E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e SHBA për Ballkanin

16-11-2012 / Nga Philip Gordon

Nga Philip Gordon
Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë

Është vërtet kënaqësi që jam këtu. Faleminderit edhe Franit që më ftoi e më dha mundësinë të flas këtu, e mendoj se do të jetë një seminar i vlefshëm gjatë ditës së nesërme ose dy ditëve në vijim. Siç e përmendi Damon, nuk është diçka – nuk është thjesht diçka që doja të thosha me këtë rast, por është diçka e thënë në kohën e duhur duke pasur parasysh vizitën që sapo ka bërë sekretarja Clinton në rajon, e shoqëruar në një pjesë të kësaj vizite edhe nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Ashton.
Dua ta nis me një çështje që e theksoi edhe Damon në prezantimin e tij e që i jep kësaj kontekstin global. Mendoj se nuk ka nevojë të thuhet se Shtetet e Bashkuara në këto çaste po përballen me një botë plot sfida globale të stërmëdha. Konflikti në Siri, tranzicioni në Afganistan, rënia ekonomike në Europë, sfidat në Afrikën e Veriut dhe sigurisht që po u përgjigjemi këtyre sfidave çdo ditë – por çështja me të cilën dua ta nis, të cilën Damon përmendi më parë, është se edhe ndërkohë që përballemi me këto sfida të mëdha në mbarë botën, nuk e kemi hequr asnjëherë vëmendjen nga fakti se kemi interes të thellë e historik për Ballkanin Perëndimor, i cili përbën atë pjesë të botës ku Shtetet e Bashkuara kanë investuar kaq shumë dhe ku kemi kaq shumë miq dhe interesa, e mendoj se vizita që sapo bëri sekretarja në rajon vetëm dy javë më parë riafirmoi përkushtimin e pandryshuar amerikan për mbështetjen e demokracisë, stabilitetit dhe përparimit në atë rajon.
Ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian po punojnë krah për krah për të zgjidhur këto sfida globale, siç më keni dëgjuar disa prej jush të flas për partneritetin dhe bashkëpunimin tonë me Europën globalisht këtu edhe në vende të tjera, këtë gjë po e bëjmë edhe në Ballkan, e duhet ta theksoj përherë këtë fakt. Nuk është konkurs. Në të vërtetë, përkundrazi, e dimë, ne në SHBA e dimë se nuk mund të kemi sukses në rajon pa Europën dhe Europa nuk mund të ketë sukses pa ne.
Perspektiva e anëtarësimit në BE është shtysë e fortë për vendet e Ballkanit në lidhje me reformimin e ekonomive të tyre, përparimin e demokracive të tyre, arritjen e paqes me fqinjët dhe ne në SHBA e kemi mbështetur fuqishëm këtë proces në Europën Qendrore dhe Lindore, ku ka pasur sukses shumë të madh, dhe e mbështesim gjithashtu në Ballkan.
E përsëris, mendoj se ky bashkëpunim shumë i ngushtë u ilustrua në mënyrën më të qartë nga udhëtimi i përbashkët i sekretares Clinton me Përfaqësuesen e Lartë Ashton. Sekretarja Clinton nuk ka bërë udhëtime të tjera të përbashkëta me ministra të jashtëm, por këtu menduam se ishte e rëndësishme që të shfaqeshin të dyja së bashku në disa prej këtyre vendeve. Shkuan bashkë në Bosnje, në Serbi dhe në Kosovë me pikërisht të njëjtin mesazh për popujt dhe udhëheqësit në rajon.
Vizita e tyre e përbashkët riafirmoi përkushtimin tonë të vazhduar për integrimin e gjithë rajonit të Ballkanit në Europë dhe në Perëndim, dhe shumë herë e kemi thënë se sipas pikëpamjes sonë Europa nuk do të jetë asnjëherë e plotë pa u integruar tërësisht gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, ato mundën të bënin të qartë se përparimi varet nga gatishmëria e drejtuesve politikë për të kapërcyer gjërat që i dallojnë, nacionalizmin e ngushtë dhe ekonomitë e ngurta që nuk kanë vend në shekullin e 21-të.
