E Diel, 1 Nëntor 2026

Lakenjtë e Edvinit dëshirojnë, domosdoshmërisht, që të jemi në krizë ekonomike!

“Eurozona”“ është bërë një nocion i ri problematik për tronditjen e euros në Ballkan. Dihet se kjo monedhë, në kuadër të komunitetit europian, mundi të rivalizojë me një sukses të dukshëm ndaj monedhës së vjetër amerikane, dollarit. Tani po merren masa të shpejta që, pas një dëmtimi të skajshëm të saj, kjo monedhë e një stadi të hovshëm të mëparshëm, të rimarrë shkëlqimin e saj. Si vende që janë vënë nën shënjestër për dëmtimin e euros, janë vënë Greqia dhe Bullgaria.
Greqia pati zemërimin e papërmbajtur të kancelares gjermane, zonjës Merkel. Kjo fillimisht foli ashpër kundër shtetit grek duke nxjerrë në pah flijimin e përbashkët të vendeve auropiane për të përballuar krizën ekonomike greke. Zonja Merkel tha një gjë që e dëshpëroi Greqinë: - “Le t’i shesë ishujt e saj të pabanueshëm, që të investojnë biznesmenët e huaj për t’i bërë vende turistike, me qëllim që të përballojë humbjet e shumta në euro dhe të mbyllë borxhet që e kanë çuar këtë shtet në krizë financiare”. Por qëndrimi kundër këtij shteti u zbut dhe tani u vunë më tepër se një milard euro në dispozicion të këtij vendi i cili, sipas projektit të z. Papandreu, do të duhet të bëjë sakrifica gjer në rritjen e taksave.
Këtë temë të nxehtë e ka paraqitur analisti Petrik Mur, në një koment që përfshin edhe Bullgarinë: “Tani duket sikur Gjermania dhe shumë vende të tjera të pasura të BE-së, kanë dyshime për Ballkanin, në përgjithësi. Pra, ato vende të pasura ka pak gjasa që të lejojnë Bullgarinë të realizojë synimin për të përfituar euron deri në vitin 2014; sepse Bullgaria ka gënjyer në të kaluarën rreth zbatimit të reformave dhe “luftës” kundër korrupsionit dhe tani nuk mund t’i besohet më” – ka shkruar Muri.
Meqë Ballkani është në qendër të vëmendjes, tanimë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është bërë tepër syçelët, veçanërisht ndaj shteteve ballkanike. Qoftë për qeverisjen Berisha 1 të 2005-s, qoftë edhe për qeverisjen Berisha 2, me bashkëpunimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim të qershorit të vitit të kaluar, FMN ka thënë fjalët më të mira për progresin e Shqipërisë në progresin ekonomik. Faktori evropian ka vlerësuar luftën kundër korrupsionit në vendin tonë, si edhe marrjen e masave efektive, qysh në qeverisjen e parë, për një qeveri të reduktuar, kursimtare; për një përparim të dukshëm në trafikimet detare dhe kufitare dhe për dënimin e të korruptuarve (mbi njëqind të tillë, të administratës pushtetare). Por peshkaqenët e mëdhenj, të pasuruar në mënyrë marramendëse pas ’97-s, mbetën të pandëshkuar. U shfrytëzua me leverdi edhe bashkëfajësia e Theodhori Sollakut. Edvin Rama, nuk i përmend më fjalët e tij që vërshuan para këpëdarëve injorantë, të zgjedhur me kokrra, sa për të marrë E.R.-ja vendin e kryetarit të mëparshëm të PS-së, i cili kishte dhënë dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve. Rama tha (e ç’nuk tha) për të mallkuar tetëvjeçarin pushtetar të mëparshëm: - “E kishim me hak humbjen e pushtetit. Korrupsioni ishte galopant...”. S’ka nevojë të hyjmë më thellë në fjalimet e tij të asaj kohe. Por asnjërit prej atyre, që ai mallkoi gjer në kupë të qiellit, nuk u hyri gjembi në këmbë.
Lind pyetja: Si u mbajt në këmbë për tetë vite rresht një qeverisje e tillë, e përshkruar edhe nga vetë E. Rama, me ngjyra të zeza, sterrë? Përgjigja është e thjeshtë: Nga ato palo zgjedhje që bëheshin në atë kohë. Duke filluar nga ato të 29 qershorit të vitit 1997, që nuk meritonin as emërtesën zgjedhje. Sepse ishin zgjedhje domenesh, pa kundërshtarë. Ishin varur simbolikisht nëpër degët e pemëve litarë me lak, ku do të vareshin kandidatët e PD-së! Zgjedhje pa kundërshtarë! (Kjo është dokumentuar në libra dhe në shtypin e kohës).
