E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika depoziton 3 kallëzime për zgjedhjet

10/05/2010 Dhjetë muaj nga 28 qershori, në Prokurori u kryen vetëm 3 kallëzime penale nga subjektet politike

Tre prokuroritë që hetojnë zgjedhjet. Juristët: Partitë t’i kërkojnë Prokurorisë hetim

TIRANE- Për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Prokurori janë depozituar vetëm tre kallëzime penale, ku subjektet apo individët politikë kanë kërkuar hetimin e abuzimeve të kryera në qendrat e votimit. Zgjedhjet u kontestuan dhe vazhdojnë të kontestohen nga partitë opozitare, të cilat gjatë kësaj kohe kanë organizuar një seri protestash për të rihapur kutitë e votimit. Sipas burimeve nga organi i akuzës, këto kallëzime janë kryer në Prokurorinë e Fierit dhe atë të Shkodrës, ku në të parën ka depozituar kallëzim Partia Socialiste, ndërsa në të dytën Partia Demokristiane dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Një gjë e tillë u bë me dije nga të gjithë drejtuesit e prokurorive në rrethe, ku shumica e të cilëve në një lidhje telefonike për gazetën “Metropol”, sqaruan se gjatë kësaj kohe nuk kishin marrë asnjë kallëzim penal nga subjektet politike apo kandidatët që humbën apo fituan në zgjedhjet e 28 qershorit. Mësohet se për dy kallëzimet e PS dhe KQZ, kanë përfunduar hetimet dhe aktualisht çështja në ngarkim të personave përgjegjës i ka kaluar për gjykim, gjykatave të rretheve Fier dhe Shkodër. Kjo e fundit pasi ka shqyrtuar çështjen në ngarkim të katër komisionerëve të denoncuar nga KQZ, ka vendosur dënimin e tyre me gjobë, për akuzën e largimit nga qendrat e votimit, vepër penale kjo që parashikohet në Kodin Zgjedhor. Ndërkohë që për sa i përket dosjes penale të depozituar në Fier, ajo ende është në proces gjykimi ku të pandehur janë komisionerët e komunës Ruzhdije. Burimet pranë Prokurorisë Shkodër theksuan se aktualisht janë duke hetuar kallëzimin e Partisë Demokristiane dhe për pasojë nuk mund të bëjnë të dhënat publike. Ky numër i vogël i denoncimeve në Prokurori, tregon se politika shqiptare ka humbur besimin ndaj organit të akuzës, dhe për pasojë ka preferuar që çështjen të mos e ndjekë penalisht, por nëpërmjet protestave të kërkojë në mënyrë të vazhdueshme hapjen e kutive dhe hetimin parlamentar të tyre. Më pas provat dhe faktet që do konstatohen, sipas politikës, do i dërgohen Prokurorisë për hetime të mëtejshme. Mirëpo sipas juristëve që këtu fillon mosbesimi i subjekteve politike për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit nga Prokuroria, pasi kjo e fundit shihet prej tyre si një institucion që është e paaftë të bëjë hetimin në strategjitë e subjekteve politike. Me gjithë skemave dhe qarqeve që paraprijnë subjektet politike, Prokuroria e tregoi pozicionin e saj në hetimin e kutisë së qendrës së votimit në komunën e Ruzhdijes, ku pas një hetimi disa mujor dhe tepër të heshtur arriti të hedhë dritë mbi falsifikimin e rezultatit të votimit, çështje kjo që më pas do të kthehej në një skandal të vërtetë, si dhe në gurin kryesor të opozitës, për të goditur qeverinë aktuale. Tre kallëzimet e depozituara në Prokurori vazhdojnë të tregojnë se partitë politike në vend, vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre në rrugë dhe jo në mënyrë ligjore.

Hetimi solli skandalin “Ruzhdije”

Kallëzimi i PS-së në rrethin e Fierit

Kallëzimi i Partisë Socialiste, për shtrembërim të rezultatit në qendrën e votimit në komunën Ruzhdije të rrethit Fier, detyroi Prokurorinë që të fillonte hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e këtij falsifikimi. Për disa muaj me radhë, hetuesit arritën të provojnë se në kutinë zgjedhore ishin falsifikuar nga komisionerët e Partisë Demokratike rreth 80 vota. Pas marrjes të pandehur të këtyre komisionerëve, Prokuroria vuri nën akuzë edhe komisionerët e PS, për braktisje të qendrave të votimit.

Përfaqësuesit e PS-së u dënuan

KQZ, denoncon tre komisionerë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve paditi pak muaj më parë tre komisionerët e Partisë Socialiste, të cilët ushtronin detyrën e tyre në fshatin Juban në komunën Guri i Zi. Menjëherë Prokuroria e Shkodrës filloi hetimet dhe pas disa muaj dosja përfundoi në gjykatë me tre të pandehurit, të cilët u dënuam me gjobë nga gjykata e këtij rrethi. Gjatë fazës hetimore organi i akuzës Shkodër konstatoi se tre komisionerët gjatë procesit të votimit, kanë braktisur detyrën e tyre, veprim ky që është në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.

Hetimi vazhdon në Shkodër

PDK: Ja falsifikimet me fletët

Në muajin shtator, Partia Demokristiane ndërmori një nismë ku denonconte në media dhe Prokurori disa procesverbale që sipas tyre ishin të falsifikuar dhe që kishin ndryshuar rezultatin final të zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës. Pas rinumërimit të KZAZ nr. 40 në QV nr. 255, nga procesverbali rezulton se PD-ja ka marrë 327 vota, ndërkohë nga rinumërimi i bërë rezulton se ajo ka marrë në të vërtetë vetëm 273 vota, pra komisionerët e saj, sipas Partisë Demokristiane i kanë shtuar plot 54 vota.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›