E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika BB

Sëmundja e opozitës mund të emërtohet “Ethe për pushtet të parakohshëm”. Alibia e së drejtës, për të protestuar për pushtet të parakohshëm, u bënë kutitë. Me to dhe për to, u krye vetësugjestionimi i pjesshëm politik, brenda partisë se, “zgjedhjet i kemi fituar”. Por që, zgjedhjet t’i ketë fituar, nuk kanë thënë, atëherë, sot e as njëherë, as ushtria e komisionerëve të saj, as një pjesë e vetë Partisë Socialiste, as Komisioni Zgjedhor, as Gjykata, as OSBE dhe ODHIR, as Bashkimi Europian, as Departamenti i Shtetit i SHBA, dhe asnjë personalitet botëror nuk e ka tërhequr telegramin përshëndetës për kryeministrin Berisha.
Përballë e kundër të gjithëve, kryetari i PS ndërtoi politikën BB (Bojkot - Bllokim). Sa janë rreth tij, menduan dhe mendojnë se, në dorë shtrëngojnë fort një çelës, që është përmbi kushtet e BE: qeveria e Tiranës dhe qeveria e Brukselit, le të zgjedhin, ose të hapin kutitë, ose s’ka viza. Eshtë gati e pabesueshme, kjo kryeneçësi dhe babëzi, për pushtet. Mirë se, opozita vihet kundër pozitës, po si guxon opozita të sillet kësisoj kundër Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në kohën më përcaktuese? është e papërfytyrueshme një fitore e saj kundër të treve: shqiptarëve, Shqipërisë dhe Brukselit? Ajo dëshiron të shtyhet heqja e vizave dhe, pastaj këtë ta përdorë në luftën për pushtet.
Bojkoti, për një kohë të gjatë si mospjesëmarrje, më pas si lojë për mosdjegien e mandateve e marrjen e rrogave, duhet thënë se, vërtetë dëmtoi por vërtetë dështoi: askush nuk i ka përkrahur, brenda e jashtë vendit, për muaj të tërë mungese. Të zemëruar nga kjo dhe të vendosur për ta bërë heqjen e vizave çështje të rëndësishme në fatin e zgjedhjeve të ardhshme, në kohën më vendimtare të përmbylljes së procesit, politikën e Bojkotit e shndërruan në politikë të Bllokimit. Ndoshta, ai fillim i beftë i nisjes së punimeve në Sheshin “Skendërbej”, s’kishte tjetër qëllim në atë turravrap pa rregulla, veçse ndalimin e rrahjes së zemrës së Tiranës, pa marrë atë masë paraprake të domosdoshme, që e di edhe një i lajthirur, sepse ka plot tridhjet e ca vjet që thuhet. Në kulmin e një kaosi, që nuk vjen nga trafiku - sepse po aq makina janë sa kanë qenë edhe me parë - por gati njëherësh me futjen në kaos të mundësive për qarkullim në kryeqendrën e vendit, midis selive të dy pushteteve kryesore - Kuvendit dhe Kryeministrisë, u ngrit fushimi i çadrave të grevës së urisë, manifestimi më i ashpër i pushtetit paralel në rrugë, për marrjen parakohe të dypushteteve, Kuvendin dhe Qeverinë. Kjo është përpjekje për bllokim fizik, politik e shtetëror. Kurse, në qytete të tjera, dhe me prurës prej tyre, bllokohen rrugët më jetike të kryeqytetit, pa e çarë kryet për nervat e qytetarëve. Strategjia e bllokimit të përgjithshëm, të rrugëve, të pushtetit lokal, të Kuvendit, dhe thirrja e njëmijë e një problemeve për të anëtarësim të protestuesve - me para, siç thonë disa media, dhe me militantizëm siç dëgjohet nga foltoret, nuk ka qëllim tjetër, më afatshkurtër, se sa përpjekja për ndikim te Bashkimi Europian, që Shqipërisë t’i shtyhet heqja e vizave. Kaq e vërtetë është kjo sa që, mes protestuesve të tyre, janë dëgjuar bashkëbisedime fatkeqësh: ”E ç’na duhet heqja e vizave? Keq për viza jemi ne!”. Por, ata që u prijnë dhe u bëjnë thirrje protestuesve, kanë pasaporta diplomatike; në mos jo, kanë pasaporta shërbimi; në mos jo, viza marrin menjëherë, sa herë e kur t’u duhen. Le t’i dorëzojnë vullnetarisht pasaportat diplomatike e të bëhen barabar me popullin opozitar; le t’i lënë pasaportat e shërbimit për të qenë njëlloj me të; le të hyjnë në vështirësitë e qytetartëve të zakonshëm për një vizë dhe, atëherë t’i shohim: ata do të protestojnë se nuk kanë viza dhe lehtësi udhëtimi.
Synimi i madh i heqjes së vizave, nuk ndan popullin opozitar nga populli pozitar, siç e bën ndarjen Partia Socialiste. Ka Shqipëri e shqiptarë dhe vendimin, Bashkimi Europian me siguri do ta marrë në raport me ta dhe jo me përpjekjet dinake e të dëshpëruara, për bllokimin e Shqipërisë në udhëtimin e lirë të qytetarëve të saj. Edhe politika e Bllokimit është në prag të dështimit. Ajo që dëgjohet nën zë, është se, a do të guxojë Partia Socialiste që, pasi dështoi në politikën e Bojkotit, pasi të dështoi në politikën e Bllokimit, të dëgjenerojë në politikën e Dhunës? Le ta themi hapur: po të mos ishte faktori ndërkombëtar, druaj se po! Duke mos mundur të zbatoi fazën e tretë, e gjithë kjo që është bërë deri tani, do të vlejë si një stërvitje politike që i bëhet Partisë Socialiste, për t’u përgatitur për zgjedhjet e kohshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›