Përkundrejt këtyre “zgjedhjeve u thënçin” , propagandistët e rrenës nuk duhet të zënë me gojë as zgjedhjet e 1996-s, që i braktisën vetë, kur e panë humbjen! I përmendim këto, duke pranuar se zgjedhjet duheshin përsëritur, ku t’ua donte qejfi provokatorëve. Ato do të fitoheshin sërish, pavarësisht se në një masë më të vogël.
Tani kërkohen të hapen kutitë e votimit, pa e vrarë mendjen se kjo nuk mund të bëhet si me hapë një koperton që ka një vrimë! Nëse do të pranohet se mund të hapen duke shpërfillur ligjin, duke mos pranuar asnjë konsultë me Komisionin e Venecies, duke rënë ndesh me Kushtetutën, atëherë ne nuk do të ishim një shtet ligjor. Dhe kjo do të na kushtonte shtrenjtë!
***
Bullgaria penalizohet tani, - dhe kritika e Petrik Murit është e ashpër, - “Thjesht për shkak të gënjeshtrave në të kaluarën”. Që t’i rikthehemi çështjes financiare, askush nga ekspertët ndërkombëtarë ekonomikë nuk e vë Shqipërinë në kategorinë e Greqisë dhe të Bullgarisë. Përkundrazi, theksojnë se Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare botërore. Janë tjetër gjë ndikimet negative, që nuk përjashtohen edhe në vendin tonë. Por propaganda e Edvinit na e nxjerr këtë të fundit si primare. Kështu gjendemi në paradoksin se një pjesë e shqiptarëve (bash ata që komandohen nga E. Rama) na shurdhojnë veshët se jemi (më saktë: dëshirojnë ata që të jemi) në krizë ekonomike, ndonëse të zotët e punës thonë të kundërtën. Këtë e thonë vetë ata që skanojnë profesionalisht gjendjen e çdo shteti në Europë dhe, sidomos, në Ballkan. I zoti e jep, tellalli s’e jep.
Në çdo rrugëtim, udhëtarët shohin vilat trekatëshe e më tepër të fshatarëve, që në kohën e kooperativizmit enverist ishin me “çati” prej kashte. Nihilistët i përfytyrojnë këto kasolle si në kohën kur flitej për “fshatin tonë socialist”! Sot jo vetëm universitetet dhe shkollat e mesme, por edhe ato nëntëvjeçare, janë me salla të mbushura me kompjuter. Madje nxënësit i sheh kudo me celularë: rrugëve, rrugicave, autobusëve. Nihilistët nuk i shohin, se i kanë syzet opake! Televizorët me ngjyra i sheh kudo. Propagandistët e Ramës nuk i shohin. Makinat po shtohen dita-ditës dhe nuk i nxënë rrugët. Nostalgjikët përmallohen me biçikletat kineze!
Kjo nuk do të thotë që s’ka të varfër (të tillë ka edhe bota e përparuar. Por shumë prej tyre ia dalin në njëfarë mënyre, qoftë edhe duke shitur banane! Kurse në kohën e të paharrueshmit të tyre, Enver Hoxhës, “armiqtë” që s’ishin të tillë, ushqeheshin me hithra, që gjenin mezhdave. Sepse edhe puna me kazmë quhej luks, për ata që pushteti “demokratik” i quante “të deklasuar”! Sesa të shumtë ishin këta mjeranë, mjafton të themi se një pjesë ishin të besuar dhe pjesa tjetër, më e madhja, përbënin armatën e fatkëqijve!
Duke kundërshtuar atë që e pohon faktori monetar ndërkombëtar dhe BE-ja, PS-ja e Edvinit bie në një gjendje të dyfishtë: Së pari, ajo dëshmon se është antikombëtare për hir të pushtetit që kërkon të uzurpojë, ashtu siç ishte E. Hoxha kur orvatej t’i jepte Titos ofiqin e Sekretarit I të K.Q. të PK-së shqiptare (!), vetëm që të ruante karrigen e tij dhe të jesmenëve përreth. Së dyti, do të ishte amorale që të fliste për kontribute në liberalizimin e vizave Shengen kur u përpoq, me sa të mundej, që ta pengonte, me sa të mundej, këtë aspiratë të zjarrtë të të gjithë shqiptarëve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›