Pra më lejoni të them disa fjalë për mënyrën si e shikojnë Shtetet e Bashkuara situatën aktuale në rajon, dhe do ta bëj këtë duke iu referuar vendeve sipas radhës që i vizitoi sekretarja, duke filluar nga Bosnje-Hercegovina. Në fillim të këtij viti, pas një situate politike pa rrugëdalje prej 16 muajsh, Bosnja u pa të kthehej në rrugën e duhur për formimin e qeverisë dhe miratimin e ligjeve që nevojiten për përparimin e saj në integrimin euroatlantik. Megjithatë, ky përparim e ndali hovin disa muaj më parë për shkak të programeve të ngushta personale dhe politike si edhe përpjekjeve për të ushqyer frikërat etnike. Përpjekjet e vazhduara për të riorganizuar shtetin dhe qeveritë e federatës janë shpërqendrim aspak i kënaqshëm nga përparësitë ekonomike dhe politike, përfshirë anëtarësimin në BE-NATO, të cilat partitë kryesore pretendojnë se i mbështesin. Përparësitë janë të qarta: qeveri funksionale dhe e qëndrueshme, respekt për institucionet shtetërore dhe Kuadrin e Dejtonit dhe përmbushja e hapave që nevojiten për përparimin në procesin e anëtarësimit në BE dhe NATO. Tani që Bosnja ka realizuar me sukses zgjedhjet lokale, Sekretarja Clinton dhe Përfaqësuesja e Lartë Ashton u bënë thirrje drejtuesve politikë të plotësojnë menjëherë kërkesat që duhen me qëllim të dorëzojnë një aplikim të besueshëm për të marrë statusin kandidat për në BE dhe të aktivizojnë Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO këtë vit. Ndërkohë që e kemi të qartë vështirësinë e procesit, e dimë se është e vetmja rrugë drejt një të ardhmeje të begatë dhe të qëndrueshme për vendin. Me qëllim që Bosnje-Hercegovina të ecë me ritmin e zhvillimeve pozitive në vendet e tjera në rajon duhet gjithashtu të funskionojë si shtet funksional për të gjithë shtetasit e vet. Fjalët që sfidojnë pavarësinë dhe integritetin territorial të Bosnjes vazhdojnë të ngrenë dyshime mbi përkushtimin e vërtetë të politikanëve në Republikën Srpska ndaj Kuadrit të Dejtonit dhe integrimit në BE. Sekretarja Clinton e bëri të qartë në Sarajevë se Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm Kuadrin e Dejtonit – një shtet, dy njësi dhe tre popuj përbërës. Republika Srpska është dhe duhet të mbetet pjesë përbërëse e Bosnje-Hercegovinës.
Më lejoni të them disa fjalë për Kosovën dhe Serbinë, aspiratat euroatlantike të së cilave Shtetet e Bashkuara i mbështesin fuqishëm.
