E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika 2010, janari muaji i ngjeshur me aktivitete

Viti 2010 e gjen klasën politike në një ngërç të cilin viti që sapo u mbyll nuk e zgjidhi dot. Kështu PS-ja pritet që rreth datës 10 janar të rinisë protestat ndërkohë që deputetët e maxhorancës do të ulen të vetëm në datën 18 janar në sallën e parlamentit.
Kështu muaji janar pritet që të jetë i mbushur me zhvillime politike, veçanërisht për shkak të problemeve që ekzistojnë mes maxhorancës dhe opozitës. Edhe pse në daljet e fundit publike lideri i maxhorancës Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama nuk u tërhoqën aspak nga pozicionet e tyre shumëkush shpreson që mosmarrëveshjet mes tyre të zgjidhen dhe opozita të kthehet në parlament. Kjo bëhet e domosdoshme edhe për shkak të statusit të vendit kandidat në BE, status i cili nuk mund të merret nëse nuk gjendet gjuha e dialogut mes dy forcave kryesore politike në vend.
Nëse sesioni i parë i parlamentit u mbyll pa praninë e opozitës duket se edhe sesioni i dytë do të nisë po kështu, pasi PS-ja ka paralajmeruar se në rast se nuk do të hapen kutitë e votimit protestat do të vazhdojnë deri në rrëzimin e qeverisë.
Nga ana tjetër tre muajt e parë të këtij viti do ti kërkojnë shumë energji qeverisë shqiptare lidhur me përgjigjen ndaj 2280 pyetjeve të Komisionit Evropian, të cilat mbërritën në Tiranë në 16 dhjetor.
Një tjetër ngjarje e rëndësishme për qytetarët shqiptarë është liberalizimi i pritshëm i regjimit të vizave. Në muajt e parë të këtij viti pritet që Komisioni Evropian të nisë grupet që do të vëzhgojnë në terren se si qeveria shqiptare ka zbatuar kriteret që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e regjimit të vizave. Nëse raportet e këtyre grupeve do të jenë pozitive atëherë në mesin e këtij viti shqiptarët mund të marrin lajmin e mirë se nuk do të ketë më kufij për ta.
Ndërkaq ky vit do të shënojë zhvillime edhe brenda vetë partive politike. PD-ja në javën e dytë të janarit pritet të zgjedhë strukturat drejtuese duke filluar nga nënkryetarët e deri tek kryesia. Nga ana tjetër PS-ja po bëhet gati për të mbajtur në pranverë kongresin ku priten një sërë ndryshimesh në forumet drejtuese por edhe në statut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›