E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top 10 yjet e huaja në Serie A

Sezoni i ri në Serie A fillon sonte. Përveç futbollistëve ‘vendor’ me famë botërore, Kampionati italian premton spektakël falë këtyre 10 yjeve më të mëdhenj të huaj. Secili prej tyre është lider në skuadrat përkatëse dhe bashkërisht synojnë të shtojnë shkëlqimin e Serisë A.

Sezoni i ri në Serie A po fillon e me vete do të sjell edhe emocionet e shumta dhe duele mes skuadrave rivale dhe kundërshtarëve historikisht të urryer. Përveç rivalitetit të përgjithshëm, në fushë do të zbresin yje të shumtë me synimin të japin shkëlqim vezullues. Eurosport.it ka përzgjedhur 10 yjet më të mëdhenj të huaj të edicionit të ri në Kampionatin italian.

Edinson Cavani (Napoli) – “Cavanin e shes vetëm për 100 milionë euro”. Kështu ishte përgjigjur presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis për spekulimet rreth largimit të Cavanit nga San Paolo. Cavani është një sulmues modern, i kompletuar i cili di të shënojë në vazhdimësi dhe pothuajse i vetëm di të trend mbrojtjet kundërshtare. E kërkon gjysma e Evropës por ka vendosur të mbetet në Napoli.

Arturo Vidal (Juventus) – Nga pothuajse i panjohuri te kampion i Italisë. Mjaftoi një sezon që Arturo Vidal të tregojë aftësitë e tij dhe fitojë zemrat e tifozëve të Juventusit. Vidal vrapon, rikuperon topa. ‘ngacmon’ kur duhet dhe shënon gola (sezonin e kaluar realizoi 7). Kaq mjaftoi për të fituar besimin e trajnerit Antonio Conte i cili nuk planifikon asgjë pa të.

Wesley Sneijder (Inter) – Holandezi nuk vjen nga sezoni më i mirë në karrierë por Wesley Sneijder mbetet një futbollist i aftë të ndryshojë rrjedhën e ndeshjeve. Dhe në këtë edicion të ri të Serie A, do të jenë pak të tillë. Interi i Stramaccionit është duke ndërtuar një mesfushë të re dhe prezenca e Sneijderit është fondamentale për rikthimin e skuadrës në nivelin e dikurshëm.

Kevin Prince Boateng (Milan) – Milani i sakrifikoi pothuajse të gjithë por jo Kevin Prince Boatengun. Ganezi është i vetmi titullar i pazëvendësueshëm në Milanin e “ri” të Allegrit dhe natyrisht nuk është e rastësishme. Gola, kualitet, fuqi dhe intensitet në fushë. Nga ky Milan, Boateng është top-futbollist. Numrin 10 në shpinë e mori nga Seedorf dhe do të synojë ta bart me krenari duke i rezistuar barrës që sjell me vete. Edhe këtë vit, ai pritet të jetë faktor.

Marek Hamsik (Napoli) – Tashmë disa vite spekulohet me largim nga klubi në drejtim të disa prej klubeve të mëdha evropiane, por Marek Hamsik vazhdon të qëndrojë te Napoli dhe së bashku me Cavanin është një prej futbollistëve kryesor të ekipit. Një siguri, njësoj sikurse 9-12 golat e tij çdo sezon.

Mirko Vucinic (Juventus) – Juventusi vazhdon të jetë në kërkim të një sulmuesi të madh por një të tillë tashmë e ka në shtëpi: Mirko Vucinic. Ylli malazez – po citojmë Conten – “mund të zgjidh çdo problem”. Vucinicit në edicionin e ri do ti kërkohet një vazhdimësi më e mirë por kjo nuk e largon atë nga lista e 10 futbollistëve më të mirë të huaj në Serie A.

Stevan Jovetic (Fiorentina) – Malazezi është ylli kryesor i Fiorentinës dhe një prej talenteve më të mëdhenj në Serie A. Jovetic vazhdon të kërkohet nga Juventus, Arsenal, City e United, dëshmi për aftësitë e tij të jashtëzakonshme. Pas lëndimit të rëndë të ligamenteve, Jovetic është kthyer fuqishëm duke realizuar 14 gola në 27 paraqitje për Fiorentinën që siguroi mbijetesën.

Diego Milito (Inter) – Në një prej sezoneve më dëshpëruese të Interit, Milito ishte ai i vjetri duke realizuar 24 gola. Pavarësisht moshës, 33 vjeç, argjentinasi vazhdon të jetë një prej sulmuesve më të mirë në Serie A. Me pak ndihmë nga Sneijder, dhe përforcimi i ri Cassano, Milito do të synojë të vazhdojë të tund rrjetat kundërshtare.

Robinho (Milan) – Nuk do të jetë ai i kohëve të arta, por Robinho mbetet një prej futbollistëve të huaj më të mirë në Serie A. I shpejtë, në gjendje të krijojë avantazh numerik si rrallë kush tjetër në Itali. Duhet ta rikthejë ftohtësinë para portave por Allegri dhe tifozët e Milanit shpresojnë në shpërthimin e tij.

Miroslav Klose (Lazio) – Nëse Lazio sezonin e kaluar luftoi deri në fund për kualifikim në Ligën e Kampionëve, atëherë është meritë e këtij 34 vjeçari i cili ende nuk është lodhur nga të qenit vendimtar. Pas lëndimit të tij, skuadra hasi në vështirësi në fazën sulmuese. Por, problemet fizike i ka lënë pas vetes dhe tashmë është gati për edicionin e ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›