Siç e dini gjatë 18 muajve të fundit Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur dialogun e lehtësuar nga BE-ja që kërkon të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet këtyre fqinjëve me qëllim sigurimin e stabilitetit në rajon si edhe në jetën e popullit të të dyja vendeve. Jemi dakord me aleatët tanë europianë se një vend nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian kur i mungojnë marrëdhëniet e normalizuara me fqinjët e tij. Dialogu, e kam fjalën dialogu i lehtësuar nga BE-ja, ka dhënë rezultate praktike përfshirë marrëveshjet mbi lirinë e lëvizjës, ekuavalentimin e diplomave, e të dhënave për tokën, Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale. Edhe pse pati vonesa në fillim në zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve të fundit, jemi shumë të kënaqur që qeveria e re serbe e zgjedhur pranverën e kaluar ka ndërmarrë hapat e duhura për zgjidhjen e ndryshimeve, dhe ka shprehur përkushtimin ndaj integrimit në BE – duke firmosur protokollet e zbatimit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, dhe duke lejuar që marrëveshja mbi pjesëmarrjen rajonale të Kosovës të ecë përpara - të dy këto hapa janë inkurajues. Më 19 tetor kryeministrat e Serbisë dhe Kosovës u takuan me Përfaqësuesen e Lartë Ashton në Bruksel. Në këtë takim të parë në një fazë të re të dialogut në atë nivel, kryeministri Dacic dhe kryeministri Thaçi të dy treguan përkushtim ndaj procesit dhe ranë dakord për takime të mëtejshme. Vizitat e sekretares Clinton dhe Përfaqësueses së Lartë Ashton në Beograd dhe Prishtinë theksuan unitetin në rolin e BE-së dhe SHBA-së pasi inkurajuan të dy qeveritë të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e arritur tashmë dhe të ndërmarrin hapa konkrete drejt gjetjes së zgjidhjes për situatën e veriut të Kosovës. Ashton priti përsëri kryeministrat Dacic dhe Thaçi në Bruksel më 7 nëntor, duke vazhduar të tregojë dëshirën e tyre reciproke për të gjetur zgjidhje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dua të jem i qartë. Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqishëm pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, ashtu si edhe më shumë se 90 vende të tjera në botë, numër që përfshin shumicën dërrmuese të anëtarëve të Bashkimit Europian. As ne e as BE-ja nuk presim që Serbia të njohë Kosovën tani për tani, por Serbisë do t’i duhet të normalizojë marrëdhëniet e saj me Kosovën shumëetnikë, të pavarur e sovrane brenda kufirit të saj ekzistues – nuk ka mundësi copëzimi.
Për të ecur përpara, Beogradi duhet t’i japë fund mbështetjes së sigurisë, qeverisjes dhe strukturave gyqësore paralele në Kosovën veriore dhe të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë. Kjo nuk do të thotë aspak të braktisë serbët, siç aludojnë disa – përkundrazi, në vend që të bëjë pretendime territoriale, Beogradi mund të mbështesë në mënyrë transparente mirëqenien e serbëve të Kosovës, të cilët do të përfitonin shumë nga normalizimi. Beogradi mund të punojë për të gjetur zgjidhje që do t’u siguronin njerëzve atje jetë normale për herë të parë në 13 vite. Statukuoja e izolimit, korrupsioni i përhapur gjithandej dhe pasiguria nuk u shërbejnë interesave të askujt. Ndërkohë Kosova duhet të vazhdojë të zhvillojë institucionet e saj demokratike shumëetnike dhe të zgjerojë decentralizimin në mënyrë që të lejojë komunitetet lokale si në veri edhe në jug të përfitojnë në maksimum nga vendimet e tyre. Presim gjithashtu që Kosova të respektojë të drejtat e të gjitha komuniteteve përfshirë serbët e Kosovës, si edhe të ruajë e mbrojë trashëgiminë e tyre kulturore dhe fetare. Në veçanti në Serbi, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me Beogradin për të fuqizuar mundësitë ekonomike dhe tregtare, për të nxitur bashkëpunimin tonë ushtarak, dhe për të luftuar krimin e organizuar. Serbia ka mundësinë të bëhet forcë drejtuese për stabilitetin në rajon. Është interesi ynë i ndërsjellë të shikojmë Serbinë të përparojë dhe të arrijë aspiratat e saj europiane.
