E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Kameron dhe teza e tij e revolucionit konservator

Kur e sheh për herë të parë, David Kameron nuk është se të ngjall shumë simpati. Bile mund të them se nuk ka ndonjë karizmë të madhe. Edhe më pak të këndshëm janë mbështetësit e tij, disa Torie-s që nisin me Murdoch, e zënë fill deri tek “The Economist”, i specializuar kryesisht për shpifje në shtyp ndaj Italisë: e fundit që më godet në sentimente më intime është se, e përcakton Jugun e Italisë “mbretëria e bordellos” dhe bën thirrje për dëbimin e saj nga Europa. Por Kameron nuk është vetëm një fjalëkalim që Anglia ka zgjedhur për të mbyllur hesapet me laburistët e Gordon Broun, por pretendon të jetë një qasje për ndryshim.
David Kameron është lideri i ri dhe pragmatist i një partie të re dhe antike, Partia Konservatore, e cila ka ditur të ringjallet në një mënyrë interesante. E them këtë duke menduar Britaninë e Madhe, por edhe në Europën, Italinë dhe të djathtët e saj. David Kameron ka premtuar një revolucion konservator. Termi, për europianët kontinentalë, të kujton lëvizjet e mëdha të ideve në histori, sidomos autorët e mëdhenj. Por në zhargonin politik Atlantik, është folur për revolucionin konservator kur patëm valën e Reganit; foli për të Guy Sorman, për shembull. Mirëpo çka është risia që ofron rioshi anglez? David Kameron ka kuptuar se nuk mund të jesh konservator me parukë në vitin 2010, dhe as mund edhe të përsërisësh recetën e Theçer, një recetë e shëndetshme e tridhjetë viteve më parë. Pra, ka marrë se bashku ide të forta dhe vlera të qëndrueshme të traditës konservatore me ide të reja, gjuhë të reja dhe hapje në të tashmen. Të gjitha të mbështjella në një luk rastësor, sportiv dhe të sigurt.
Të tre dallimet kryesore nga konservatorët e së kaluarës janë shumë interesante për ne europianët, sepse duket sikur vijnë nga kontinenti ynë. E para është pikë-kthesa sociale e konservatorizmit, një projekt reformator, me besimin se Qeveria duhet të sigurojë sa më shumë drejtësi sociale, më shumë cilësi në shkollën publike, kontroll anarkisë financiare pas çmendurisë së prodhuar nga tregu. Një ndryshim nga tradita konservatore angleze dhe ndaj konservatorizmi alla-Theçer; por një ndryshim që lidh konservatorët britanikë me traditën kristian-sociale, goliste dhe të djathtën sociale europiane. Në Itali një gjë të tillë e ka bërë ministri i financave Giulio Tremonti, duke kaluar nga liberalizmi në një vizion social të Shtetit, duke kritikuar tregun dhe forcuar mbrojtjen e traditës. Risia e dytë është që konservatorët po interesohen për ambientin, mbrojtjen e natyrës nga degradimi dhe ndotja, vizioni i një eko/konservatorizmi, i cili më në fund heq monopolin e gjelbër të të menduarit radikal dhe ideologjik. Ai është i gatshëm ta kombinojë realizmin e konservatorëve me problemet mjedisore. Një ndryshim i bukur.
Tema e tretë e re është ideja e komunitetit, një temë qendrore e së djathtës së re europiane. Një ide e fortë, e cila i lejon nga një anë Kameron-it të ndryshojë ndaj individualizmit të konservatorëve ose idesë Popper-iane të Theçerit, që shoqëria nuk ekziston, por ekzistojnë vetëm individët. Por nga ana tjetër ideja e komunitetit i lejon Kameron-it të rimarrë në një mënyrë të re mbrojtjen e lidhjeve territoriale, të identitetit kombëtar, traditave angleze, rrënjët kristiane të kombit, familjen, e cila është në zemër të fjalimeve të Kameronit, politika për fëmijët dhe mbrojtja e institucionit të martesës. Këtu janë shartuar edhe disa hapje të Kameron, të cilat janë edhe të diskutueshme, siç janë “Pacs” për të njohur për çiftet homoseksuale, një hapje ndaj zakoneve, të cilat janë të pa-praktikueshme sipas rreptësisë puritane Viktoriane; një linjë më e butë ndaj drogës, e cila tani është kthyer direkt mbrapsht, duke pasur parasysh efektet shkatërruese që prodhoi një hapje e tillë. Ka edhe intelektualë italianë që ngulmojnë se këto ide janë në një analogji me kursin e ri të Gianfranco Fini brenda Pdl (Populli i Lirisë). Por harrojnë temat e forta të Kameron, mbi familjen, identitetin kombëtar, traditat fetare, komunitetin apo tolerancën zero ndaj krimit dhe emigracionit të paligjshëm. Rreth emigracionit, psh, sipas Kameron ka dështuar modeli multi-kulturor anglez; duhet nga një anë të njohim dhe të respektojmë të gjithë popujt dhe të drejtat e tyre, që të integrohen plotësisht emigrantët e ligjshëm, por nga ana tjetër duhet të sigurohet kohezion kombëtar, në pajtim me Ligjin anglez dhe përparësinë komunitetit kombëtar mbi pakicat etno-fetare.
Shtrydh këto komente dhe këto pozicione të tij jo vetëm se kam ndjekur fushatën e tij, por pasi kam lexuar dy libra si, “Revolucioni im konservator", i cili është rezultat i bisedës së Kameron-it me gazetarin Dylan Jones (i dalë në Itali me një parathënie të shkruar nga G. Fini), dhe pastaj në librin, “Kameron, konservatorizmi i ri” të shkruar nga Francis Elliott dhe James Hanning. Nuk e di nëse Kameron është në gjendje për t’i vënë në jetë këto ide, dhe në qoftë se ai mund të bëjë një qeveri, sidomos tani që dihet se ai nuk ka një shumicë absolute të vendeve në parlament.
Së fundmi kam dy gjëra: Anglia gjithnjë e më shumë i ngjan Europës kontinentale dhe se konservatorët si Kameron do të duhet të përshtaten me inteligjencën më të zhdërvjellët. Dhe ky është një paradoks, duke pasur parasysh se Kameron mbetet një Euro-skeptik. Dhe pastaj, pas epokës Bler, pas laburistëve shumë Liberalë dhe pak laburistë, luftëtarë dhe shumë pro-amerikanë, vjen një konservator që ri-zbulon Socialen, Komunitetin, i cili di të distancohet nga Shtetet e Bashkuara kur duhet dhe që nuk e mbështet Izraelin kur lëshon raketat, që kritikon Bushin për hutimin që ka pasur ndaj mjedisit (por pastaj e imiton në rinisjen e konservatorizmit). Por gjithsesi, që e majta britanike ishte gjithmonë e më shumë liberale sesa komunitare, unë e kam gjetur në korrespondencën që kam patur me Sir Ralf Dahrendorf, që kundërshtonte komunitarizmin me vizionin individualist.

Autori është Filozof, Publicist, analist i gazetës italiane “Il Giornale”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›