ndodhur në Shqipëri në këta 20 vite të “anarki-tranzicionit”. Largime masive të antropologjisë nga trevat e brenda-territorit dhe zhveshja e tyre nga mundësia e zhvillimit, duke u lënë në mëshirë të fatit. Një dispropocion i tillë nivelesh, jo vetëm që prishi ekuilibrat themelorë, por se iu faturoi deformime qyteteve, duke i sjellë në një “ambient kaotik” të rregullit dhe informalitetit, të qytetërimit dhe fshatarizimit njëherësh. Qyteti ynë ndodhet gjeografikisht në Europë, por se si mentalitet shpesh është në thellësitë e Orientit dhe Mesjetës fshatare e tribale. Inkurajimi i zhvillimit që buron nga funksionet urbane dhe përmirësimi i marrëdhënieve midis qytetit dhe fshatit. Fatkeqësisht, ka ndodhur që popullsia rurale është derdhur në zonat urbane dhe, ndërtimet e betonta urbane, pa asnjë kriter dhe dialog me morfologjinë e relievit, me peizazhin gjeografik, janë mbjellë në zonat rurale. Kodrat e liqenit Artificial të Tiranës, janë betonizuar nga vendimet e një KRT-je komune që, “farkëtoi” këtë shëmtim sa anti-urbano-peisazhor, po aq edhe anti-ambientalo demografik. Po kështu në udhën që të shpie në malin e Dajtit, në plazhin e Durrësit dhe të Golemit, Himarës dhe “prite zot” se do të na përçudnohet e gjithë Riviera e Jugut. Sarandën e 40 shenjtorëve e kanë kthyer në “çetën e Ali Babës me 40 hajdutë”. Si iu bëri dora që prenë atje pemën e “Xhixhibanozit” që mbreti Zog e kishte sjell nga jashtë. Nuk mund të flitet për zhvillim të fshatit, kur zona e Kurveleshit me rreth 60 km rrugë, përshkruhet me makinë për 6 orë e gjysmë! Aksibiliteti i balancuar, si edhe shprehet një tjetër princip europian, realizohet kur ka strategji të zhvillimit kombëtar dhe rajonal, të përgjithshëm dhe parcial, të kombinuar dhe plotësonjës. Kultura demokratike në hapësirat lokale nuk është “diskrecion absolut” që tek ne vinë e merr aromë bejlerësh e erë djerse agallarësh, ku në fshatra (kryeplaku), në komuna (kryekomunari) e në bashki të vogla apo bashki të mëdha (kryebashkiaku) harrojnë se “Nuk ka të drejta pa përgjegjësi dhe, nuk ka autoritet pa demokraci”. Zhvillimi i aksesit në informacion dhe njohuri. Hapësirat lokale e kanë të domosdoshme sa edhe qytetet e mëdha sepse edhe ai/ajo që jeton në fshat, ka nevojë për formimin civil dhe edukimin qytetar. Por me shkollat dhe arsimtarët tanë në fshatra, evropianizimi civil dhe demokracia e komunitetit, duken si farë në mes detit. Reduktimi i dëmtimit të mjedisit. Ky parim vjen si kambanë përgjegjësie, për ne shqiptarët e anarki-tranzicionit, sepse pyjet i premë, dheu po shket drejt detit dhe më vjen për të qarë kur shoh se si kodrat e bukura të Ulzës po rrafshohen! Sesi hektarë me bimësi të egër bio priten në fshatin tim të origjinës Borsh (borë dhe shi ky është kuptimi i emrit). Lumenjtë kanë mbetur pa zhavorr dhe brigje. Detet janë ngopur me ujëra të zeza. Malet po “kafshohen” nga “guroret keqane” të tregut makabër. Politika europiane e planifikimit hapësinor të detyron për “Zgjerimin dhe mbrojtjen e burimeve natyrore dhe të trashëgimisë natyrore”. Ne kemi polici Pyjore, por na duhet edhe një polici që të ruaj policitë! Zhvillimi i burimeve të energjisë, duke ruajtur sigurinë. Asgjë nuk është bërë tek ne. Një vend mesdhetar me rreth 300 ditë me diell, nuk e shfrytëzon këtë energji të pastër për interesa urbane dhe konsum qytetar, në fshat dhe në qytet. A është normale që edhe në behar të lahesh me ujë të nxehur nga bolieri elektrik?! Pushteti lokal duhet të fillojë me urgjencë një bashkëpunim për investime të këtij karakteri, ku bashkë-investues të jenë “Bashkia-Qytetari dhe Bankat”, si për të realizuar termo-izolime që kursejnë energjinë, ashtu dhe për të instaluar impiante që prodhojnë energji urbane nga qytetari dhe që futen në rrjetet magjistrale, në raportin dhënie-marrje, sipas mundësive dhe stinëve. Demokraci lokale që, nuk merret me energjinë dhe funksionet e saj “antropo-urbane” dhe “antropo-rurale”, është thjesht një pushtet jashtë funksioni.” Integrimi i turizmit të një cilësie të lartë e të qëndrueshëm”. Turizmi bëhet gjatë gjithë vitit dhe nuk duhet ngatërruar me pushimet verore buzë detit për të përballuar vapën! Unë banojë në Tiranë dhe dua të bëj turizëm gjatë gjithë vitit në malin e Dajtit, po rruga është e denjë për të ta shpënë makinën në varreza para kohe! Dëshiroj të shkoj më tej, tek Mali me Gropa apo në Qafmollë, në Theth apo Kërrabë! Pushteti lokal që i administron këto zona, duhet të sjelli këtë shërbim gjatë gjithë vitit. Kështu ai shfrytëzon burimet e veta, shtonë të ardhurat dhe ritë cilësinë e jetës! Europa e Bashkuar është e drejtuar nga parimi Kufizimi i impakteve të katastrofave natyrore. Pushteti lokal tek ne, as që e vë ujët në zjarr për këtë detyrim dhe, kur ato ndodhin si përmbytjet e këtij viti në Shkodër, ne mbetemi me sytë nga qielli dhe me lutje nga qeveria që detyrohet të shpenzojë disa fish, duke devijuar fondet nga kahja e zhvillimit, tek “anti-kahja” e emergjencës civile, pasi është prishur dhe shkatërruar çdo investim i trashëguar për disiplinimet e ujërave në Shqipëri. Thelbi antropologjik i filozofisë europiane të “Kartës Urbane” është:”Qytetarët kanë të drejta themelore urbane, të drejtën e mbrojtjes nga agresioni, nga ndotja, nga një mjedis shqetësues e i vështirë urban, të drejtën për të ushtruar kontrollin demokratik të komunitetit të tyre lokal, të drejtën për strehim të përshtatshëm, shëndet, oportunitet kulturor dhe lëvizje”.