T’i kthehemi Kosovës, vendi i ka forcuar në mënyrë të konsiderueshme institucionet e tij politike gjatë katër viteve të fundit. Vendimi nga Grupi Ndërkombëtar i Drejtimit për të përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur në shtator e ka provuar këtë përparim. Megjithatë, mbetet punë për të bërë në përforcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe në trajtimin e papunësisë. BE-ja i ka parashtruar qartë reformat e domosdoshme që duhet të bëjë Kosova për të vazhduar përparimin drejt integrimit europian, përfshirë etapat për liberalizimin e vizave të qartësuara në fillim të këtij viti, si edhe studimin e mundësisë lëshuar në tetor ku nuk u paraqitën pengesa ligjore për vendosjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Angazhimi serioz i Kosovës me Serbinë dhe përpjekjet aktive për reformë tregojnë dëshirën e saj për të qenë partnere konstruktive me perspektivë të qartë europiane. Pas këtyre ndalesave të përbashkëta me Përfaqësuesen e Lartë Ashton, sekretarja Clinton vazhdoi për në Kroaci dhe Shqipëri. Kroacia ka provuar se është vërtet në krye në rajon pasi përparimi i saj i shpejtë me reformat çoi në anëtarësimin në NATO në vitin 2009 dhe do të çojë në anëtarësim në BE korrikun e ardhshëm. Integrimi i suksesshëm i Kroacisë në institucionet euroatlantike duhet t’u tregojë vendeve të tjera kandidate se pavarësisht bisedimeve për të ashtuquajturën lodhje nga zgjerimi, dera e BE-së është vërtetë e hapur për vendet që përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe kriteret – reformoni ekonomitë tuaja, pajtohuni me fqinjët, përmbushni standardet e demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe do të mundeni më në fund të bëheni pjesë e Bashkimit Europian. 
Vrulli që pasoi tranzicionin e Kroacisë duhet të kultivohet si model në të gjithë rajonin.
Pavarësisht përparimit të madh të Kroacisë deri më tani, mbetet akoma punë për të bërë. Në Zagreb, sekretarja Clinton i bëri thirrje qeverisë të vazhdonte përpjekjet për përmirësimin e administratës publike dhe sistemit të drejtësisë, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe zbatimin e reformave strukturore ekonomike.
Sekretarja e përfundoi udhëtimin e saj në Shqipëri. Vizita e saj në Tiranë përkonte me një moment historik pasi ajo ndihmoi në shënimin e Përvjetorit të 100-të të pavarësisë së vendit me një fjalim në parlament. Për shumë vite Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Europës nën diktaturën shtypëse. Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit Shqipëria ka punuar për forcimin e demokracisë dhe reformimin e ekonomisë. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009 dhe është bërë anëtare e vlefshme e kësaj aleance. Progres raporti më i fundit i Komisionit Europian rekomandoi pezullim të statusit të vendit kandidat për në BE deri në miratimin e disa pjesëve kyçe në legjislacion. Sekretarja Clinton shprehu qartë se Shqipëria ndodhet në rrethana kritike dhe theksoi nevojën për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në vitin 2013. Ajo gjithashtu u bëri thirrje parlamentarëve të punojnë përtej kufijve partiakë dhe të ecin shpejt në miratimin e reformave të caktuara ngë BE-ja. Në veçanti, drejtuesit e Shqipërisë duhet të zgjedhin të avacojnë mbi përparimin e bërë deri tani duke miratuar reformat e administratës publike dhe reformat e gjyqësorit dhe të rishikojnë rregullat e parlamentit për procedurën. Qeveria duhet gjithashtu të bëjë përpjekje të bashkërenduara për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. 
Së fundmi, edhe pse sekretarja nuk mundi të vizitonte Malin e Zi dhe Maqedoninë në këtë udhëtim, e theksoi përkushtimin e saj ndaj aspiratave euroatlantike të të dyja vendeve në telefonatat e bëra me drejtuesit e tyre pas vizitës së saj në rajon. Mali i Zi ka bërë përparim të qëndrueshëm drejt anëtarësimit në NATO dhe në fillim të këtij viti hapi negociatat për pranim në BE. Përveçse pati zgjedhje të suksesshme muajin e kaluar, vendi ka bërë gjithashtu përparime të rëndësishme në fushat e qeverisjes demokratike, sundimin e ligjit, dhe lirinë e medias. Megjithatë, Podgorica duhet të vazhdojë të merret me korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet e shoqërisë. Për Maqedoninë, Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura me suksesin e vendit. Vazhdojmë të mbështesim rritjen e shoqërisë civile dhe institucioneve të forta demokratike si edhe përpjekjeve për të institucionalizuar parimet e diversitetit dhe përfshirjes në qeveri dhe shoqëri. Edhe pse Maqedonia ka bërë përparim në marrëdhëniet ndëretnike, na shqetëson tensioni ndërmjet komuniteteve dhe ndarjeve politike. Jemi të shqetësuar gjithashtu nga raportet e vazhdueshme për ndërhyrje të qeverisë në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe medias. Siç e dini të gjithë, diskutimi për emrin e Maqedonisë me Greqinë vazhdon të pengojë aspiratat e saj për anëtarisimin në NATO dhe nisjen e bisedimeve për pranimin në BE. E kemi thënë shumë qartë se u zhgënjyem shumë pranverën e kaluar që NATO nuk mundi ta mirëpriste Maqedoninë në Samitin e Çikagos siç shpresonim. Por duke qenë se NATO është organizatë marrëveshjesh, Maqedonia dhe Greqia duhet se pari të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre dypalëshe përpara se Aleanca të përmbushë ofertën e anëtarësisë që u bë në Samitin e Bukureshtit. Kohët e fundit ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë kanë shkëmbyer letra duke riafirmuar kështu përkushtimin e secilës palë për zgjidhjen e çështjes së emrit. E mbështesim fuqishëm procesin e vazhdueshëm të BE-së mbi këtë çështje dhe do të përqafojmë çfarëdo zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët. Duket qartë se është në interes të Shteteve të Bashkuara – siç është edhe në interes të Europës dhe gjithë rajonit të Ballkanit – që Maqedonia të luajë rolin e saj të plotë si në NATO edhe në BE.
Në përfundim, më lejoni të them pak fjalë për sfidën gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes së ekonomisë. Shtetet e Bashkuara kanë interes të thellë në stabilitetin dhe rritjen e Europës, prandaj jam i gëzuar që ky seminar do të diskutojë ndikimin e çështjeve ekonomike në integrimin e rajonit. Sfidat politike te të cilat u përqendrova sot pa dyshim që janë rënduar nga vështirësitë ekonomike të Europës. Ngadalësimi i ekonomisë në Europë mund të kishte shërbyer si mundësi për drejtuesit e Ballkanit për t’u përqendruar në sfidat e brendshme të ngutshme përfshirë nevojën për reforma në sundimin e ligjit për të nxitur një klimë të qëndrueshme investimi. Ajo përkundrazi, ka çuar në rritje shqetësuese të fjalimeve nacionaliste dhe në ringjalljen e shovinizmit si inkurajim politik. Investitorët e huaj do të vazhdojnë t’i anashkalojnë vendet ku pllakos korrupsioni, miqësitë, strukturat e dobëta të shtetit dhe paqëndrueshmëria politike. Duke forcuar ekonomitë e tyre si edhe institucionet e tyre politike, vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bëhen aleate demokratike, të begata e të afta për të kontribuar në përpjekjet euroatlantike për zgjidhjen e sfidave globale. Shtetet e Bashkuara, duke punuar në partneritet të ngushtë me Bashkimin Europian, mbeten të përkushtuara për përfundimin e punës së pambaruar të Europës. Megjithatë, siç e shprehën qartë sekretarja Clinton dhe Përfaqësuesja e Lartë Ashton, drejtuesit politikë të këtyre vendeve duhet të kapërcejnë ndarjet etnike dhe interesat vetjake dhe të përqendrohen në realizimin e reformave të vërteta që kërkojnë shtetasit e tyre. Nëse e bëjnë këtë mund të besojnë në vazhdimësinë e mbështetjes transatlantike derisa të përmbushet procesi demokratik i Europës.

Fjala e mbajtur në Këshillin Atlantik, 13 nëntor 2012

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›