* * *
Sfidë e hapur për një antropologji në tranzicion se kjo jona, është ky ndryshim europianizues në kuptimin civil, që është një revolucion që do ta nxirrte antropologjinë shqiptare nga inkubacioni historik fshataresk me rrënjë të thella, drejt civilizimit qytetar borgjez. Ai do të duhet të ndihmojë në mbushjen e boshllëqeve për shkak të sistemit të munguar borgjez. Kjo është sfida më e madhe e popullit shqiptar, e kulturës, e politikës dhe e institucioneve në përgjithësi. Hallka kryesore e këtij transformimi do të duhet të jetë “ruajtja e qyteteve nga provincializmi në mentalitetin drejtues të tyre”, që vjen pa pikë turpi edhe në këtë fushatë, kur të gjitha premtimet fillojnë me fjalën UNË… Po ti kush je?! A ka institucione lokale të zgjedhura dhe emëruara që vendosin dhe kanë kompetenca apo jo?! Madje në pushtetin lokal, rajonal e atë qendror, në ditët tona diskutohet për largimin përfundimtar nga “manifestet ideologjike-politike” që lidhen me interesat e një “shumice fituese” të zgjedhjeve dhe; është avancuar me sukses vendimmarrja referendare qytetare, direkte me votim tradicional shembulli zviceran apo elektronik (modeli suedez). Dëgjojë të thotë zoti Lulëzim Basha, se do të ndërtojë një mbikalim tek sheshi 21 dhjetori. Më habit kuraja perfide e tij. Po ai prishi mbikalimin tek sheshi “Zogu i Zi”. Humbi çështjen në Gjykatën Kushtetuese sa humbje në gjykatë në fare pak vite ka ky person në curriculumin e tij të shkurtër politik. Si dhe krijoi një impakt negativ me konferencën e përhershme të autoriteteve lokale dhe rajonale të Europës (CLRAE). Qytetet tona duhen kuruar nga fshatarizimi në marrëdhëniet antropourbane, si dhe nga “kafshimi” anarkik helmues e përçudnues i tregut që fut në “vrimën e tij të zezë” çdo pushtetar lokal, qoftë ky “i stazhonuar, qoftë taze në detyrë! Biznesi mega-fitimprurës i ndërtimit të banesave, ka ndryshuar përmes betonizimit bunkerial të qyteteve dhe mikroklimën ambientale, edhe klimën sociale, dhe homogjinitetin e hapësirës antropologjike të qyteteve, për shkak të përzierjes pa kriter dhe anarkik të shtresave dhe grupeve të popullsisë. Qytetet tona shumë kanë ndryshuar, por pak janë zhvilluar, sepse ndryshimi është hap përpara, në lidhje me të shkuarën, por ai, jo në çdo rast është zhvillim. Nëse ky ndryshim i arritur pengon ecjen përpara në dekadat, që do të vijnë, për shkak të mbylljes së perspektivës, dhe nuk lejon progresin normal, ai nuk është ndryshim që sjell zhvillim. Progresivizmi i qyteteve tona, sipas modelit europianizues, duket se do të ketë kosto, jo vetëm për shkak të boshllëqeve historike, por më shumë për arsye të anarkisë së tranzicionit. Prej pak kohësh ne kemi një ligj të planifikimit hapësinor sipas modelit të BE-së. Ky homologim ligjor është një ogur i mirë në udhën e transformimit të antropologjisë, nëpërmjet disiplinimit shkencor e ligjor, demografik e urban, aktual dhe në perspektiv. Premtimet euforike, të pabazuara dhe inkompetente, të sjellin në mëndje Plakun e Vitit të Ri. Por 31 dhjetori nuk bie më 8 maj! Interesat e qytetarëve e demokracia lokale nuk dalin nga ai “thes ëndrrash” apo nga përbetime kandidatësh që, po tregojnë aftësi se dinë të sillen si “Père de Noël”! Politikat europianizuese nuk mbarsen as në zyra partish, as në mitingje elektorale, ku “vetëmburrja pa kufij”(pessimum genus inimicorum laudantes) dhe “festimet e dendura” si edhe thoshte historiani i lashtë romak Tacitus, janë armiqtë më të rrezikshëm! Qytetet dhe qytetërimi nuk mund të përparojnë pa dije, kompetencë dhe demokraci. Individi-komuniteti-pushteti është trinomi brenda të cilit lëvizet për t’u zhvilluar e evropianizuar.
(shkrimi u botua sot ne Gazeta Shqiptare)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›